TIRANË- Që prej orës 09:00 të mëngjesit, protestuesit po marshojnë nëpër rrugët e Tiranës duke sulmuar institucionet dhe shkatërruar gjithçka u del para. Sulmi me gurë dhe me sende të forta nisi me Ministrinë e Arsimit, Kuvendin, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Infrastrukturës, por ndryshe nga një ditë më parë, kur policia ishte e tërhequr, sot reagimi ishte i menjëhershëm duke i shpërndarë me ujë e gaz lotsjellës.

Aktet e dhunës nga protestuesit e maskuar nisën nga rruga e Elbasanit, ku u shkatërruan tabela, semaforë dhe koshave iu vu flaka në mes të rrugës. Ndonëse seanca plenare u anulua, një grup protestuesish u ndalën fillimisht te Kuvendi, por policia nisi menjëherë me shoqërimet e para.

Rreth orës 10:30, protestuesit mbërritën te Ministria e Arsimit. Sapo nisën sulmet me gurë dhe sende të forta, efektivët ndërhynë direkt me gaz lotsjellës dhe me ujë. Përplasjet zgjatën rreth gjysmë ore dhe në një moment efektivët u gjendën mes dy grupeve të protestuesve. Policia nisi me shoqërimet dhe lëshoi edhe gaz lotsjellës brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit për të frenuar futjen e protestuesve të cilët kishin shkatërruar një prej dyerve.

Pas një orë përplasje, protestuesit largohen dhe nisin marshim nëpër rrugët e Tiranës duke shkatërruar bankomatë e stacion urbanësh. Një pjesë e tyre sulmon ministrinë e Ekonomisë, ndërsa kur mbërritën te Kuvendi policia i shpërndau menjëherë. Sulmit me gurë nuk i shpëtoi as ministria e Infrastrukturës, ku protestuesit bllokuan edhe rrugën duke u ulur në tokë. Një tjetër bllokim edhe te Rruga e Elbasanit për gati 20 minuta.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:23
Protestuesit e maskuar sulmojnë dhunshëm efektivët, i qëllojnë me kangjella hekuri, gurë e copa dërrasash (VIDEO)

Protestuesit e maskuar kanë sulmuar efektivët e Policisë te Ministria e Ekonomisë. Efektivët tentuan të ndërhynin pas akteve vandale ndaj ministrisë, por protestuesit iu kundërpërgjigjën duke i sulmuar me sende të forta.

Ata hodhën në drejtim të efektivëve shkopinj druri, gurë e copa dërrasash, ndërsa momenti më i rëndë ishte kur dy protestues të maskuar morën një kangjellë hekuri dhe e hodhën drejt policëve.

Ora 12:21
Protestuesit sulm ministrisë së Ekonomisë, thyejnë dyer e dritare (VIDEO)

Gjatë protestës së dhunshme në Tiranë, protestuesit kanë thyer derën anësore dhe xhamat e Ministrisë së Ekonomisë.

Ora 12:20
Me maskë e shufër hekuri, protestuesi thyen semaforin

1792059079_protestatkunderqeverise.png

Një djalë i maskuar ka hipur në një prej shtyllave të semaforit e më pas duke përdorur një shufër hekuri, e thyen.

Ora 12:16
Vijojnë aktet e dhunës, protestuesit me maska shkatërrojnë bankomatin dhe plaçkisin një kioskë! Frigoriferi përfundon në mes të rrugës (VIDEO)

 

Edhe protesta e sotme ka përshkallëzuar në akte të mëtejshme dhune. Protestuesit e maskuar kanë shkatërruar një bankomat pranë Katedrales së Shën Palit duke përdorur një tabelë rrugore, si dhe një kioskë në kryqëzimin e “Rrugës së Elbasanit” ku po marrin çka brenda.

Në mes të rrugës kanë hedhur edhe një frigorifer, kangjella hekuri e pllaka.

Ora 12:11
Qëllohet me gurë godina e bashkisë Shkodër dhe Rektorati: Studentët thërrasin: Rama ik! Thyhet dhe dera e PD (VIDEO)

 

SHKODËR- Me thirrjet “Rama ik”, dhjetëra studentë bojkotuan mësimin dhe dolën në protestë. Ata marshuan nga fakulteti i Gjuhëve të Huaja drejt Bashkisë Shkodër, ku qëlluan me gurë godinën e institucionit vendor.

Më pas u ndalën përpara godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku qëlluan me gurë dhe me vezë.

Më tej studentet vijuar revoltë, duke thyer derën e selisë së PD. Studentët u shprehën se do t’i vijojnë protestat, ndërsa shprehën mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me protestuesit në Tiranë.

