Historia e pazakontë nga Roma/ 13-vjeçari jetoi për tre vjet me levën e frenave të biçikletës në shpinë, ndërhyrja kirurgjikale i shpëtoi këmbën

14/10/2026 18:21

Një histori e pazakontë vjen nga Roma, ku mjekët e spitalit pediatrik “Bambino Gesu” arritën të heqin një pjesë metalike të levës së frenave të biçikletës, e cila kishte mbetur në trupin e një 13-vjeçari për tre vjet. Ndërhyrja delikate kirurgjikale shmangu dëmtimin e nervit dhe bëri të mundur rikuperimin e plotë të djalit.

Mediat italiane shkruajnë se, gjithçka kishte nisur nga një rrëzim me biçikletë, kur djali ishte ende fëmijë. Pas aksidentit, ai nuk kishte shfaqur shqetësime të dukshme dhe kishte vazhduar të merrej me sport, si dhe të kryente aktivitetet e përditshme pa kufizime të veçanta.

Vetëm tre vjet më vonë, shfaqja e dhimbjeve në këmbën e djathtë, të ndjekura nga ndjesi shqetësimi në të dyja gjymtyrët e poshtme, i çoi mjekët drejt një zbulimi të papritur.

Ekzaminimet e para neurologjike nuk treguan anomali, por për të sqaruar shkakun e dhimbjeve u krye një radiografi e shtyllës kurrizore. Pamjet zbuluan praninë e një objekti metalik të lakuar, me gjatësi rreth 5,5 centimetra, të vendosur në pjesën e mesit të shpinës.

Ekzaminimet e mëtejshme, përfshirë tomografinë e kompjuterizuar (CT), ndihmuan mjekët të rindërtonin rrugën që kishte përshkuar pjesa metalike në trupin e fëmijës. Objekti kishte hyrë përmes një plage të vogël në anën e majtë të trupit dhe, me kalimin e kohës, kishte përfunduar në rajonin e mesit të shtyllës kurrizore.

Pjesa më shqetësuese ishte pozicioni i saj: maja e levës ndodhej pranë hapësirës ndërmjet rruazave të treta dhe të katërta lumbare, aty ku del një rrënjë nervore që lidhet me funksionimin e gjymtyrëve të poshtme.

Gjatë këtyre tre viteve, rreth objektit metalik ishte formuar një shtresë indi fibroz, e cila e kishte përfshirë pjesërisht dhe e kishte ndarë nga indet përreth. Kjo e bënte heqjen e tij veçanërisht të ndërlikuar, pasi çdo lëvizje e pakontrolluar mund të dëmtonte nervin.

Për këtë arsye, 13-vjeçari u dërgua te specialistët e spitalit pediatrik “Bambino Gesù”, në Palidoro, pranë Romës, ku u përcaktua strategjia e ndërhyrjes.

Operacioni zgjati rreth tre orë. Përmes një prerjeje të vogël në pjesën e pasme të shpinës, kirurgët arritën në zonën ku ndodhej trupi i huaj. Faza më delikate ishte çlirimi i rrënjës nervore nga pjesa metalike dhe nga indet fibroze që ishin formuar rreth saj me kalimin e kohës.

Për këtë qëllim u krye një procedurë e njohur si neurolizë, e cila synon të ndajë nervin nga strukturat që e rrethojnë, duke ruajtur funksionin e tij. Pas manovrave të kujdesshme, ekipi kirurgjikal arriti ta nxirrte levën e frenave të paprekur, pa shkaktuar dëmtime të nervit.

Rasti konsiderohet i rrallë për shkak të kohës së gjatë që trupi i huaj kishte qëndruar në organizëm pa shkaktuar shqetësime të dukshme.

Pavarësisht përmasave të objektit dhe vendndodhjes së tij pranë strukturave nervore të rëndësishme, djali kishte vazhduar jetën normalisht për tre vjet. Formimi i indit fibroz rreth metalit dhe pozicioni që ai kishte marrë me kalimin e kohës janë ndër elementet që e bëjnë këtë rast veçanërisht të pazakontë.

Pas ndërhyrjes, gjendja e 13-vjeçarit ishte e mirë. Ai u ngrit nga shtrati që në mëngjesin pas operacionit dhe u largua nga spitali pas disa ditësh. Kontrollet e mëvonshme konfirmuan ecurinë pozitive të rikuperimit, pa komplikime neurologjike apo fizike të raportuara.

Ndërhyrja e suksesshme bëri të mundur heqjen e trupit të huaj dhe shmangien e pasojave të mundshme që mund të kishte sjellë dëmtimi i rrënjës nervore për funksionimin e këmbës.

Top Channel