LIVE-Tirana në kaos, protestuesit djegin institucione shtetërore dhe private, policia hedh gaz lotsjellës
Studentët dhe gjimnazistët kanë hyrë në ditën e tretë të protestës, e cila po përhapet edhe në qytete të tjera të vendit. Përplasjet me policinë, bojkoti i mësimit dhe dëmtimet e regjistruara gjatë dy ditëve të fundit kanë shoqëruar protestën, ndërsa kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë nga ambientet e dëmtuara të Kolegjit të Europës në Tiranë, duke akuzuar opozitën për dhunën dhe paralajmëruar përgjegjësi ligjore.
Seanca plenare e Kuvendit, e planifikuar për orën 10:00, është anuluar, ndërsa deputetët janë larguar nga godina, e cila ishte rrethuar nga forca të shumta policie në pritje të protestës së paralajmëruar nga studentët. Protestuesit janë mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kuvendit, ndërsa situata është përshkallëzuar sërish në Rrugën e Durrësit, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës, duke bërë që studentët dhe gjimnazistët të tërhiqen drejt sheshit “Skënderbej”.
Ndërkohë, protesta është shtrirë edhe në Korçë, ku të rinjtë kanë bllokuar bulevardin kryesor dhe janë drejtuar drejt Bashkisë, duke hedhur kapsolla. Më pas, situata është tensionuar pranë Drejtorisë Arsimore, ku janë thyer xhamat e godinës dhe janë hedhur sende në drejtim të saj. Policia ka ndërhyrë edhe pas tentativës së protestuesve për t’u futur në një gjimnaz.
Bojkoti i mësimit vijon edhe në Tiranë, ku gjimnazistët e “Petro Nini Luarasit” janë bashkuar me protestën, ndërsa nxënës në Kamëz kanë braktisur orët mësimore. Në Shkodër, studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja kanë bojkotuar sërish mësimin dhe kanë vendosur pankarta në shenjë solidariteti me protestuesit në kryeqytet.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 89 persona kanë marrë kujdes mjekësor pas protestës së djeshme: 61 efektivë policie dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT. Në Traumë vijojnë të jenë të shtruar katër policë dhe dy protestues, ndërsa një protestues dhe dy efektivë pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore. Dhjetë pacientët e trajtuar në QSUT janë larguar nga spitali.
Në reagimin e tij, Rama e cilësoi godinën e dëmtuar të Kolegjit të Europës si simbol të asaj që po ndodh në vend dhe deklaroi se aktet e dhunës, sipas tij, nuk përfaqësojnë studentët, por opozitën. Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për dialog me të rinjtë, ndërsa paralajmëroi se kushdo që ka shkaktuar dëme do të përballet me ligjin. Ai akuzoi gjithashtu opozitën se synon ta largojë Shqipërinë nga rruga europiane.
Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka deklaruar mbështetjen për studentët dhe gjimnazistët, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme. PD ka kërkuar gjithashtu shpërndarjen e Parlamentit aktual, duke pretenduar se nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë krizës politike dhe shoqërore.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar përshkallëzimin e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke u bërë thirrje protestuesve të shmangin aktet e dhunshme. BE-ja ka theksuar se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe se dialogu konstruktiv është rruga për adresimin e shqetësimeve.
Ndërkohë, për arsye sigurie, UEFA ka vendosur që ndeshja Egnatia–Midtjylland, e vlefshme për fazën e ligës së Conference League, të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, në vend të stadiumit të planifikuar në Tiranë. Takimi do të luhet në orën 18:45, siç ishte parashikuar.
Dita e tretë e protestës studentore zhvillohet kështu mes bojkotit të mësimit, përhapjes së protestave në qytete të tjera, përplasjeve me policinë dhe përballjes politike mes qeverisë dhe opozitës. Pas anulimit të seancës plenare dhe përshkallëzimit të situatës pranë Ministrisë së Arsimit, mbetet për t’u parë se si do të vijojnë protestat dhe nëse institucionet do t’u përgjigjen kërkesave të të rinjve.
Protestuesit edhe te Qytet Studenti, thyejnë xhamat e godinave dhe dëmtojnë ambientet
Burime bëjnë me dije se disa persona, pjesë të protestës janë shpërndarë në zonën e Qytet Studenti duke vazhduar me shaktërrimin dhe prishjen e sendeve përreth. Mësohet se nga këto dëme të shkaktuara janë edhe xhamat e thyer në disa prej godinave të Qytet Studentit.
Siç shihet në pamje, njëra nga godinat është ajo me numër 15 teksa shihen xhamat e thyer dhe godina me numër 12 që disa protestues sulmojnë me sende të forta ambientin.
Dhunë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje shërbimesh, Ambasada e SHBA-së: Tregoni kujdes për sigurinë personale
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar sërish pas përshkallëzimit të protestave dhe përplasjeve të regjistruara në disa qytete të Shqipërisë.
Përmes një njoftimi zyrtar , ambasada ka paralajmëruar qytetarët për rrezikun e incidenteve të dhunshme, duke theksuar se protestuesit kanë përdorur mjete ndezëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar pronën publike e private.
Gjithashtu, ka paralajmëruar për bllokime rrugësh dhe ndërprerje të mundshme të shërbimeve publike, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes për sigurinë personale.
Njoftimi i plotë i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:
“Demonstrata po zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Durres, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan, veçanërisht në qendrat e qyteteve dhe përreth ndërtesave qeveritare. Disa demonstrata janë shndërruar në të dhunshme. Protestuesit kanë përdorur mjete ndezëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar pronën publike dhe private. Demonstrata të tjera mund të ndodhin në ditët në vijim.
Demonstratat mund të përhapen në rrugët përreth, duke sjellë më shumë policë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Ambasada e SHBA-së në Tiranë i ka thënë personelit të saj të shmangë të gjitha zonat e demonstratave.
Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në vend të parë. Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit.
Ndikimet e parashikuara:
Shërbimet Publike – Priten mbyllje të mëtejshme ose shërbime të reduktuara në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë transportin publik, zyrat qeveritare dhe shkollat.
Veprimet që duhen ndërmarrë:
Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:
Shmangni demonstratat.
Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth. Kufizo shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik.
Monitoroni mediat lokale.
Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje.
Mbani një profil të ulët.
Tensionet në bulevard, gazetari: Policët civilë nisin shoqërimet e protestuesve
Gazetari i Euronews, Eni Ferhati, raportoi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku vijojnë tensionet mes protestuesve dhe policisë.
Ai bëri të ditur se forcat operacionale dhe policët civilë kanë nisur shoqërimet e protestuesve.
“Janë grumbulluar sërish protestuesit në bulevard. U krijua përshtypja se protesta u shpërnda, por protestuesit janë sërish në bulevard. Tentuan të afrohen pranë Kryeministrisë, por iu hodh gaz lotsjellës. Aty kaloi një automjet policie, ndërsa protestuesit e qëlluan me gurë. Kemi parë forcat operacionale, policë civilë, të cilët kanë filluar edhe shoqërimet e para. Pranë Ministrisë së Brendshme u shoqëruan dy persona. Ka pasur shoqërime edhe pranë Shallvareve. Ka thirrje nga protestuesit që të afrohen sërish te Kryeministria. Shumë prej tyre janë me maska, me ujë, me serume, të gjitha pajisjet për të përballuar reagimin e policisë. Nga ana e organeve ligjzbatuese kanë nisur hetimet në lidhje me pretendimet e policisë dhe pretendimet politike për këtë protestë”, tha ai.
Claude Haagen i OSBE-së për protestat në Shqipëri: Palët të përmbahen, dhuna nuk ka vend në demokraci
Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Claude Haagen, ka shprehur shqetësimin mbi protestat e dhunshme në Shqipëri.
Përmes një reagimi, Haagen u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të angazhohen në dialog paqësor. Ai ka theksuar se respektimi i shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe të drejtave të qytetarëve duhet të mbetet përparësi në një demokraci.
Reagimi i plotë:
“Si Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, jam thellësisht i shqetësuar nga raportimet për protesta të dhunshme në Shqipëri.
Dhuna nuk ka vend në një demokraci. U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të angazhohen në dialog paqësor.
Respektimi i shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe të drejtave të qytetarëve duhet të mbetet përparësi absolute.”
Protestuesit tentojnë sërish të shkojnë drejt Kryeministrisë, policia e mbush bulevardin me gaz
Pas më shumë se 12 orë protestë nëpër rrugët e Tiranës një numër jo i vogël protestuesish vijojnë të qëndrojnë në bulevardin dëshmorët e kombit ku herë pas herë tentojnë të afrohen drejt Kryeministrisë.
Policia është përgjigjur duke hedhur sasi të madhe gazi lotsjellës duke zmbrapsur protestuesit të cilët largohen dhe kthehen sërish pranë godinës së Kryeministrisë.
Kryenegociatorja për integrimin reagon për protestën: Të ndërtojmë ura dialogu, BE destinacioni ynë
Kryenegociatorja e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, ka reaguar me një mesazh pas protestave që kanë përfshirë kryeqytetin. Ajo thekson se Bashkimi Europian është destinacioni i Shqipërisë, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të ndërtojnë ura dialogu.
