Tirana nuk është zgjuar sot në gjendjen e saj të zakonshme. Ndryshe nga ditët e tjera, mëngjesi në kryeqytet ka zbardhur duke treguar gjurmët e protestës së dhunshme të një dite më parë që preku çdo cep të rrugëve kryesore.

Është një lloj situate pasigurie dhe në orët e para ndihej edhe një lloj habie nga kalimtarët që shihnin gjithë shkatërrimet.

Semaforë e tabela rrugore të thyera të cilat krijojnë kaos për automjetet dhe këmbësorët, kioska rrugësh e stacione autobusësh të shkatërruar e të djegur, xhama e bankomatë të thyer, pllaka trotuari që mungojnë.

Te Kullat Binjake shihen edhe më qartë pasojat që ka lënë djegia e dëmtimi i tejskajshëm bizneseve private ku nuk duket më asnjë gjurmë.

Te ‘Piramida’, një tjetër pikë e përzgjedhur nga protestuesit, disa nga kubat ku ndodheshin bizneset janë djegur, thyer e më pas grabitur, e njësoj edhe brenda.

Ndërkohë, punonjësit e bashkisë po përpiqen të pastrojnë ç’mundin, ndërsa panorama e tanishme i ka lënë vendin një gërmadhe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:22
Sulmet e protestuesve, Ministria e Drejtësisë një ‘gërmadhë’! Shkatërrohet plotësisht fasada e jashtme, zyrat në katin e parë dhe tavani (VIDEO)

 

Pamja e Ministrisë së Drejtësisë ditën e sotme, pas protestës së dhunshme të së mërkurës, i ngjason asaj të institucioneve të tjera të qeverisë që u sulmuan.

Fasada e jashtme është plotësisht e dëmtuar dhe e shkatërruar, me xhamat e thërrmuar, tavani në katin e parë është i shkëputur, pllakat janë thërrmuar dhe mobiliet janë djegur.

Ora 09:21
Shkatërrimet që lanë pas protestuesit, punonjësit e bashkisë Tiranë në punë gjatë gjithë natës për t’i ‘fshirë’

Ministrja Delina Ibrahimaj dhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla, kanë ndarë disa foto nga puna e punonjësve të bashkisë së Tiranës që përgjatë gjithë natës kanë punuar për të pastruar qytetin nga gjurmët e dëmtimeve që lanë pas protestuesit të mërkurën.

“Mirënjohje për punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët punuan gjatë gjithë natës për të pastruar gjurmët e shkatërrimeve dhe për t’i rikthyer qytetit normalitetin”, ka shkruar Ibrahimaj.

Ora 08:38
Shënjestër e protestuesve, Ministria e Ekonomisë ndër më të dëmtuara nga sulmet! Report Tv sjell pamjet, mobiliet pirg në hyrje, brenda dyer, ashensorë e pajisje të shkatërruara

Ministria e Ekonomisë duket të jetë ndër më të dëmtuarat nga sulmet e protestuesve gjatë së mërkurës që prekën 8 institucione.

Në momentin që protestuesit mësynë brenda saj, morën mobiliet që u dolën përpara duke i hedhur pirg në hyrje, aty ku kanë mbetur ende, tregojnë pamjet e Report Tv mëngjesin e sotëm.

Xhamat e dritareve janë thyer, kangjellat e tyre të shtrembëruara e deri edhe grilat janë hequr prej protestuesve, një pjesë e mirë e të cilëve ishin të maskuar.

Dyert janë shkelmuar e copëtuar, në tokë shihen copa të panumërta gurësh e pllakash që protestuesit i hidhnin si breshëri drejt godinës.

Dyshemeja është mbuluar edhe nga dheu i vazove të rrëzuara në tokë, ndërsa në zyra pajisjet si fotokopjet e kompjuterët janë shkatërruar.

Edhe një ashensor shihet të jetë dëmtuar dhe nxjerrë nga përdorimi.