Ora 12:10
Bllokuan rrugën te Ministria e Infrastrukturës, policia shpërndan protestuesit me spray me piper e ujë

1792059121_protestatkunderqeverise.jpg

Me përdorimin e spray-t me piper dhe ujit, policia ka arritur të zhbllokojë rrugën te Ministria e Infrastrukturës. Protestuesit po sprapsen dhe tani po i drejtohen rrugës “George W. Bush.”

Ora 11:59
Protestuesit bllokojnë lëvizjen e automjeteve te ‘Rruga e Elbasanit’ (VIDEO)

 

Protestuesit kanë bllokuar plotësisht “Rrugën e Elbasanit” duke mos lejuar kalimin e automjeteve, përveçse një ambulance.

Ora 11:59
Korçë, protestuesit shkelmojnë derën e gjimnazit, djegin stola e karrige dhe sulmojnë me gurë e molotovë shkollat dhe institucionet (VIDEO)

 

KORÇË- “Dilni nga shkolla!”, dëgjohen të thërrasin protestuesit të cilët kanë shkelmuar derën e njè gjimnazi në Korçë ndërsa mësuesit janë vendosur përpara saj për të mbrojtur ambientet e shkollës.

Gjithashtu protestuesit kanë djegur stola e karrige në mes të rrugës, ndërsa janë parë duke mbajtur flakadanë. Ata kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të një shkolle tjetër, ku shihen xhama të thyer.

Me gurë dhe vezë është goditur godina e Drejtorisë Arsimore, si dhe Rektorati i Universitetit të Korçës. 

Ora 11:55
Protestuesit sulm me gurë Ministrisë së Infrastrukturës, shtrihen në rrugë dhe bllokojnë qarkullimin! Hidhet spray me piper (VIDEO)

 

Protestuesit e vendosur para bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, kanë nisur sulmin me gurë ndaj kësaj të fundit.

Tani protestuesit janë ulur në rrugë përpara ministrisë. Gratë e vajzat janë shtrirë në tokë duke bllokuar qarkullimin. Policia po hedh spray me piper për t'i shpërndarë.

Ora 11:47
Protestuesit sulm me gurë Kuvendit, policia i shpërndan direkt me gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit kanë sulmuar me gurë godinën e Kuvendit të Shqipërisë. Policia ka ndërhyrë menjëherë duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Ora 11:43
Protestat e dhunshme, Policia apel nxënësve: Mos u përfshini në akte dhune, distancoheni! Prindër, kujdesuni për fëmijët tuaj

1792057556_policiaeshtetit.jpg

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve të distancohen nga aktet e dhunës gjatë protestave dhe të largohen nga vendet ku ka përplasje. Policia u kërkon prindërve të kujdesen për fëmijët e tyre.

“Të dashur nxënës, të nderuar prindër! Ju bëjmë thirrje të ruani qetësinë dhe të distancoheni nga çdo akt dhune! Të dashur nxënës, mos u përfshini në veprime të dhunshme që rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen tuaj! Mos lejoni që askush t’ju përfshijë në situata të rrezikshme! Largohuni menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë!

Një apel i veçantë për prindërit! Kujdesuni për fëmijët tuaj! Këshillojini fëmijët të qëndrojnë larg çdo situate të dhunshme. Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët!

Policia e Shtetit është në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e çdo qytetari. Ju lutemi, bashkëpunojmë”, apelon Policia e Shtetit.

Ora 11:40
Protestuesit në marshim, një grup vajzash përpiqet të pengojë policinë! Hidhet spray me piper, përforcohet hyrja e bashkisë (VIDEO)

 

Një grup vajzash mundohen të pengojnë lëvizjen e policisë pranë Galerisë së Arteve. “Hiqni kapelet”, dëgjohen t’u thonë ato policisë. Në krye të tyre qëndrojnë aktivistët e njohur të ‘flamingove’, përfshirë Arvina Lleshin.

Momentalisht janë vendosur Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia e Tiranës dhe po u bashkohen qytetarë e të rinj të tjerë. Policia është përpjekur t’i shpërndajë protestuesit me spray me piper në momentin kur hedhin gurë. Pranë është një autobot që hedh ujë ose gaz lotsjellës.

Në hyrje të institucioneve janë marrë masa për të mos pasur depërtime të protestuesve.

Ora 11:35
Me qeleshe e flamur në duar, Arben Kola dhe një grup protestuesish vendosen përballë parlamentit (VIDEO)

 

Me qeleshen karakteristike dhe flamurin kombëtar në kokë, Arben Kola është gjendur përballë parlamentit bashkë me një grup protestuesish.