Mesazhi i plotë
“Bashkimi Europian është destinacioni ynë – Familja Europiane është përkatësia jonë çdo ditë, edhe sot!
Protesta dhe zëri i qytetarëve na kërkojnë të reflektojmë me përgjegjshmëri të lartë mbi Shqipërinë europiane që duam e po ndërtojmë me atdhetari, vendin ku zëri i qytetarëve dëgjohet, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës është mbi çdo interes.
Të jesh europian do të thotë të kesh guximin të ngresh zërin, urtësinë të respektosh ligjin dhe forcën të mos e kthesh dallimin në largësi mes nesh.
Paqja nuk është heshtje, as urtësia indiferencë. Ato janë forca për të mbrojtur vlerat europiane, respektin njerëzor dhe Shqipërinë.
Shqipëria i përket familjes europiane nga aspirata e të gjithë shqiptarëve, si dhe nga vlerat me të cilat zgjedh të jetojë çdo ditë.
Sot jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës europiane mbi 30-vjeçare! Ky është një moment historik për të gjithë!
Së bashku, lutem, të ndërtojmë urat e DIALOGUT dhe çdo hap drejt Familjes së Përkatësisë – Bashkimit Europian!”, shkruan ajo.
Policia ndërhyn për të shoqëruar protestuesit të Parku Rinia, qëllohet me gur në drejtim të tyre
Një situatë e tensionuar është krijuar mbrëmjen e së enjtes në zonën pranë Tajvanit, te Parku Rinia ku u zhvendosën një pjesë e protestuesve.
Policia ka tentuar disa herë të ndërhyjë për të shoqëruar protestuesit të cilët vazhdimisht kanë qëlluar me gur dhe sende të të forta në drejtim të efektivëve.
Ndërkohë, edhe policia ka hedhur gurë mbrapsht ndaj protestuesve, por është detyruar të zmbrapset.
Protestuesi i lënduar dhe me pranga paraqitet në Spitalin e Traumës
Një protestues i lënduar gjatë protestës në Tiranë është paraqitur me pranga në Spitalin Universitar të Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor edhe persona të tjerë të lënduar gjatë përplasjeve të ditës së sotme. I lënduari shihet gjithashtu i shoqëruar nga dy efektivë policie në krah.
Sipas njoftimit zyrtar të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” , në këtë spital nuk ka aktualisht persona të lënduar që po marrin trajtim mjekësor.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar gjithsej 26 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe kalimtarë të rastit.
A do të krijojnë një forcë të re politike? Studentja Emi Meçani tregon kërkesat e protestuesve
E ftuar në një lidhje live në “Tonight” me Mirela Milorin ishte studentja Emi Meçani, e cila tha se kërkesa kryesore e studentëve protestues është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhjet e parakohshme me një Kod të ri Zgjedhor.
“Kam qenë në protestë që ditën e parë dhe do të jem deri në ditën e fundit. Jemi të gjithë të lodhur, nuk mundemi më të jetojmë. Realisht, e gjithë jeta e Shqipërisë dhe e Tiranës po na mbyt të gjithëve, si studentë dhe si qytetarë. Ne kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit dhe të kalojë vendi në zgjedhje elektorale me një Kod të ri Zgjedhor. Sepse nuk ka më sens për ne të ulemi me kryeministrin në një tavolinë me kërkesa që ne kemi tetë vjet që ia kemi kërkuar. I kemi kërkuar konvikte, bursa studimi, ushqim, stresim për studentët që vijnë nga rrethet. Jemi lodhur të gjithë duke shkuar atje, duke iu lutur atij të na i japë. Nuk ka më sens që ne t’i lutemi kryeministrit. Ne do të vazhdojmë derisa ai të japë dorëheqjen. Nëse ai nuk e jep dorëheqjen, jam e sigurt që situata do të përkeqësohet”, tha studentja Emi Meçani.
E pyetur nga moderatorja Mirela Milori nëse studentët do të krijojnë një formacion të ri politik, Meçani tha se nuk ka informacion në lidhje me këtë.
“Rama do e përdorë dhunën e protestës”, Hasimja: Zgjidhja është të dorëhiqet!
Pedagogu Ermal Hasimja tha në një intervistë për Euronews Albania se zgjidhja e vetme në situatën aktuale me protestën në Tiranë është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij kryeministri Rama do ta përdorë dhunën e të rinjve gjatë 3 ditëve të protestës në Tiranë në favor të tij.
“Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, nuk mendoj se është aq e lehtë të anashkalohet me masa të tipit shkarkimi apo zëvendësimi i një ministri. Rama do t’i përdorë këto, është duke e vënë theksin te elementi i dhunës. Ajo që është zgjidhja dhe do ta qetësonte menjëherë situatën është dorëheqja. Kjo është e thjeshtë dhe nuk do të ishte rasti i parë, paçka se në Shqipëri apo jashtë, kur një kryeministër sheh që vendi rrezikon, për hir të paqes sociale mund të japë dorëheqjen, duke pasur parasysh se nuk janë 10-20 veta që po e kërkojnë këtë dhe jo 10-20 veta me lule”, tha Hasimja.
QSUT përditëson gjendjen e të lënduarve nga protesta: 26 persona të trajtuar, dy efektivë nën kujdesin mjekësor
QSUT nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka përditësuar gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, ora 19:15.
Në deklaratë thuhet se në Spitalin Universitar të Traumës gjatë ditës së sotme janë trajtuar 26 të lënduar: efektivë policie, protestues e kalimtarë. Janë nën kujdesin mjekësor dy efektivë policie. Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.
Efektivi me inicialet F.R., i ardhur nga Shkodra, i është nënshtruar ndërhyrjejes kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë, nga ku pritet reagimi.
Gjithashtu, 2 protestues janë nën kujdesin mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore, dhe stabël për momentin.
Pak minuta më parë kanë mbërritur 3 kalimtarë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas njoftimit, në QSUT nuk ka asnjë të lënduar aktualisht.
Aktivistja e lënduar në protestë nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirugjikale, efektivi i Shkodrës operohet me sukses
Aktivistja Eva Pango, e cila po merr trajtim mjekësor, për momentin nuk paraqet indikacion për ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas informacionit mjekësor, gjendja e saj do të ndiqet në dinamikë nga ekipi i neurokirurgëve, të cilët do të vendosin për një ndërhyrje të mundshme në varësi të ecurisë klinike.
Aktivistja u lëndua gjatë protestës nga bombula e gazit lotsjellës nga ku pësoi gjakderdhje dhe menjëherë u dërgua në spital.
Ndërkohë, nga ana tjetër operacioni i efektivit të Policisë në Shkodër ka përfunduar me sukses.
Ai u godit me gur në kokë nga protestuesit që ndodheshin përpara policisë vendore të Shkodrës.
Vijojnë tensionet në protestë, digjen një kioskë tjetër në bulevard
Vijon të jetë e tensionuar protesta e nisur në kryeqytet mëngjesin e së enjtes. Protestuesit janë grumbulluar në orët e mbrëmjes përgjatë bulevardit dëshmorët e kombit aty ku i kanë vënë zjarrin disa kioskave në krah të bulevardit.
Policia ka krijuar një kordon para Kryeministrisë, ndërsa vazhdimisht drejt godinës qeveritare janë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta nga ana e protestuesve.
Tensione në Tiranë, protestuesit rikthehen në bulevard dhe qëllojnë policinë, efektivët tërhiqen
Pasi policia i shpërndau me ujë dhe gaz lotsjellës, protestuesit janë rikthyer sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë nisur të sulmojnë efektivët me gurë dhe sende të forta. Ndërkohë, efektivët e policisë kanë nisur të tërhiqen.
OSBE reagon për protestat në Shqipëri: Nevojitet qetësi dhe dialog, jemi të gatshëm të ndihmojmë
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Shqipëri pas protestave të ditëve të fundit, duke mbështetur thirrjen e Presidentit Bajram Begaj për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës.
Përmes një njoftimi zyrtar, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë të ditur se është e gatshme të ndihmojë në lehtësimin e dialogut mes palëve, nëse një gjë e tillë kërkohet.
Njoftimi i plotë:
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret mesazhin e sotëm të Presidentit Begaj.
Ne i bashkohemi thirrjes për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në lehtësimin e një dialogu të tillë, nëse na kërkohet.
The OSCE Presence in Albania ëelcomes President Begaj’s message from today.
We share in the call for calmness and comprehensive dialogue and stand ready to assist in the facilitation of any such dialogue, if so requested
Vjen reagimi i parë nga biznesi, sipërmarrësi Eglent Bici: Po sikur të kisha qenë brenda?
Eglent Bici sipërmarrës në pasuritë e paluajtshme ka reaguar përmes një statusi pas shkatërrimit masiv ndaj bizneseve në 3 ditë protesta në Tiranë.
Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook sipërmarrësi shprehet se mbështet të drejtën e studentëve për të protestuar.
“Por asnjë kauzë nuk të jep të drejtën të hysh në pronën time, të shkatërrosh punën time dhe të rrezikosh njerëzit që mund të ndodhen brenda”, nënvijëzon Bici.
