“Distancohuni nga aktet e dhunës”, ministri Gonxhja reagon për protestën: Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë

14/10/2026 19:14

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar përmes një deklarate lidhur me protestën e ditës së sotme. Ai dënon aktet e dhunës dhe dëmtimin e institucioneve publike.

Gonxhja thekson se e drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nënvizon rëndësinë e ruajtjes së rendit, karakterit paqësor të protestës dhe mbrojtjes së objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve si pjesë e trashëgimisë kombëtare.

Reagimi i Ministrit Blendi Gonxhja për protestën:

Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive: ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik! Vetgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues!

Organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Heshtja përballë dhunës i lë hapësirë ujqve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë europiane.

Në vëmendje të veçantë mbrojtja e objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve: Organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë këto pasuri. Ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin tonë dhe u përkasin të gjithë shqiptarëve. Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare.

Top Channel