Aktualitet Sociale

Si mungesë prioriteti, arsimi ka penguar transformimin e modelit ekonomik!

Vendet e vogla si Shqipëria mund të prosperojnë duke rritur aftësitë e popullsisë nëpërmjet zhvillimit dhe reformave në arsim.

Vendet të tilla Estonia dhe Sllovenia tregojnë se investimet në kapitalin njerëzor, të kombinuara me zhvillimin e teknologjisë, kërkimit shkencor dhe inovacionit, mund të shndërrohen në një nga motorët kryesorë të transformimit ekonomik.

Estonia nisi reformat në arsim që në vitet ’90, me përfshirjen e teknologjisë në shkolla, kanë ecur paralelisht me zhvillimin e administratës digjitale dhe industrisë së teknologjisë së informacionit. Këto reforma krijuan një bazë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë digjitale.

Sipas OECD-së, sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit gjeneron rreth 8.5% të vlerës së shtuar në ekonominë estoneze, një nga peshat më të larta mes vendeve të organizatës.

Estonia është bërë gjithashtu një qendër e rëndësishme e sipërmarrjeve teknologjike, duke treguar se një treg i vogël i brendshëm nuk përbën domosdoshmërisht pengesë për zhvillimin e industrive që konkurrojnë ndërkombëtarisht.

Një tjetër shembull vjen nga Sllovenia, e cila ka ndërtuar një ekonomi me bazë të fortë industriale, të mbështetur në kualifikimin profesional, kërkimin shkencor dhe inovacionin.

Në vitin 2024, vetëm shpenzimet për kërkim dhe zhvillim në Slloveni arritën në rreth 2.1% të PBB-së, ose 1.44 miliardë euro. Rreth 69% e aktivitetit kërkimor u realizua nga sektori i bizneseve, çka tregon rëndësinë që ka inovacioni në veprimtarinë e ndërmarrjeve dhe lidhjen e tij me ekonominë prodhuese.

Përvojat e Estonisë dhe Sllovenisë tregojnë se ekonomitë e vogla mund të krijojnë avantazhe konkurruese duke investuar te njohuritë, aftësitë teknike dhe teknologjia.

Në Shqipëri, përkundrazi, arsimi ka mbetur i nënfinancuar për një periudhë të gjatë, teksa rezultatet në arritje mësimorë kanë bërë hapa pas.

Në vitin 2015, shpenzimet publike për arsimin përfaqësonin 3.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa dhjetë vjet më vonë ky tregues qëndron pothuajse në vendnumëro, në rreth 3.2%.

Problemi nuk qëndron vetëm te niveli i fondeve, por edhe te mungesa e një lidhjeje të fortë ndërmjet sistemit arsimor, nevojave të tregut të punës dhe politikave për zhvillimin ekonomik.

Në dhjetë vitet e fundit, struktura e ekonomisë shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme, me një zhvendosje graduale nga sektorët prodhues drejt shërbimeve, turizmit dhe ndërtimit. Bujqësia ka humbur peshë në ekonomi, ndërsa industria, pas një periudhe zgjerimi, ka hyrë në një cikël rënës.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, pesha e industrisë në PBB zbriti në 10,07% në vitin 2025, niveli më i ulët që nga viti 2009. Edhe bujqësia vijoi tkurrjen, duke shënuar të pestin vit radhazi me rënie të prodhimit. Në të kundërt, ndërtimi dhe aktivitetet e lidhura me turizmin janë kthyer në nxitës të rëndësishëm të ekonomisë.

Krahasuar me vitin 2015, modeli ekonomik është orientuar më shumë drejt aktiviteteve që mbështeten te konsumi, pasuritë e paluajtshme dhe flukset turistike, ndërsa baza prodhuese mbetet e dobët. Kjo zhvendosje ngre pikëpyetje për qëndrueshmërinë afatgjatë dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë shqiptare.

Diferencat në paga tregojnë gjithashtu potencialin e sektorëve që kërkojnë fuqi punëtore më të kualifikuar. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë 2026, paga mesatare bruto në ekonomi arriti në 90,119 lekë, ku rritja më e madhe erdhi për profesionet elementare.

Financimi i pamjaftueshëm i arsimit kufizon zhvillimin e këtyre aftësive, ndërsa struktura aktuale e ekonomisë nuk krijon kërkesë të mjaftueshme për punonjës me kualifikime të larta.

Për dekada me radhë është krijuar një rreth vicioz, ku investimet e pakta në arsim kufizojnë zhvillimin e kapitalit njerëzor, ndërsa mungesa e sektorëve me produktivitet të lartë pakëson mundësitë për ta shfrytëzuar këtë kapital brenda vendit./Monitor

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.