Statusi i plotë në Facebook
MË KENI HYRË NË BIZNES. MË KENI PREKUR SHTËPINË. MË KENI DHUNUAR!
Mbrëmë gjithë natën dhe sot mes dëmeve, thyerjes, shkatërrimit dhe vjedhjes në zyrën tonë më rri në mendje një pyetje:
Po sikur të kisha qenë brenda?
Po sikur në ato momente të kishte qenë aty një nga kolegët e mi? Po sikur të kishim qenë ende duke punuar, siç na ndodh shpesh deri vonë?
Çfarë do të kishte ndodhur? Çfarë do të më kishit bërë nëse do t’ju kisha dalë përpara dhe do t’ju kisha thënë: “Ndal! Kjo është prona ime. Kjo është puna ime. Nuk keni të drejtë ta prekni!”?
Nuk e di përgjigjen. Dhe pikërisht kjo më trondit më shumë se dëmet materiale.
Ju keni hyrë brenda, deri në katin e dytë. Keni dëmtuar kompjutera, keni shpërndarë dokumente, keni thyer dhe keni hedhur sende përtokë, keni marrë edhe vulën. Pse?
Çfarë ju kishte bërë ajo zyrë? Çfarë ju kishim bërë ne?!
Për mua, biznesi është shtëpi. Në disa kuptime, ta prekësh është edhe më rëndë: sepse nga puna aty mbahet shtëpia. Aty sigurojmë të ardhurat, mbajmë familjet, ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ne kalojmë aty më shumë se gjysmën e kohës sonë aktive. Aty kemi gëzimet, shqetësimet, lodhjen, shpresat. Aty ka ditë të bukura dhe net pa gjumë. Ka vite pune që nuk duken kur sheh vetëm një tavolinë, një kompjuter apo një tabelë me emrin MEI Realty.
Ju shihni sende për të thyer dhe shkatërruar; Unë shoh vite të tëra të jetës sime. Shoh mundin e kolegëve të mi. Shoh përgjegjësinë që kemi ndaj familjeve tona.
Për mua, kjo është e shenjtë.
Prandaj sot jam i zemëruar. Jam i lënduar. Ndjehem i vrarë në dinjitet. Dhe refuzoj ta kaloj këtë me një ngritje supesh: “Kështu ndodh në protesta.”
Jo! Nuk duhet të ndodhë. Dhe nuk duhet të mësohemi me të! Refuzoj ta pranoj.
Të protestosh është e drejtë dhe mbështes protestën dhe studentët. Por asnjë kauzë nuk të jep të drejtën të hysh në pronën time, të shkatërrosh punën time dhe të rrezikosh njerëzit që mund të ndodhen brenda.
Nuk i fus të gjithë protestuesit në një thes. Por ata që hynë dhe shkatërruan zyrën time u sollën si huliganë. Dhe emri i asnjë proteste nuk ua fshin përgjegjësinë.
Edhe kazanët, semaforët dhe rrugët janë të komunitetit tonë. I paguajmë ne. I përdorim ne. Shkatërrimi i tyre godet jetën tonë të përditshme.
Kërkoj që autorët të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Nëse pas tyre ka njerëz që i kanë paguar, nxitur apo organizuar, të hetohen edhe ata. Deri në fund.
Por sot, mbi të gjitha, dua t’u flas si njeri atyre që e bënë këtë:
Si do të ndiheshit nëse dikush do t’ju hynte në shtëpi dhe do t’ju hidhte gjithçka përtokë? Nëse do të shkelte me këmbë punën e prindërve tuaj? Nëse brenda do të ishte njeriu juaj i dashur?
Kështu ndihem unë sot.
JU NUK MË PËRFAQËSONI. Dhuna juaj nuk ka mbështetjen time. Dhe heshtjen time nuk do ta keni edhe nëse vini përsëri dhe e shkatërroni zyrën fare.
Zyrën do ta rregullojmë. Do të ngrihemi nesër dhe do të punojmë përsëri. Por askush të mos e ngatërrojë forcën tonë për të vazhduar me pranimin e asaj që na bëtë.
PRONA IME, PUNA IME DHE SIGURIA E NJERËZVE TË MI NUK JANË SHESH PËR DHUNËN E ASKUJT.
Peleshi shtyn me një javë seancën plenare: Thirrje për qetësi dhe dialog, të mbajmë larg dhunës të miturit
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka njoftuar shtyrjen me një javë të seancës plenare, për shkak të situatës së tensionuar dhe akteve të dhunës gjatë protestave në vend.
Në reagimin e tij, Peleshi u ka bërë thirrje politikës dhe qytetarëve për përmbajtje, reflektim dhe dialog, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së rendit publik,
Ai ka shprehur gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të rinjve dhe të miturve në episode dhune, duke kërkuar që ata të mbrohen nga urrejtja dhe përplasjet.
Deklarata e plotë:
Çmoj si detyrim shtetëror dhe kombëtar të ndaj me opinionin publik një sqarim për ditën e sotme, ditë seance plenare për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe një qëndrim për situatën që po kalon vendi.
Me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë, ku çdo deputet të ketë hapësirën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën e tij shtetërore, përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve; në dritën e të dhënave shqetësuese nga institucionet ligjzbatuese për skenarë të rrezikshëm që po cenojnë rëndë rendin, sigurinë dhe qetësinë publike në vendin tonë dhe për të mos dhënë asnjë shkas për provokim, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot.
Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe.
Jetojmë në demokraci. Kemi orientime politike të ndryshme. Kemi interesa të ndryshme. Grindemi, zemërohemi, protestojmë. Por mbi çdo ndryshim qëndron një interes i përbashkët kombëtar, një tokë e përbashkët: Shqipëria jonë.
Studentët, nxënësit dhe fëmijët tanë do ta trashëgojnë këtë vend, e bashkë me të edhe përgjegjësinë për ta bërë më të mirë.
Ata kanë të drejtë të kërkojnë prej nesh më shumë dhe më mirë.
Kanë të drejtë të dëgjohen më shumë.
Kanë të drejtë të ulen më shpesh në tryezat e përbashkëta që i fituan vetë duke ngritur zërin, si Tryeza e Paktit për Universitetin.
Studentët tanë do të jenë shqiptarët e parë që do të dalin në jetë si europianë, pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian.
Prandaj ngjarjet e fundit të dhunës, djegieve dhe grabitjeve, që qëllimisht po u vishen atyre, janë një dëm i madh për të gjithë ne.
Shqipëria ka pritur shumë.
Shqipëria ka punuar shumë.
Shqipëria e meriton të hyjë në BE si e barabartë.
Asgjë nuk është e garantuar, sepse ky proces nuk është vetëm në duart tona dhe jo të gjithë janë miq e dashamirës. Kjo vlen aq më tepër në një kohë gjeopolitike plot tensione dhe lojëra influence, veçanërisht në rajonin tonë të trazuar të Ballkanit Perëndimor.
Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI.
Ndaj, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, si qytetar dhe si student i Dhjetorit ‘90, bëj thirrje për përmbajtje dhe reflektim.
Shoqëria jonë duhet ta mbajë frymën dhe të reagojë njëzëri për t’i mbajtur larg dhunës të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve.
Ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ata nuk duhet të formohen nga dhuna e rrugës. Ata nuk duhet të lihen në duart e forcave të errëta, me qëllime aspak shqiptare.
Këtu duhet të jemi të gjithë bashkë, pa dallime politike: demokratë, socialistë apo të paangazhuar. Fëmijët janë interesi më i lartë i një vendi. Ashtu siç edukohen sot, ashtu do të jetë Shqipëria nesër.
Edhe një herë, t’i thërrasim arsyes. Të tregojmë se fatin e vendit tonë e mbajmë në duart tona, përkrah aleatëve tanë strategjikë, me idealin e shqiptarizmës së Rilindasve në zemër.
Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë.
Vijojnë tensionet në Tiranë, protestuesit i vënë flakën një kioske ambulante pranë Piramidës
Vijojnë tensionet në kryeqytet nga protesta. Disa prej pjesëmarrësve i kanë vënë flakën një kioske ambulante përballë Piramidës. Ndërkohë, ata po qëndrojnë në bulevard, pranë Piramidës, ndërsa policia ka krijuar një kordon para Kryeministrisë.
Dëmtimet e objekteve të trashëgimisë kulturore, Gonxhja thirrje prindërve: Flisni me fëmijët tuaj
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u ka bërë thirrje prindërve që të flasin me fëmijët e tyre pas dëmtimeve të raportuara ndaj pasurive kulturore dhe historike gjatë protestave në Tiranë dhe Durrës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja thekson se protesta nuk duhet të shndërrohet në vandalizëm, ndërsa nënvizon se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi e përbashkët.
Ministri u bën thirrje prindërve të ndërgjegjësojnë fëmijët për rëndësinë e ruajtjes së pasurive publike, duke theksuar se asnjë pakënaqësi nuk justifikon shkatërrimin e objekteve që i përkasin të gjithë shoqërisë.
Postimi i plotë i ministrit Gonxhja
Të dashur prindër,
Pamjet që po shohim duan reagimin tuaj!
