ASH: Ndryshimet kushtetuese të miratohen menjëherë, e ardhmja evropiane nuk ndërtohet mbi frikën e së shkuarës

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se, ndërsa Ukraina përballet çdo ditë me bombardime dhe shkatërrime, ajo vijon me kurajë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Edhe Moldavia, sipas ASH-së, po përparon me vendosmëri. Në të kundërt, ne, ndonëse jetojmë në paqe, po humbasim vite të rëndësishme duke u përfshirë në frikë, paragjykime dhe përplasje politike, në vend që të fokusohemi te ndërtimi i së ardhmes.

Të lidhura

None found

ASH rikujton se edhe ndryshimi i emrit dikur u paraqit si rrezik për identitetin, gjuhën dhe shtetin. Sot, thekson kjo parti, identiteti ka mbetur i njëjtë, gjuha maqedonase ekziston dhe Maqedonia e Veriut është pjesë e NATO-s, me garanci të përbashkëta sigurie dhe një pozicion më të fuqishëm ndërkombëtar. Sipas tyre, ajo që dikur konsiderohej kërcënim për ekzistencën e vendit, tashmë është një prej arritjeve më të mëdha shtetërore.

“E njëjta histori po përsëritet. Ndryshimet kushtetuese po shoqërohen sërish me frikë, justifikime dhe zvarritje, ndërkohë që shtetet e tjera vazhdojnë të ecin përpara”, thuhet nga ASH.

Aleanca për Shqiptarët shprehet se ka kërkuar në vazhdimësi reflektim, kurajë dhe përgjegjësi nga aktorët politikë.

“Kërkojmë me këmbëngulje që të arrihet një marrëveshje dhe ndryshimet kushtetuese të miratohen tani, në mënyrë që të hapet rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, duhet të largohet formulimi diskriminues ‘20 për qind’, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë barazi të plotë. Respektimi i identitetit maqedonas dhe garantimi i barazisë për shqiptarët nuk duhet të shndërrohen në arsye për koncesione dhe kundërshtime, pasi këto janë bazat e një shteti modern evropian”, shtojnë nga ASH.

Sipas kësaj partie, Ukraina po lufton për të ardhmen e saj evropiane mes një konflikti të armatosur, ndërsa ne, edhe pse në paqe dhe siguri, vazhdojmë të mbetemi të bllokuar nga frika e ndryshimit, për shkak të mungesës së guximit dhe vullnetit politik. “Nuk mund të synojmë të ardhmen evropiane duke jetuar me frikën e së kaluarës. Koha për guxim dhe vendimmarrje është tani, sepse nesër mund të jetë tepër vonë”, përfundon ASH./Telegrafi/


Quantcast