Konsumatorët shqiptarë pritet të kenë më shumë të drejta dhe mbrojtje gjatë blerjes së produkteve, si në dyqanet fizike, ashtu edhe në platformat online. Projektligji “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i depozituar për diskutim në komisionet parlamentare, parashikon detyrime më të qarta për bizneset dhe rregulla të reja për tregtinë digjitale, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Një nga parashikimet kryesore është e drejta e konsumatorit për t’u tërhequr nga kontratat e lidhura në distancë ose jashtë ambienteve tregtare brenda 14 ditëve, pa pasur nevojë të japë një arsye. Konsumatori nuk do të paguajë kosto shtesë për këtë tërheqje, përveç shpenzimeve të kthimit të mallit, kur ato nuk mbulohen nga tregtari.
Në rastet kur shitësi nuk e informon konsumatorin për të drejtën e tërheqjes nga kontrata, afati mund të zgjatet deri në 12 muaj.
Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e mekanizmave për trajtimin e ankesave. Tregtarët do të jenë të detyruar të pranojnë ankesat me shkrim, si në mënyrë fizike, ashtu edhe elektronike, të konfirmojnë marrjen e tyre dhe të japin përgjigje brenda 15 ditëve kalendarike.
Një tjetër detyrim për bizneset është mbajtja e një regjistri të ankesave për një periudhë njëvjeçare nga data e marrjes së tyre.
Nismën synon të rrisë transparencën në marrëdhëniet mes bizneseve dhe konsumatorëve, duke garantuar më shumë siguri për blerjet dhe duke forcuar mbrojtjen e qytetarëve edhe në tregtinë online.
#Konsumatori #BlerjetOnline #MbrojtjaEKonsumatorit #Ekonomi #Shqipëri