Mes turmës, të mitur e adoleshentë po dëmtojnë pasuri publike, institucione kulturore e trashëgimi historike, muze, teatro, biblioteka, objekte kulti
Si fëmijë, përgjegjësia fillon nga familja.
Flisni me ta. Për t’u kujtuar një kufi që nuk duhet kapërcyer:
Asnjë zemërim nuk justifikon shkatërrimin e asaj që u përket të gjithëve, sot e nesër!
Në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”; hapësira të Teatrit të Kukullave; Muzeut Historik Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare. Është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, monument unikal kulture i kategorisë 1! Në Durrës janë shkatërruar vepra e instalacione të Bienales së Artit!
Një muze nuk është i një qeverie.
Një teatër nuk është i një partie.
Një monument kulture nuk është kundërshtari a shënjestra e askujt.
Këto janë pasuri publike kombëtare. Janë tempujt e artit, kulturës dhe kujtesës sonë kolektive. Janë vende ku shkohet për të mësuar historinë e festuar krijimtarinë.
Të dashur prindër, flisni me fëmijët tuaj!
Të protestosh nuk do të thotë të vandalizosh!
Qëndrimet politike mund të na ndajnë; përgjegjësia për ta mbrojtur historinë dhe kulturën duhet të na bashkojë!
Anarkia e kaosi duhet t’i japin vendin arsyes!
Policia boshatis bulevardin nga protestuesit, ndërhyn me ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës
Policia ka boshatisur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga protestuesit, pasi ka ndërmarrë një inkursion ndaj tyre me makinën ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës. Protestuesit janë shpërndarë përgjatë bregut të lumit Lana, pranë Tajvanit.
U sulmua nga protestuesi, blindohet Bashkia e Shkodrës
Bashkia e Shkodrës ka vesh me vetrata hekuri dritaret pasi u sulmua ditën e sotme me gur dhe sende te forta nga protestuesit.
Protesta e studentëve të enjten u shënua edhe në Shkodër, ku situata u tensionua me sulme ndaj godinës së Bashkisë dhe godinave të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Zhvillimi vjen në ditën e tretë të protestave të gjimnazistëve dhe studentëve, të cilat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Ministria e Shëndetësisë: Efektivi nga Shkodra i nënshtrohet operacionit, protestuesja nën monitorim intensiv
Ministria e Shëndetësisë ka bërë një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës.
Në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin kujdes mjekësor dy efektivë policie. Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore, bën me dije MSH.
Ndërkohë, efektivi F.R., i ardhur nga Shkodra, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë.
Në të njëjtin spital po marrin trajtim mjekësor edhe katër protestues, të cilët paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake, protestuesja me inicialet E.P. ndodhet nën monitorim intensiv. Ajo është e vetëdijshme dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.
Sa i përket Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, bëhet e ditur se aktualisht nuk ka persona të lënduar që po marrin trajtim mjekësor në këtë institucion.
Shoqatat e biznesit kërkojnë mbrojtjen e pronës, Dhoma e Tregtisë: Shkatërrimi i papranueshëm
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me shoqatat e biznesit, ka reaguar përmes një deklarate ndaj akteve të dhunës dhe dëmtimit të pronës gjatë protestave në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë paqësore, ruajtjes së rendit dhe garantimit të sigurisë së qytetarëve dhe bizneseve.
Në deklaratë shprehet shqetësimi për sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare, ndërtesave dhe objekteve të përfaqësimit të biznesit. Gjithashtu, u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e rendit, ndërsa kërkohet që autorët e akteve të dhunës të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit.
Tensione në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, policia hedh gaz lotsjellës, protestuesit kundërpërgjigjen me gurë
Vijon situata e tensionuar në Tiranë, ndërsa ora shënon 17:30. Protestuesit janë mbledhur në grupe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku forcat e policisë kanë hedhur gaz lotsjellës. Ndërkohë, protestuesit po ua kthejnë mbrapsht dhe po qëllojnë me gurë në drejtim të policisë.
Albana Koçiu reagon për protestën në Tiranë: Të rinjtë të mos përdoren për beteja politike
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sërish për protestën që po zhvillohet prej tri ditësh në Tiranë, duke bërë thirrje që të rinjtë dhe të miturit të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos përdoren për beteja politike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu e ka cilësuar shqetësuese situatën e krijuar në rrugët e kryeqytetit, veçanërisht për shkak të pranisë së të rinjve dhe të miturve në skenat e dhunës.
Zëvendëskryeministrja thekson se asnjë përplasje politike nuk duhet të vihet mbi sigurinë e të miturve dhe se çdo prind dëshiron që fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.
“Pavarësisht bindjeve politike, të gjithë kemi të njëjtin shqetësim: sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Pamjet e dhunës në rrugët e Tiranës janë shqetësuese, sidomos kur mes tyre shohim të rinj dhe të mitur.
Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehen dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Por askush nuk duhet t’i përfshijë në dhunë apo t’i përdorë për beteja politike.
Në fund të ditës, çdo prind dëshiron që fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.
Asnjë betejë politike nuk vlen më shumë se jeta, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, shkruan Koçiu në Facebook.
Turma e protestuesve marshon drejt Rrugës së Elbasanit, policia i zmbraps me gaz lotsjellës
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të zmbrapsur një turmë të madhe protestuesish në Rrugën e Elbasanit
Protestuesit janë ndalur te një bankë e nivelit të dytë, përballë Ambasadës Amerikane, dhe e kanë shkatërruar atë.
Më tej ata kaluan ambasadën amerikanë duke vijuar marshimin në drejtim të qyteti studenti por janë kthyer mbrapsht pasi policia ka ndërhyrë duke hedhur një sasi të madhe gazi lotsjellës.
Protestuesit thyejnë dyert dhe xhamat e një banke në Tiranë, nxjerrin dokumentet jashtë
Protesta vijon në Tiranë, ndërsa një grup protestuesish janë pozicionuar në rrugën e Elbasanit. Gjatë marshimit në këtë rrugë, disa prej tyre kanë thyer dyert dhe xhamat e një banke private dhe janë futur brenda saj, duke nxjerrë jashtë shkresa dhe dokumente.
Ambasada e SHBA-së paralajmëron për protestat në Tiranë: Shmangni demonstratat dhe tregoni kujdes
Ambasada amerikanë në Tiranë ka reagoi sërish pas përplasjeve të shënuara pasditen e së enjtes gjatë protestës së nisur në Rrugën e Durrësit dhe të zhvendosur në disa zona të Tiranës.
Përmes një mesazhi drejtuar shtetasve amerikanë në Tiranë ambasada thekson se protesta është shndërruar në akte të dhunshme dhe rrezikon të përhapet.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale
Njoftimi i plotë:
Demonstratat në Tiranë, të nisura në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, si dhe në zonën përreth ndërtesave qeveritare, janë përshkallëzuar në dhunë, duke përfshirë përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.
Demonstrata të tjera mund të zhvillohen gjatë ditëve në vijim.
Protestat mund të shtrihen edhe në rrugët përreth, duke sjellë prani të shtuar të forcave të policisë, probleme me qarkullimin, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.
Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata.
Ju lutemi të qëndroni vigjilentë dhe t’i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.
Masat që duhen marrë:
Rrisni masat e sigurisë personale duke ndjekur këto këshilla:
Shmangni demonstratat.
Jini të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve në ambiente publike.
Ndiqni mediat lokale.
Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një strategji për t’u larguar nga zona në rast rreziku.
Shmangni tërheqjen e vëmendjes dhe mbani një profil të ulët
Përplasje të Rruga e Elbasanit, plagoset në kokë një vajzë, dyshohet se u godit nga bombola e gazit lotsjellës
Përplasje të ashpra janë shënuar pasditen e së enjtes mes policisë dhe protestuesve që janë zhvendosur në rrugën e Elbasanit.
Gazetarët e Euronews Albania raportuan se një vajzë ka mbetur e plagosur në kokë nga një bombol gazi të hedhur nga policia për gazin lotsjellës.
Për shkak të gjakderdhjes së madhe, ajo u transportua me urgjencë në spital për marrjen e ndihmës mjekësore.
Protestuesit sulmojnë sërish policinë me molotovë dhe fishekzjarrë
Dita e tretë e protestës është shënuar sërish me tensione të larta teksa protestuesit të maskuar po shkatërrojnë gjithçka që u del para.
Të shpërndarë në grupe, që prej orës 09:00 të mëngjesit, protestuesit po lëvizin nëpër Tiranë duke sulmuar disa prej institucioneve dhe policëve, me gurë e sende të forta.
Aktualisht ata po qëllojnë ende drejt efektivëve me molotovë dhe fishekzjarrë.
MSH: 14 të lënduar gjatë protestës, 8 efektivë policie dhe 4 protestues marrin ende trajtim mjekësor
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka dhënë informacionin më të fundit mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës.
Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej 14 persona të lënduar, mes tyre 8 efektivë policie, 4 protestues dhe 2 të mitur.
Aktualisht, në këtë spital vijojnë të marrin kujdes mjekësor 4 efektivë policie. Dy prej tyre janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një efektiv nga Shkodra ndodhet nën monitorim intensiv.