Kujtojmë që Arben Kola është një prej organizatorëve të protestës së flamingove që është zhvilluar për 4 muaj përpara kryeministrisë.

Ora 11:33
Me maska e me sende të forta, protestuesit  sulm edhe Shtëpisë së Gjetheve,  shkatërrojnë derën hyrëse (VIDEO)

 

Akteve vandale të protestuesve s’iu ka shpëtuar as muzeu i Shtëpisë së Gjetheve. Me sende të forta dhe me maska në kokë, një grup protestuesish shkatërruan derën hyrëse.

Ora 11:33
Protesta në Divjakë, protestuesit i vënë flakën një kabine prej druri (VIDEO)

 

Edhe në Divjakë ka vijuar marshimi i protestuesve. 

Gjatë protestës, ata i kanë vënë flakën një kabine prej druri.

 

Ora 11:26
Boshatiset ‘Rruga e Durrësit’, protestuesit marshojnë drejt parlamentit (VIDEO)

 

Protestuesit kanë ndryshuar itinerar duke lënë pas Ministrinë e Arsimit për t’u nisur drejt parlamentit. “Rruga e Durrësit” që deri pak më parë ishte ‘arenë’ lufte, tanimë është e boshatisur.

Ora 11:26
Protestuesit e maskuar sulme me gurë në drejtim të efektivëve te ministria e Arsimit

Këto janë momentet kur protestuesit e maskuar sulmojnë me gurë efektivët te Ministria e Arsimit.  

Ora 11:15
Protestat e dhunshme, bizneset e ‘Rrugës së Durrësit’ me qepenët ulur sot

1792055752_protestatkunderqeverise.jpg

Në “Rrugën e Durrësit” sot nuk ka asnjë biznes të hapur. Është një prej arterieve kryesore të Tiranës ku ka biznese të shumta, por sot të gjithë kanë ulur qepenët pas protestës së dhunshme te Ministria e Arsimit që vijon ende.

Kujtojmë që ditën e djeshme u sulmua edhe një bankë e nivelit të dytë në këtë zonë, u dëmtuan disa biznese në hyrje të saj dhe u dogj edhe filiali i Iute Credit.

Ora 11:15
Protestuesit me maska nisin të shkulin kangjellat (VIDEO)

 

Protestuesit e maskuar kanë nisur të shkulin kangjellat në rrugën e Durrësit, ku janë mbledhur prej orëve të para të mëngjesit në protestë.  

Ora 11:14
Protestuesit hapin një nga dyert e Ministrisë së Arsimit, hidhet gaz lotsjellës për të penguar hyrjen e tyre në godinë (VIDEO)

 

Gaz lotsjellës është hedhur brenda Ministrisë së Arsimit për të penguar hyrjen e protestuesve, të cilët kanë arritur të hapin një nga dyert e godinës. Ndërhyrja synon të ndalojë futjen e tyre në ambientet e ministrisë.

Ora 11:13
Një grup tjetër protestuesish vjen në protestë, sulm me gurë policëve (VIDEO)

 

Një grup protestuesish kanë mbërritur në protestë nga ana e Zogut të Zi duke qëlluar me gurë efektivët. Një grup tjetër është nga ana e sheshit Skëndërbej.

Ora 11:08
Protestuesit në Elbasan marshojnë drejt Komisariatit, kërkojnë lirimin e të shoqëruarve

1792055952_polici.JPG

Protestuesit në Elbasan kanë shkulur kangjellat dhe kanë duke dëmtuar ndriçuesit rrugorë, tabelat dhe reklamat përgjatë rrugës së qytetit. Disa prej tyre janë shoqëruar në polici.

Më pas protestuesit janë zhvendosur para Komisariatit të Policisë, ku kanë vijuar tubimin.

Ata kanë bërë thirrje për lirimin e protestuesve të shoqëruar.

 

Ora 11:05
Protestuesit shkatërrojnë stacionin e urbanëve në Tiranë, xhamat copash në tokë (VIDEO)

 

Protestuesit kanë shkatërruar një stacion urbanësh në Tiranë, duke thyer xhamat e tij. Siç shihet edhe nga pamjet, copat e xhamave janë shpërndarë në tokë.

Ora 10:59
Protestuesit qëllojnë me gurë, policia hedh ujë! Përplasje fizike mes tyre, nisin shoqërimet (VIDEO)

 

Ka rinisur përplasja mes protestuesve dhe policisë, ku gurët morën si kundërpërgjigje hedhjen e ujit.

