Kosova ka marrë një fitore të rëndësishme 3-2 ndaj Gjeorgjisë në raundin e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futsall.
Të lidhura
None found
Pavarësisht se e mbylli pjesën e parë në disavantazh prej dy golash, përfaqësuesja kosovare reagoi fuqishëm pas pushimit dhe arriti ta përmbysë rezultatin.
Chimakadze shënoi për vendasit në minutën e katërt, ndërsa Svanidze e dyfishoi epërsinë e Gjeorgjisë në minutën e 20-të.
Jeton Rukovci riktheu shpresën e Kosovës në minutën e 33-të, kur ngushtoi diferencën. Katër minuta më vonë, Drilon Maxharraj realizoi për 2-2.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 40-të, me Mërgim Dervishajn që kompletoi përmbysjen dhe i dha Kosovës tri pikët.
Ekipi i udhëhequr nga Agon Ramadani kishte siguruar kualifikimin në raundin e dytë pas fitoreve ndaj Austrisë dhe Gjibraltarit, si dhe barazimit me Malin e Zi.
Raundi i dytë po zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku Kosova është pjesë e grupit së bashku me përfaqësuesen vendase dhe Italinë.
Me këtë paraqitje, futbollistët kosovarë dëshmuan karakter dhe këmbëngulje, duke përmbysur një deficit prej dy golash dhe duke marrë një rezultat me peshë në garën për kualifikim në Kampionatin Botëror.