Gjithashtu, në spital po marrin trajtim mjekësor edhe 4 protestues, të cilët, sipas ministrisë, janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Sa u përket të miturve, njëri prej tyre është larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm. Largimi është bërë i shoqëruar nga prindi dhe nën kujdesin e ekipit mjekësor, me praninë e një psikologu.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur vetëm një efektiv policie, i cili, pasi ka marrë trajtimin mjekësor, është larguar sipas rekomandimit të mjekëve.
Informacioni i Ministrisë së Shëndetësisë i referohet situatës deri në orën 16:15.
Sulmi ndaj PD-së në Shkodër, Berisha: Asnjë provokacion i Ramës nuk do ta lëkundë mbështetjen për studentët
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga selia blu lidhur me sulmin e protestuesve ndaj selisë së PD-së në Shkodër. Berisha e cilësoi ngjarjen si një provokacion nga kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestën e të rinjve deri në fitore dhe largimin e kryeministrit.
“Jam këtu për të paralajmëruar Edi Ramën se asnjë lloj provokacioni i ulët, i llojit që organizoi në Shkodër ndaj selisë së PD-së, nuk do të lëkundë kurrë, deri në fitore, mbështetjen totale të PD-së për revoltën studentore”, tha Berisha.
Rama publikon videon, familjarët takojnë policin e Shqiponjave në protestë
Kryeministri Edi Rama ka postuar në faqen e vet një Facebook një video që tregon një polic të Shqiponjave teksa takohet me familjarët e vet.
Respekt, shkruan Rama krahas videos të publikuar në rrjetin e vet social.
Ndërkohë që nga mëngjesi i së enjtes nëpër rrugët e Tiranës zotëron kaosi për shkak të protestës që është përhapur në disa zona teksa studentëve u janë bashkuar edhe shumë gjimnazistë që kanë bojkotuar mësimin.
Situata nga protesta, reagon PS: Shqiptarët nuk do të jenë pengje të së shkuarës
Partia Socialiste e Shqipërisë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e përshkallëzuar nga protestat në Tiranë.
Në reagimin e saj, PS-ja thekson se shqiptarët nuk do të jenë pengje të së shkuarës ndërsa postimi shoqërohet me një video të përplasjeve mes protestuesve dhe policisë.
Reagimi i plotë
“Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit dhe gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë sigurisht që do paguajë. Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Shqiptarët kurrë më nuk do të jenë pengje të së shkuarës. E ardhmja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet në reagimin e Partisë Socialiste.
I riu përballë policisë me karrige: Nuk i trembem dhunës, jam këtu për Shqipërinë, le të më arrestojnë
Në formë simbolike për të qenë në vijën e parë të policisë ka qëndruar një i ri, i cili sipas raportimeve qëndron i pashqetësuar pavarësisht presionit të ujit nga ana e policisë.
I pyetur nga gazetari Ardit Hoxha se çfarë domethënie ka qëndrimi me karrige përpara efektivëve, i riu thotë se kjo është një mënyrë për ti treguar që nuk i trembet as dhunës, as policisë dhe këtë metodë ka zgjedhur pas disa ditëve protestë paqësisht.
“Nuk i kemi frikë, jemi këtu për Shqipërinë jo për Edi Ramën. Rama të tërhiqet sa më shpejt për të mirën e kombit, sepse është duke e shkatërruar vetë. Është e keqe që na e ka bërë për 35 vite. Jam nga Lapraka, kam 135 ditë që protestoj paqësisht dhe këto tre ditë në këtë formë. Unë kam mënyrën time tu dal përpara, nëse më arrestojnë, le të më arrestojnë. Nuk e kam frikë dhunën e atyre”, tha ai.
Skënder Hita: 71 efektivë të plagosur në protestë. Policia nuk tërhiqet, do përballeni me ligjin
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha në një konferencë për shtyp nga ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit se 71 efektivë police kanë mbetur të dëmtuar në aktet e dhunës në 3 ditët e protestës në Tiranë.
Hita i bëri thirrje prindërve dhe pedagogëve të mos lejojnë që fëmijët dhe nxënësit të përdoren si mburojë për aktet e dhunës ndaj institucioneve dhe pronës private.
“Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me valë dhune, zjarrvënieje dhe shkatërrimi, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në këto ngjarje janë plagosur 71 efektivë, disa prej tyre me dëmtime të rënda. Policia garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht, por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën dhe shkatërrimin e pronës.
Çdo sulm ndaj uniformës së Policisë është sulm ndaj shtetit ligjor dhe shtetit. Kush ka ushtruar dhunë ndaj Policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin. Ju kërkoj që të tregoni profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe të mos provokoheni, por mos u tërhiqni.
Pjesëmarrësve u bëj thirrje të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm. Përgjegjësia është individuale. Do të përballeni me ligjin. Ndaloni dhunën ndaj Policisë! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Mesazhi është i qartë dhe i prerë: Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen me dobësinë. Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen”, thotë Hita.
U godit me gur në kokë, Komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës në gjendje të rëndë
Komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës, Fasli Rama është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Efektivi i policisë është dërguar me urgjencë drejt Tiranës për shkak se rrezikon jetën duke qenë se ka një plagë të rëndë në kokë.
Komandanti u godit me gur në kokë nga protestuesit që ndodheshin përpara policisë vendore të Shkodrës.
Gjatë një përleshje me efektivët, punonjësi i policisë Fasli Rama mori goditje të fortë në kokë duke qenë në gjendje të rëndë për jetën.
Dhoma e Tregtisë në Tiranë: Bizneset nuk duhet të bëhen shënjestër e tensioneve politike
Në reagimin e saj, Dhoma thekson se protesta paqësore është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike, por nënvizon se asnjë pakënaqësi apo përplasje politike nuk mund të justifikojë dhunën, zjarrvënien dhe vandalizmin.
“Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike”, thuhet në reagim, ku theksohet se pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj.
Sipas Dhomës së Tregtisë, dëmtimi i bizneseve prek jo vetëm pronarët, por edhe punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit, ndërsa shkatërrimi i pronës publike rëndon mbi të gjithë taksapaguesit.
Në përfundim, Dhoma i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa konkrete për parandalimin e akteve të dhunës, forcimin e sigurisë në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrjen në kohë për mbrojtjen e jetës dhe pronës publike e private.
Përfundon pas 5 orësh protesta në Korçë mes tensioneve dhe përplasjeve, mbi 20 të rinj të shoqëruar
Gjatë protestës, disa prej akseve rrugore në qytet u bllokuan, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Nga incidentet u raportuan dëmtime në ambientet e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, Drejtorisë Arsimore dhe Bashkisë së Korçës.
Përplasjet sollën edhe persona të lënduar nga të dyja palët, mes tyre efektivë policie dhe protestues.
Ndërkohë, mbi 20 të rinj janë shoqëruar në komisariat, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e plota të incidenteve të regjistruara gjatë tubimit.
Protesta studentore në Durrës, 5 policë të plagosur dhe mbi 10 të shoqëruar
Sipas raportimeve, nga përplasjet gjatë protestës kanë mbetur të plagosur 5 efektivë policie.
Ndërkohë, policia ka ngritur barrikada rreth 50 metra larg godinës së saj, pasi protestuesit kanë hedhur gurë dhe pllaka trotuari në drejtim të efektivëve.
Policia apel prindërve pas protestave: Mos lejoni që fëmijët të gjenden mes përplasjeve
Në një deklaratë për mediat, policia shprehet se në disa raste të miturit janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar ndaj sendeve të forta, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.
Uniformat blu u bëjnë thirrje prindërve të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve, veçanërisht në rastet kur ata mungojnë në shkollë, duke theksuar se siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët.
Policia shpreh gjithashtu shqetësimin për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, për qëllime të caktuara. Sipas saj, çdo rast i dyshuar i nxitjes apo shfrytëzimit të fëmijëve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente.
“Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Policia thekson se respekton të drejtën për protestë paqësore, por paralajmëron se do të marrë masat e nevojshme dhe proporcionale për të garantuar sigurinë publike.
Në fund, u bën thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të ndalojnë aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.
Shoqërime masive të studentëve gjatë protestës në Korçë, të rinjtë kundërshtojnë policinë (VIDEO)
Vijojnë shoqërimet masive të të rinjve gjatë protestës studentore në Korçë.
Sipas pamjeve, ka përplasje mes policisë dhe protestuesve, të cilët kundërshtojnë shoqërimin e tyre.
Mes thirrjeve për lirimin e shokëve të shoqëruar, disa studentë po kundërshtojnë me forcë ndërhyrjen e policisë dhe shoqërimin e tyre.
Bizneset marrin masa për shkak të protestave, shihen duke u vënë qepena dyqaneve (VIDEO)
Këto masa sigurie vijnë pas incidenteve të regjistruara gjatë orëve të fundit, ku disa të rinj kanë sulmuar dhe dëmtuar pronën private, si dhe disa objekte të institucioneve publike.