Përplasjet mes tyre u kthyen edhe fizike, pasi disa efektivë goditën disa protestues dhe i tërhoqën zvarrë. Të tjerë të rinj po shoqërohen.

Ora 10:50
Protestuesit në Durrës, vezë dhe kapsolla drejt Bashkisë (VIDEO)

 

Një grup protestuesish të pajisur me maska, janë grumbulluar para Bashkisë së Durrësit.

Ata kanë hedhur kapsolla dhe kanë sulmuar me vezë drejt Bashkisë.

Ndërkohë pranë institucionit kanë ndezur dhe një zjarr duke shkaktuar tym teksa aty shihen një grup i madh efektivësh policie. 

 

Ora 10:49
Policia i bën pritë ‘skenarit’ të protestuesve, heq kangjellat vetë nga rruga (VIDEO)

 

Policët i kanë hequr vetë kangjellat nga rruga në mënyrë që protestuesit mos t’i përdorin për akte dhunës.

Ora 10:46
Bojkoti i mësimit në Kamëz, Rakip Suli: Janë vetëm 50 fëmijë, procesi mësimor vijon normalisht në 25 shkolla

Një grup nxënësish në Kamzë braktisën mësimin dhe u lëshuan rrugëve për të marrë pjesë në protestën që po zhvillohet në Tiranë prej 3 ditësh.

Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli bëri thirrje publike që të mos keqpërdoret rasti i rreth 50 fëmijëve, pasi në të 25 shkollat që mbulon bashkia mësimi sipas tij vijon normalisht.

“U bëjmë thirrje mediave të mos keqpërdorin rastin e rreth 50 fëmijëve në Kamëz, të nxitur nga manipulime në rrjetet sociale.

Në të 25 shkollat e Kamzës, mësimi vijon normalisht, kështu që ftojmë mediat të vijnë dhe të verifikojnë nga afër vijimin normal të procesit mësimor në të gjitha shkollat e Kamzës.

Sot, falë mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, shkollat e Kamzës janë institucione me standarde të Bashkimit Europian.

Faleminderit!”, shkruan Suli.

Ora 10:43
Një tjetër grup protestuesish i bashkohet protestës te Ministria e Arsimit, qëllojnë me gurë efektivët! Policia i shpërndan sërish me gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Pas ndërhyrjes së parë të Policisë, një tjetër grup protestuesish ka mbërritur te Ministria e Arsimit. Në krye të grupit qëndrojnë persona të maskuar.

Policia reagoi direkt me gazlotsjellës.

Ora 10:42
Protestuesit pajisen me ‘municion’ nga grumbulli i shisheve të qelqit (VIDEO)

 

Protestuesit që ndodhen te Ministria e Arsimit kanë nisur të ‘armatosen’ me shishe qelqi. Mbi një kabinë janë vendosur një grumbull shishesh, të cilat ata zgjaten për t’i marrë.

Ora 10:41
Molotovë dhe gurë drejt një shkolle gjatë protestës në Korçë (VIDEO)

 

Kanë vijuar marshimet e protestuesve në Korçë, të cilët kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të një shkolle, ku shihen copa xhamash të thyer.

Gjithashtu ata janë zhvendosur në rrugët e qytetit ndërsa kanë goditur me gurë edhe godinën e Rektoratit.

 

Ora 10:39
Ilirjana Kuçana debaton me policinë: Ki kujdes, kërko falje! (VIDEO)

 

Një moment debati është regjistruar mes anëtares së PD, Ilirjana Kuçanës dhe policisë.

“Ki kujdes, kërko falje tani! Ke gjuajtur mbrëmë edhe një deputet! T’ju vijë turp!”, i thotë Kuçana.

Ora 10:35
Korçë/ Protestuesit shkelmojnë derën e shkollës, godasin me gurë dhe vezë dhe zyrën arsimore

Protestuesit kanë shkelmuar derën e një gjimnazi në Korçë, ndërsa mësuesit janë vendosur përpara saj për të mbrojtur ambientet e shkollës.

“Dilni nga shkolla!”, dëgjohen të thërrasin protestuesit, ndërsa një prej mësuesve u drejtohet nxënësve duke theksuar se dalja në protestë është zgjedhja e tyre, por pa dëmtuar ambientet e institucionit.

“Është dëshira e tyre, le të dalin, por të mos cënohen gjërat. Është vullneti i tyre”, dëgjohet të thotë një prej mësuesve.

Pas largimit nga ambientet e shkollës, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e qytetit, ku kanë nisur dëmtimet e infrastrukturës publike, përfshirë tabelat rrugore.

Me gurë dhe vezë është goditur edhe godina e Drejtorisë Arsimore në Korçë.

