Baton Zabërgja po përjeton një periudhë të shkëlqyer te Metalist 1925 Kharkiv, ku është shndërruar në një nga figurat kryesore të skuadrës ukrainase. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka realizuar shtatë gola dhe ka regjistruar katër asistime në nëntë paraqitje në të gjitha garat, ndërsa katër herë është përfshirë në formacionin më të mirë të javës.
Në një intervistë për Telegrafin, 25-vjeçari nga Vushtrria ka rrëfyer për formën e tij aktuale, angazhimin me Kosovën dhe objektivat që ka vendosur së bashku me klubin për sezonin në vazhdim.
Të lidhura
None found
Paraqitjet e mira në Ukrainë i kanë siguruar gjithashtu më shumë besim nga selektori Franco Foda. Në tri prej katër ndeshjeve të fundit, Zabërgja e ka nisur takimin nga minuta e parë me fanellën e Kosovës, diçka që për të përfaqëson një moment të veçantë dhe përmbushjen e një dëshire të hershme.
“Është një përjetim që nuk ka më të mirë. E kam potencuar edhe në disa intervista se të jesh pjesë e Kombëtares është një ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Zabërgja për Telegrafin.
Sa i përket bilancit të Kosovës në katër ndeshjet e fundit, sulmuesi i konsideron rezultatet pozitive. Megjithatë, ai mendon se përfaqësuesja kishte mundësi ta fitonte duelin ndaj Izraelit.
“Për sa u përket rezultateve në këto katër ndeshje, besoj se, përveç ndeshjes me Izraelin, ku mendoj se mund t’i merrnim tri pikët, rezultatet kanë qenë të kënaqshme”, është shprehur ai.
Zabërgja nuk mendon se sezoni i tij ka nisur me ritëm të ngadaltë. Ai sqaron se në fazën e parë nuk pati hapësirën e nevojshme në fushë, ndërsa rritja e minutave të luajtura ndikoi drejtpërdrejt edhe në paraqitjet dhe rezultatet e tij.
Sipas tij, viti i parë në Kharkiv ishte i fokusuar te përshtatja me ekipin dhe kampionatin. Tani, në sezonin e dytë, ai ndihet më i integruar dhe synon të vazhdojë me të njëjtin nivel, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë për t’u shpallur golashënuesi më i mirë në Ukrainë.
“Nuk do ta quaja një fillim të ngadaltë të sezonit. Fillimisht nuk kisha minuta të mjaftueshme, por me kalimin e kohës dhe me më shumë minuta në fushë kanë ardhur edhe performancat dhe rezultatet pozitive. Sezoni i parë në Kharkiv ishte për t’u ambientuar, ndërsa tani, në sezonin e dytë, besoj se jam përshtatur mirë. Synoj, pse jo, të bëhem golashënuesi më i mirë në Ukrainë”, deklaroi Zabërgja.
Bilanci i deritanishëm tregon qartë rëndësinë e tij në repartin ofensiv të Metalist 1925 Kharkiv. Në nëntë ndeshje në kampionat dhe Kupën e Ukrainës, ai ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë katër asistime, me shpresën që këto statistika të përmirësohen edhe më tej deri në përfundim të sezonit.
Objektivi i tij është të ruajë formën e treguar në sezonin 2024/25 me Dinamo City në Shqipëri, por këtë herë të arrijë një nivel edhe më të lartë në futbollin ukrainas.
“Kam shënuar shtatë gola dhe kam dhënë katër asistime në nëntë ndeshje në kampionat dhe Kupën e Ukrainës. Shpresoj ta vazhdoj këtë formë, ashtu siç bëra edhe në sezonin 2024/25 te Dinamo City në Shqipëri, pse jo edhe më mirë këtë sezon me Kharkivin”, është shprehur ai.
Performancat e tij janë reflektuar edhe në vlerësimet individuale. Përveç katër përfshirjeve në formacionin e javës, Zabërgja është shpallur katër herë edhe lojtari i ndeshjes. Ai thotë se këto vlerësime nuk e kanë befasuar, pasi tashmë ndihet i ambientuar me kampionatin dhe kërkon të bëjë hapa të tjerë përpara.
Metalist 1925 Kharkiv ka vendosur objektiva të rëndësishëm për këtë sezon. Klubi synon një paraqitje të suksesshme në kampionat dhe Kupën e Ukrainës, ndërsa qëllimi kryesor është sigurimi i një vendi në njërin prej kompeticioneve evropiane.
Zabërgja vlerëson kushtet në klub dhe mënyrën e organizimit, të cilën e cilëson profesionale. Ai shpreson që forma e tij aktuale të vazhdojë edhe në sfidat e ardhshme.
“Synimet e klubit janë që, përveç Kupës së Ukrainës, këtë sezon të arrijmë të sigurojmë pjesëmarrjen në njërin prej kompeticioneve evropiane. Sa u përket paraqitjeve të mia, shpresoj ta vazhdoj këtë formë. Ndihem shumë mirë këtu dhe është një klub tejet i organizuar profesionalisht”, ka thënë ai.
Ashtu si çdo futbollist, edhe 25-vjeçari nga Vushtrria dëshiron të avancojë më tej në karrierë. Nëse do të vijnë oferta nga kampionate të tjera, çështja do të shqyrtohet nga menaxherët dhe klubi, por synimi i tij kryesor mbetet aktivizimi në një prej pesë ligave më të forta të Evropës.
“Nëse do të ketë oferta për të ndërruar kampionat, për atë pjesë do të merren menaxherët dhe klubi. Synimi i çdo lojtari është të përparojë dhe të ngjitet sa më lart, veçanërisht të jetë pjesë e pesë ligave më të forta në Evropë”, ka përfunduar Zabërgja për Telegrafin.
Kjo ambicie mund të shndërrohet në realitet në një të ardhme të afërt, nëse sulmuesi kosovar vazhdon të paraqitet me këtë ritëm.