Për të parandaluar dëmtime të mëtejshme materiale, bizneset kanë pezulluar aktivitetin dhe po marrin masa. Ndërkohë, në terren ndodhen forca të shumta të Policisë së Shtetit për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Protesta përfshin Kukësin, të rinjtë mblidhen para Bashkisë në shenjë solidariteti me Tiranën
Sipas pamjeve, një grup të rinjsh kanë dalë në sheshin përpara Bashkisë, ku, krahas thirrjeve, kanë hedhur edhe lëndë plasëse dhe tymuese.
Tensione dhe përplasje te selia e PS, policia hedh gaz lotsjellës ndaj protestuesve
Gazi ka sjellë një reagim të menjëhershëm pasi protestuesit shihen duke vrapuar për t’u larguar. Policia ndodhet në terren dhe në gatishmëri teksa protestuesit ende vijojnë duke djegur sende në rrugë.
Berisha-Ramës: Jep dorëheqjen! Kërkesë ultimative e protestës studentore, opozitës dhe mbarë shqiptarëve
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së i bëri sërish thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke theksuar se ai është tërësisht i pashpresë dhe se kjo është kërkesa ultimative e protestës studentore, opozitës dhe mbarë shqiptarëve.
“U bëj thirrje mjekëve, infermierëve që të solidarizohen me studentët. Ju jeni dëshmitarë se ku e katandisi narkoregjimin sistemin shëndetësor. Ndërgjegjja juaj profesionale nuk mund t’u lejojë ju të jeni kurrë as indiferentë, as edhe kundër studentëve.
Ndaj dhe, në këtë orë të historisë, çdo shqiptar midis narkoregjimit të urryer dhe studentëve, realisht liberatorë duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Indiferenca është zgjedhja më e keqe. Ndaj bashkohuni me protestuesit. PD mbështet fuqishëm kërkesat e lëvizjes studentore. Dhe njëherë, i kërkon Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen. Është tërësisht i pashpresë.
Por në qoftë se i ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye njerëzore, të gjejë kurajë dhe të japë dorëheqjen. Të mos pësojë atë fat që diktatorët që nuk kanë dhënë dorëheqjen kanë pësuar nga verdikti, nga drejtësia e bërë nga qytetarët.
Jep dorëheqjen është kërkesa ultimative e protestës studentore, e opozitës shqiptare, e mbarë shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Sërish tensione në protestën studentore, të rinjtë dëmtojnë biznese dhe djegin objekte në Rrugën e Durrësit
Ashtu si në dy ditët e para, edhe sot studentët kanë sulmuar dhe dëmtuar disa biznese, duke thyer xhamat, u vënë zjarrin dhe thyer dyert.
Sipas pamjeve, sendet që ndodheshin brenda bizneseve janë hedhur në mes të rrugës. Studentët ndodhen aktualisht në fillim të Rrugës së Durrësit, aty ku nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.
Protesta e studentëve përhapet në Shkodër, sulmohen godinat e PS dhe PD
Zhvillimi vjen në ditën e tretë të protestave të gjimnazistëve dhe studentëve, të cilat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Protestat janë shoqëruar me tensione dhe dëme materiale, ndërsa të rinjtë vijojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre.
Studentët djegin koshat e mbeturinave dhe frigoriferat e një kioske (VIDEO)
Ashtu si në dy ditët e para, edhe sot studentët kanë sulmuar dhe dëmtuar disa biznese, duke thyer xhamat, u vënë zjarrin dhe thyer dyert.
Sipas pamjeve, sendet që ndodheshin brenda bizneseve janë hedhur në mes të rrugës. Studentët ndodhen aktualisht në fillim të Rrugës së Durrësit, aty ku nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.
Përshkallëzohet protesta e studentëve në Durrës, përplasje të forta fizike mes studentëve dhe policisë (VIDEO)
Menjëherë pas kësaj, një grup i madh studentësh kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë të riut, i cili po goditej nga policia. Më pas, situata është përshkallëzuar në përplasje mes një grupi efektivësh policie dhe studentëve.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë protestës janë djegur kosha mbeturinash, ndërsa protestuesit kanë thyer derën e Prefekturës dhe kanë hyrë brenda godinës.
Dëme raportohet edhe në ambientet e jashtme të Bashkisë së Durrësit, ku janë djegur pemë.
Zhvillimet në Durrës vijnë në ditën e tretë të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilëve u janë bashkuar të rinj në disa qytete të vendit.
Rikthehen gjimnazistët dhe studentët te Ministria e Arsimit, hedhin gurë! Policia kundërpërgjigjet me ujë
Policia gjithashtu ka nisur shoqërimet duke tentuar të ndalojë protestuesit e dhunshëm. Siç shihet edhe nga pamjet, protestuesit largohen me shpejtësi teksa disa që janë ndaluar po dhunohen nga policia.
Protestuesit bllokojnë qarkullimin te “Rruga e Elbasanit”, prishet sinjalistika rrugore
Ende nuk dihet nëse protesta do të vijojë para Parlamentit apo do të zhvendoset sërish para Ministrisë së Arsimit.
Situatë e tensionuar në Shkodër, studentët qëllojnë me gurë dhe thyejnë xhamat e Bashkisë
Situata është tensionuar nga protesta në Shkodër, ku studentët po hedhin gurë në drejtim të Bashkisë.
Sipas pamjeve, studentët e revoltuar kanë shkruar me bojë në muret e Bashkisë, ndërsa po thyejnë xhamat dhe po hedhin kapsolla drejt godinës.
Deri më tani, policia nuk ka ndërhyrë, ndërsa situata po monitorohet me dronë. Nga kjo situatë raportohet se një vajzë është plagosur nga gurët.
Protesta e studentëve, Rama reagon për median ndërkombëtare: Nuk e jap dorëheqjen
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i tha Reuters të enjten se nuk do të jepte dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme të udhëhequra nga studentët që hynë në ditën e tretë radhazi.
Policia përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit që thyen dritare dhe dëmtuan pronat në kryeqytet, duke bërë që parlamenti të anulonte seancën e tij.
Studentët që protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës.
“Sa i përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, tha Rama në përgjigjet me shkrim për Reuters.
“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të adresoj shqetësimet legjitime dhe ta ndihmoj Shqipërinë të ecë përpara. Alternativa do të ishte tradhtia ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”
Rama tha se do të ishte gati të diskutonte koston në rritje të arsimit, por shtoi: “Sulmi ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe kërcënimi i sigurisë publike nuk kanë të bëjnë fare me kërkesat legjitime të studentëve.”
Protestat shënojnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili fitoi një mandat të katërt vitin e kaluar.
Trazirat vijnë pas muajsh demonstratash kryesisht paqësore të nxitura nga planet për të ndërtuar një vendpushim luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë të mbështetur nga dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, një projekt që është përballur me sfida ligjore.
Policia apel nxënësve dhe prindërve: Qëndroni larg dhunës, largohuni nga zonat e rrezikshme
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin përfshirjen në akte dhune, në një kohë kur protestat e të rinjve vijojnë të shoqërohen me tensione.
Përmes një mesazhi publik, policia u kërkon nxënësve të mos përfshihen në veprime që mund të rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen e tyre, si dhe të largohen menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë.
Një apel i veçantë u drejtohet edhe prindërve, të cilëve u kërkohet të kujdesen për fëmijët dhe t’i këshillojnë ata të qëndrojnë larg situatave të rrezikshme.
Policia thekson se efektivët janë në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
“Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin drejtuar prindërve, ndërsa Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve bashkëpunim për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Studentët mbërrijnë para Parlamentit, hedhin gurë në drejtim të policisë! Djegin edhe koshat e mbeturinave
Studentët sapo kanë mbërritur sërish para Parlamentit. Tensionet kanë nisur menjëherë pasi protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të policisë. Ata gjithashtu kanë djegur koshat e mbeturinave dhe kanë shkulur sinjalistikat rrugore.
Policia mësohet se është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Ende nuk dihet nëse protesta do të vijojë para Parlamentit apo do të zhvendoset sërish para Ministrisë së Arsimit.
Protesta e të rinjve në Korçë, djegin koshat dhe bllokojnë rrugët! Dy të shoqëruar
Për rreth dy orë studente dhe gjimnaziste nga qyteti i Korçës janë duke protestuar në rrugë dhe institucionet.
Të rinjtë kanë thyer dhe shkatërruar hollin e gjimnazit “Raqi Qirixhi”, xhamat e drejtorisë arsimore dhe gjithë sinjalistiken e qytetit. Ata gjithashtu kanë djegur koshat e mbeturinave.
Te rinjtë kanë bllokuar rrugët kryesore teksa marshojnë ndërsa aktualisht kanë bllokuar rrugën e teatrit.
Janë shoqëruar dy persona deri më tani, ndërsa njëri prej të rinjve ka sulmuar edhe drejtorin e policisë së Korçës, Vilson Bala.
Protestuesit largohen nga Ministria e Arsimit, marshojnë drejt Parlamentit
Studentët kanë vendosur të largohen nga Ministria e Arsimit për të vijuar protestën e tyre drejt Parlamentit. Ende nuk dihet nëse ata do ta vijojnë protestën para Kuvendit ose vetëm do të kryejnë një marshim.