 

Ora 10:29
Sapo protestuesit mbërrijnë te Ministria e Arsimit, policia nis shpërndarjen me gaz lotsjellës

1792052971_protesta.jpg

 

Sapo protestuesit mbërritën te Ministria e Arsimit, policia nisi direkt me shpërndarjen duke hedhur gaz lotsjellës. Studentët janë shpërndarë nga rruga kryesore para Ministrisë së Arsimit.

Ora 10:24
Incidentet e para në protestë, policia nis me shoqërimet (VIDEO)

 

Policia ka nisur me shoqërimet e para të disa protestuesve që vinin nga parlamenti. Ndërkohë në rrugët e kryeqytetit kanë nisur incidentet e para me zjarre në rrugë e kosha të djegur.

Ora 10:13
Shkodër, protestuesit e maskuar qëllojnë me vezë derën e godinës para Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” (VIDEO)

Në Shkodër, protestues të maskuar kanë qëlluar me vezë derën e godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Pas universitetit studentët kanë marshuar drejt Bashkisë së Shkodrës ku kanë qëlluar me gurë.

Ora 09:52
Protestuesit djegin koshat e plehrave në mes të rrugës së Elbasanit, bllokojnë qarkullimin në njërin kah (VIDEO)

 

Protestuesit marshuan në rrugën e Elbasanit duke bllokuar qarkullimin për pak kohë në njërin kah. Disa protestues shkulën tabelat e sinjalistikës rrugore dhe dogjën koshat në mes të rrugës. Ata u ndalën edhe te shkolla e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe bënë thirrje për bojkot mësimi.

Ora 09:44
Protestuesit në Shkodër i bashkohen bojkotit të mësimit, thirrje për PD: Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite! (VIDEO)

 

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar sot mësimin dhe kanë dalë në protestë. Tanimë i janë drejtuar bashkisë dhe po bëjnë thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”

Kur kaluan pranë një dege të Partisë Demokratike, deklaruan “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite!”

Pika fundore duket se do të jetë godina e rektoratit.

Ora 09:39
Dy ditë protesta të dhunshme, 3 procedime penale të regjistruara, 3 prokurorë po hetojnë për agresorët

Pas dy ditësh protestash të dhunshme në Tiranë, janë regjistruar 3 procedime penale. Tre prokurorë po hetojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të akteve të dhunës.

Ora 09:35
Auditorët bosh! Bojkotohet mësimi në Fakultetin e Bujqësisë në Korçë, mbështetje për protestën në Tiranë (VIDEO)

 

I boshatisur është paraqitur këtë mëngjes Fakulteti i Bujqësisë në Korçë, ku pedagogët janë paraqitur në ambientet e fakultetit, por studentët kanë bojkotuar mësimin.

Mbi 80% e studentëve nuk janë paraqitur në auditorë në shenjë mbështetjeje për protestën e zhvilluar në Tiranë.

Ndërkohë studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet rreth orës 11:00 në qendër të qytetit.

Ora 09:33
Protesta në Tiranë/ Thirrje për bojkot të mësimit në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës (VIDEO)

 

Në Durrës, një grup i jashtëm organizator që nuk i përket universitetit “Aleksandër Moisiu” po bëjnë thirrje për bojkotim të mësimit. Atyre u janë bashkangjitur disa dhjetëra studentë që po shkojnë nëpër fakultete dhe bëjnë thirrje për bojkot si dhe përsërisin “Rama jepe dorëheqjen.”

Në plan kanë një marshim në këmbë nga universitet “Aleksandër Moisiu” në qendër të Durrësit në mbështetje të protestës në Tiranë.

Ora 09:27
Protesta, gjimnazistë e studentë në Elbasan bojkotojnë mësimin (VIDEO)

 

Edhe gjimnazistë e studentë në Elbasan kanë nisur të grumbullohen duke bojkotuar mësimin për të vijuar më pas me protestën.

Ora 09:14
Protesta/ Nxënës të Tiranës e Kamzës bojkotojnë mësimin, djegin kosha mbeturinash dhe hedhin fishekzjarrë (VIDEO)

Të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës kanë nisur me bojkotimin e mësimit për t’iu bashkuar protestës.

Disa gjimnazistë kanë shkuar te Hoteleri-Turizmi duke u bërë thirrje “bashkohuni me ne!”

Afër gjimnazeve “Ismail Qemali” e “Partizani” kanë nxjerrë në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke u vënë flakën, si dhe po hedhin fishekzjarre.

Edhe nga shkollat e Kamzës ka bojkot të mësimit me thirrjen “të gjithë së bashku!”