Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Bankën Investuese Evropiane, po punon për sigurimin e një kredie prej 195 milionë eurosh. Fondet do të përdoren për përfundimin e projekteve në spitalet klinike të Shtipit dhe Tetovës, si dhe në Spitalin e përgjithshëm të Kërçovës. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi sot në seancën parlamentare për pyetje të deputetëve të opozitës se pret që Qeveria ta miratojë aranzhmanin deri në fund të vitit, duke i hapur rrugë realizimit të këtyre tri projekteve të shumëpritura.
Të lidhura
None found
Duke iu përgjigjur deputetes së Frontit evropian, Rina Ajdari, e cila ngriti shqetësimin për bllokimin e investimeve në Spitalin klinik të Tetovës, Klekovski tha se tashmë është zgjidhur edhe çështja shumëvjeçare e kontratave në vepër. Sipas tij, këto kontrata janë transformuar në punësime të rregullta.
Në lidhje me pyetjen e Ajdarit për nivelin e realizimit të skriningut të gjirit në Rajonin e Pollogut gjatë 20 muajve të fundit, ministri iu referua të dhënave të Entit shtetëror për revizion dhe raportit për auditimin e programeve të skriningut për periudhën 2021-2024, kur vendi drejtohej nga qeveria e kryesuar nga LSDM-ja. Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2024 në program janë përfshirë 17.000 mamografi, ndërsa në vitin 2021 ishin realizuar vetëm 651 mamografi.
Klekovski njoftoi gjithashtu se programet e skriningut janë vlerësuar dhe po rishikohen me synimin për t’i përmirësuar. Ai tha se nesër do të marrë pjesë në një punëtori me përfaqësues të shoqatës së pacientëve Hema-Onko dhe profesionistë nga jashtë vendit, mes tyre edhe drejtoresha për programet nacionale të skriningut nga Sllovenia. Në takim do të diskutohet mënyra se si këto programe mund të bëhen më efikase.