Policia prej disa minutash tentoi të shpërndajë protestuesit para ministrisë së Arsimit teksa të rinjtë rezistuan edhe ndaj ujit dhe gazit lotsjellës. Ata pasi spostoheshin pak metra, riktheheshin duke hedhur sërish gurë ndaj policisë si dhe duke shkulur kangjellat në trotuare.
Një grup të rinjsh bashkohet me protestën para Ministrisë së Arsimit, policia hedh ujë! Gjimnazistët nuk tërhiqen
Një grup të rinjsh i janë bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit. Mësohet se gjimnazistët kanë ardhur nga rrethrrotullimi i Zogut të Zi teksa menjëherë kanë nisur hedhjen e gurëve ndaj policisë.
Policia prej disa minutash po tenton të shpërndajë protestuesit teksa të rinjtë po rezistojnë edhe ndaj ujit dhe gazit lotsjellës. Ata pasi spostohen pak metra, rikthehen duke hedhur sërish gurë si dhe duke shkulur kangjellat në trotuare.
Protesta e studentëve, policia jep njoftimin: 55 të arrestuar, 51 efektivë të plagosur dhe 98 të proceduar
Policia ka arrestuar 55 persona, mes tyre edhe dy të mitur, pas akteve të dhunës gjatë protestës së 14 tetorit para Ministrisë së Arsimit dhe në disa zona të kryeqytetit. 98 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa 51 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar.
Protesta e 14 tetorit në Tiranë është shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe Policisë, dëmtime të institucioneve shtetërore dhe bizneseve private, si dhe shkatërrimin e disa pajisjeve dhe automjeteve.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se ka arrestuar në flagrancë 55 shtetas dhe ka proceduar penalisht 98 të tjerë, pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas Policisë, gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit dhe më pas në akse të tjera të kryeqytetit, grupe protestuesish të maskuar kanë hedhur gurë, pllaka guri, sende metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të efektivëve, institucioneve dhe subjekteve private.
Si pasojë e përplasjeve, janë dëmtuar kangjellat, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe fasada xhami, bankomate, kamera, semaforë, tabela reklamash dhe sinjalistika rrugore. Dëmtime janë raportuar edhe në banka, institucione financiare dhe biznese të ndryshme.
Situata është përshkallëzuar edhe në zona të tjera të Tiranës, përfshirë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe rrugën e Durrësit.
Sipas Policisë, disa protestues kanë hyrë në rrethimin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë goditur godinën me sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke dëmtuar xhamat dhe portën hyrëse. Gjithashtu, një automjet policie është djegur me lëndë djegëse, ndërsa tre automjete të parkuara janë dëmtuar.
Nga përplasjet janë dëmtuar 51 punonjës policie.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka arrestuar 55 persona, mes tyre dy të mitur, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. Ndërkohë, 98 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në akte dhune dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të regjistruara gjatë protestës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Vijojnë tensionet para Ministrisë së Arsimit, protestuesit shpërndahen me ujë! Shoqërohen disa të rinj
Vijojnë tensionet para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit po tentojnë herë pas here që të grumbullohen para Ministrisë së Arsimit teksa policia menjëherë ndërhyn për shpërndarjen e tyre.
Sapo protestuesit rigrumbullohen dhe hedhin sende të forta e gurë ndaj tyre dhe ndërtesës së ministrisë, policia kundërpërgigjet me ujë. Gjithashtu ka patur përplasje ç’ka ka sjellë disa shoqërime të të rinjve, mes tyre edhe gjimnazistë.
Vala e protestave përfshin edhe Vlorën, studentët e Shkencave Humane marshojnë në bulevard
Edhe në Vlorë ka nisur reagimi i studentëve në shenjë solidarizimi me studentët e Tiranës. Një grup studentësh kanë dalë nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe po marshojnë përgjatë bulevardit të Vlorës.
Ata po protestojnë përgjatë gjithë rrugës, duke bërë thirrje të ndryshme, si “Bashkohuni me ne”, në përpjekje për t’u bashkuar edhe studentët e tjerë të qytetit.
Marshimi deri më tani është paqësor, ndërsa studentët pritet të vijojnë drejt Rektoratit Qendror të Universitetit të Vlorës.
Ndërhyn policia, hedh gaz lotsjellës për të shmangur grumbullimin e protestuesve para Ministrisë së Arsimit
Pak metra pa u afruar protestuesit para Ministrisë së Arsimit, ka ndërhyrë policia. Forca të shumta të policisë kanë reaguar për të shpërndarë të rinjtë që po shkonin në drejtim të Ministrisë.
Protestuesit nisën duke hedhur gurë në drejtim të objektit të ministrisë teksa policia menjëherë reagoi me gazlotsjellës për shpërndarjen e tyre.
Gjithashtu gazetarët e Euronews Albania bëjnë me dije se ndryshe nga dy ditët e tjera të protestës, është krijuar një “kordon” ku lejohen gazetarët që të qëndrojnë dhe për të mos u bashkuar me turmën.
Protesta e studentëve, ndeshja Egnatia-Midtjylland zhvendoset në stadiumin “Elbasan Arena”
Ndeshja do të luhet në të njëjtën orë, 18:45, ndërsa ndryshon vetëm stadiumi ku do të zhvillohet përballja.
Kampionët e Shqipërisë do të nisin kështu rrugëtimin e tyre historik në fazën e ligës të UEFA Conference League, pas një ecurie të suksesshme në fazat kualifikuese.
Për Egnatian, kjo ndeshje përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm, teksa skuadra rrogozhinase synon të përfaqësojë denjësisht futbollin shqiptar në arenën europiane.
Përballë do të jetë skuadra daneze e Midtjylland, në një sfidë që shënon debutimin e Egnatias në këtë fazë të kompeticionit.
Tensione në Korçë, të rinjtë thyejnë xhamat e Drejtorisë Arsimore (VIDEO)
Siç shihet edhe nga pamjet, janë thyer xhamat e drejtorisë teksa të rinjtë po vijojnë protestën. Ata kanë deklaruar se duan kushte me të mira në shkolla dhe universitetet teksa janë shprehur se nuk frikësohen.
Policia gjithashtu ka ndërhyrë pak më parë pasi kanë tentuar të futen në një gjimnaz dhe protestuesit janë përplasur me rojen e shkollës. Policia ka bërë të mundur shpërndarjen e tyre.
Tensione para Ministrisë së Arsimit, hidhet gaz lotsjellës, shpërndahen studentët
Sipas pamjeve, pas hedhjes së gazit, studentët dhe gjimnazistët janë tërhequr, duke u spostuar pranë sheshit “Skënderbej”.
Gazi lotsjellës është hedhur në mënyrë të menjëhershme nga policia, gjë që ka bërë që protestuesit të largohen nga Rruga e Durrësit.
Studentët në protestë, PD: Deputetët e opozitës krah tyre, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet
PD thekson zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe t’i hapet rrugë një zgjidhjeje politike që i kthen vendit legjitimitetin demokratik.
Reagimi i plotë:
Prej 48 orësh, Shqipëria po përjeton lëvizjen më të fuqishme studentore të 35 viteve të fundit. Kjo është përgjigjja e një brezi që refuzon të pranojë më tej keqqeverisjen, arrogancën, korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga pushteti i Edi Ramës.
Kjo lëvizje nuk është thjesht një protestë kundër një qeverie. Është një revoltë kundër një modeli të krijuar nga Edi Rama që u ka vjedhur të rinjve shpresën, u ka cenuar qytetarëve besimin dhe po e largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga e ardhmja europiane.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është dhe do të mbetet pa asnjë ekuivok në krah të studentëve, nxënësve, të rinjve dhe të rejave, si dhe të çdo qytetari që ngrihet për dinjitet, drejtësi dhe një Shqipëri më të mirë.
Ne dënojmë fuqimisht dhunën shtazarake të Edi Ramës ndaj studentëve, që kanë kulmuar me thyrje të këmbëve, koçkave, fraktura të rënda në kokë, dhe dëmtime të tjera shumë të rënda.
Në këto momente, detyra jonë politike dhe qytetare është e qartë: të jemi pranë protestuesve, të mbështesim kërkesat e tyre dhe të dëgjojmë zërin e një brezi që nuk pranon më të trajtohet me përbuzje nga pushteti.
Kur studentët janë në rrugë, kur universitetet përballen me bojkotin dhe kur kërkesat e tyre kërkojnë përgjigje politike, institucionet nuk mund të sillen sikur asgjë nuk po ndodh. Nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë një krize të thellë politike dhe shoqërore, ndërsa zëri i qytetarëve shpërfillet dhe kërkesat e tyre mbeten pa përgjigje.
Për ne, mesazhi është i qartë: studentët në rrugë, deputetët e opozitës në krah të tyre. Nuk mund të ketë fasadë normaliteti institucional kur qytetarët kërkojnë ndryshim dhe pushteti zgjedh të mos i dëgjojë.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike mbështet kërkesat politike për ndryshim dhe, në këtë moment vendimtar, qëndron përkrah kërkesave për:
1. Dorëheqje e menjëhershme e qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, me mision të vetëm përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme.
2. Menjëherë më pas, vet shpërndarjen e Parlamentit aktual, i cili nuk mund të pretendojë se përfaqëson normalisht vullnetin e qytetarëve përballë krizës së besimit dhe kërkesës për ndryshim.
Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga një pushtet që e sheh çdo protestë si kërcënim dhe çdo kërkesë për llogaridhënie si sulm ndaj vetes.
Studentët nuk kanë nevojë për leksione arrogance, as për premtime të radhës. Ata meritojnë përgjigje, përgjegjësi dhe ndryshim real.
Sot, përgjegjësia është e qartë: të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe t’i hapet rrugë një zgjidhjeje politike që i kthen vendit legjitimitetin demokratik.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të jetë në krah të qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Sepse Shqipëria nuk mund të jetë pronë e një njeriu, e një qeverie apo e një pushteti. Shqipëria u përket qytetarëve të saj.
61 policë dhe 28 protestues të lënduar nga protesta e djeshme, Ministria e Shëndetësisë jep detaje mbi gjendjen e tyre
Sipas informacionit nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë marrë kujdes shëndetësor gjithsej 89 persona, nga të cilët 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT.
Në Spitalin Universitar të Traumës aktualisht ndodhen 4 efektivë policie dhe 2 protestues të shtruar në spital, të cilët do të vijojnë të jenë nën kujdesin e ekipit mjekësor. Ndërsa të tjerët kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar, pas marrjes së kujdesit mjekësor, sipas këshillave të mjekut.
Në QSUT, 10 pacientët janë trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve.
Aktualisht, nuk ka persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT.
Në SUT priten t’i nënshtrohen ndërhyrjes një protestues si dhe dy efektivë policie, të cilët janë koshient dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Protesta e studentëve, delegacioni i BE thirrje të rinjve: Shmangni çdo akt dhune
Në reagim, delegacioni ka bërë thirrje që protestuesit të shmangin dhunën. Sipas BE-së, dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime.
“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, thuhet në reagimin e delegacionin e BE-së.
Bllokohet bulevardi kryesor në Korçë, të rinjtë marshojnë drejt Bashkisë! Hidhen kapsolla (VIDEO)
Gjatë marshimit të tyre, protestuesit kanë bllokuar bulevardin kryesor të qytetit teksa po shkojnë drejt Bashkisë. Gjatë marshimit janë hedhur kapsolla dhe lëndë piroteknike në rrugë.
Bojktohet mësimi edhe te gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, të rinjtë vendosin koshat e mbeturinave në hyrje të shkollës
Ata gjithashtu kanë vendosur koshat e mbeturinave para portës së shkollës. Nuk raportohet për incidente të tjera teksa të rinjtë të shumtë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit dhe Kuvendit.
Studentët e Gjuhëve të Huaja në Shkodër bojkotojnë sërish mësimin, vendosin pankarta në ambientet e fakultetit
Ndërsa mësimi është bojkotuar, studentët po qëndrojnë jashtë ambienteve të fakultetit në shenjë revolte.
Sipas pamjeve, studentët kanë vendosur në ambientet e fakultetit pankarta me imazhe që paraqesin dhunën e ushtruar nga policia ndaj studentëve në Tiranë si dhe thirrje për të bojkotuar mësimin në të gjitha shkollat e vendit.
Gjimnazistët u bashkohen studentëve në protestë, mbërrijnë te Ministria e Arsimit (VIDEO)
Ndërkohë seanca plenare është anuluar teksa ende nuk dihet se si do te veprojnë studentët pasi protesta ishte paralajmëruar të mbahej para Kuvendit. Gjithashtu bëhet me dije se protestuesë janë mbledhur para Kuvendit.
Gjimnazistët në Kamëz bojkotojnë mësimin, i bashkohen protestës së studentëve
Protesta e studentëve hyn sot në ditën e saj të tretë. Ishte parashikuar që protestuesit të mblidheshin në orën 10:00 para Kuvendit, në të njëjtën kohë me nisjen e seancës plenare, por vetëm pak minuta më parë, seanca e Kuvendit u anulua.
Dita e tretë e protestës studentore, anulohet seanca plenare e Kuvendit! Largohen deputetët
🔗 Shpërndaje“Blindohet” me efektivë Kuvendi para protestës së studentëve, nuk vendoset kordon dhe perimeter sigurie (VIDEO)
Pavarësisht pranisë së madhe të forcave të rendit, këtë të enjte nuk është vendosur kordoni, perimetri i zakontë i sigurisë përreth zonës.
Përforcimi i masave të sigurisë vjen pasi studentët kanë paralajmëruar se do të zhvillojnë një tjetër protestë përpara Kuvendit ku është parashikuar të mbahet seanca e radhës plenare.
Protesta e studentëve dhe seanca plenare, Kuvendi “blindohet” nga forca të shumta policie (VIDEO)
Masat e rrepta të sigurisë vijnë në një kohë kur protesta e studentëve, e cila ka hyrë në ditën e tretë, do të nisë sot në orën 10:00, në të njëjtën orë me seancën plenare në Kuvend.
Sipas pamjeve nga terreni, zona pranë Parlamentit dhe Akademisë së Shkencave është “blinduar” me mjete të shumta dhe punonjës të rendit, si dhe me botë uji, të cilët janë pozicionuar për të siguruar mbarëvajtjen e rendit gjatë zhvillimeve të sotme.
Gjimnazistët në Korçë braktisin mësimin dhe dalin në rrugët e qytetit, i bashkohen protestës së studentëve
Ata kishin paralajmëruar se do të protestonin në orën 11:00, por pretendojnë, sipas raportimit të gazetarit Xhensil Shkëmbi, se mësuesit do t’u mbyllnin dyert gjatë pushimit të madh, duke mos i lejuar të dilnin për t’iu bashkuar protestës.
Për këtë arsye, gjimnazistët kanë vendosur të braktisin mësimin dhe të marshojnë në rrugët e Korçës.
Kjo protestë zhvillohet në një kohë kur në Tiranë, prej dy ditësh, vijon protesta e thirrur nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe gjimnazistët. Lëvizja e të rinjve është shoqëruar me tensione dhe përplasje para Ministrisë së Arsimit.
Rama reagon përherë të parë pas protestës së studentëve, nga zyra e djegur e Kolegjit të Europës: Do i kalojmë bashkë këto orë të vështira
“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Europës, shkollës së Europës së Bashkuar, që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit europianë të pranishëm në Tiranë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Janë gjithnjë të mirëpritur dhe ne jemi gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje.
Këto janë duar të tjera, duart që përpiqen ta ulin Shqipërinë sa herë ajo ngrihet. Këto janë duart e një opozite, e cila, me maska të verbërisë përpara, me zjarr dhe hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk kthehet kurrë, nga aty ku të gjithë ne së bashku e nxorëm dhe prej ku po e ngjisim drejt majës historike për të gjithë shqiptarët në breza, në BE.
Qëlloi që kjo zyrë e Kolegjit të Europës të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana dhe Shqipëria po shohin në këto orë të vështira. Janë orë të vështira që do t’i kalojmë të gjithë së bashku, sepse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e saj drejt Europës dhe nuk do të bjerë në ato duar.
Kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia përpara ligjit është e gjithsecilit. Kushdo që ka dorë do të paguajë, sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas.
Edhe e kaluara që u rikthye në këto orë në qendër të Tiranës, si një fantazmë që bën përherë atë që duan ata që të na ulin, e ardhmja është e studentëve dhe e shqiptarëve.”
4 interpelanca dhe komisioni për fazën II të “Territoriales”, sot seancë plenare në Kuvend! Studentët sërish në protesë
Kuvendi sipas rendit të ditës pritet të mbahet edhe një interpelancë e kërkuar nga PD me ministrin e Brendshëm. Në interpelancë kërkohet që flitet lidhur me reagimin e policisë ndaj protestuesve.
Parashikohen edhe 3 interpelanca të tjera, të shtyra gjatë seancës ku u votua reforma territoriale. Një nga interpelancat është kërkuar me ministrin Enea Karakaçi dhe tjera me ministrin Petrit Malaj.
Rendi i ditës
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 15.10.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 8.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.
5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
7. Projektligji “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025”.
8. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave””
10. Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. 11. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar”.
12. Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”. 13. Projektvendim “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Policia boshatis bulevardin nga protestuesit, ndërhyn me ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës
Shoqatat e biznesit kërkojnë mbrojtjen e pronës, Dhoma e Tregtisë: Shkatërrimi i papranueshëm
Rama reagon përherë të parë pas protestës së studentëve, nga zyra e djegur e Kolegjit të Europës: Do i kalojmë bashkë këto orë të vështira
- 22:26 Protestuesit edhe te Qytet Studenti, thyejnë xhamat e godinave dhe dëmtojnë ambientet
- 22:25 Ish-deputeti i PS: NATO mund të përfshihet nëse situata në Shqipëri përshkallëzohet
- 22:08 Plagoset me armë zjarri një 42-vjeçar në Tiranë
- 22:04 Tensionet në bulevard, gazetari: Policët civilë nisin shoqërimet e protestuesve
- 22:02 Dhunë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje shërbimesh, Ambasada e SHBA-së: Tregoni kujdes për sigurinë personale
- 21:53 Protestuesit tentojnë sërish të shkojnë drejt Kryeministrisë, policia e mbush bulevardin me gaz