Pas më shumë se shtatë orësh, protesta e studentëve dhe qytetarëve në Tiranë është shtrirë në disa zona të tjera të kryeqytetit, ndërsa tensionet vijojnë me dëmtime të godinave dhe përplasje me policinë.
Një grup protestuesish është drejtuar drejt godinës së ish-hotel Dajtit, e cila përdoret nga Banka e Shqipërisë. Sipas raportimit, ata kanë tentuar të thyejnë kamerat e sigurisë dhe xhamat e derës kryesore, e cila nuk ka grila mbrojtëse.
Situatë e tensionuar është raportuar edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku vazot me lule janë hedhur në rrugë.
Më herët, protestuesit dëmtuan edhe godinën e Ministrisë së Financave, ku u thyen xhama dhe u tentua t’u vihej flaka disa pjesëve të ndërtesës.
Përballë përshkallëzimit, policia ka ndërhyrë pranë Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave, duke përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Protesta, që nisi më herët gjatë ditës, vijon të shoqërohet me episode dhune dhe dëmtime të pronës publike, ndërsa situata në kryeqytet mbetet e tensionuar.














