TIRANË- Shkatërrim, plaçkitje, akte guerile. Panorama e protestës në ditë e tretë është e njëjtë, me protestues të maskuar që po shkatërrojnë gjithçka që u del para. Prej orës 09:00 të mëngjesit, protestuesit po lëvizin nëpër Tiranë duke sulmuar disa prej institucioneve dhe policëve, me gurë e sende të forta, ndërsa nuk kanë munguar as fishekzjarrët.

Pre e sulmit ka rënë Kuvendi, Bashkia e Tiranës, 3 ministri, Arsimi, Ekonomia e Infrastruktura, por edhe teatri i Kukullave apo muzeu Shtëpia e Gjetheve. Protestuesit tentuan edhe një sulm ndaj selisë së PS-së, por u shpërndanë me gaz lotsjellës nga Policia.

Në krye të dhunës janë të maskuarit, të cilët kanë shkatërruar çdo gjë në rrugë, semaforë, tabela, kamera, kangjella e deri te sulmet e ashpra ndaj bizneseve e bankave të cilat janë plaçkitur. Disa prej protestuesve janë shoqëruar, por ende nuk ka një numër, ndërsa nga sulmet kanë mbetur të plagosur edhe efektivë në protestat në Durrës e Shkodër, ku njëri prej tyre është dërguar në gjendje të rëndë te Trauma.  

Aktet e dhunës nga protestuesit e maskuar nisën prej mëngjesit në rrugën e Elbasanit, ku u shkatërruan tabela, semaforë dhe koshave iu vu flaka në mes të rrugës. Ndonëse seanca plenare u anulua, një grup protestuesish u ndalën fillimisht te Kuvendi, por policia nisi menjëherë me shoqërimet e para.

Rreth orës 10:30, protestuesit mbërritën te Ministria e Arsimit. Sapo nisën sulmet me gurë dhe sende të forta, efektivët ndërhynë direkt me gaz lotsjellës dhe me ujë. Përplasjet zgjatën rreth gjysmë ore dhe në një moment efektivët u gjendën mes dy grupeve të protestuesve. Policia nisi me shoqërimet dhe lëshoi edhe gaz lotsjellës brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit për të frenuar futjen e protestuesve të cilët kishin shkatërruar një prej dyerve.

Pas një orë përplasje, protestuesit largohen dhe nisin marshim nëpër rrugët e Tiranës duke shkatërruar bankomatë e stacion urbanësh. Një pjesë e tyre sulmon ministrinë e Ekonomisë, ndërsa kur mbërritën te Kuvendi policia i shpërndau menjëherë. Sulmit me gurë nuk i shpëtoi as ministria e Infrastrukturës, ku protestuesit bllokuan edhe rrugën duke u ulur në tokë. 

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:33
Kaos në kryeqytet, sulmohet ish-Ambasada Ruse! Merr flakë kabina e rojes

1792071145_ambasadaruse.jpg

Ish-Ambasada Ruse në Tiranë është sulmuar gjatë protestave në kryeqytet. Nga sulmi ka marrë flakë kabina e rojes.

Ora 15:24
Kapsolla efektivëve, policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit vijojnë me sulmet ndaj policisë, duke hedhur kapsolla drejt tyre.

Për shpërndarjen e tyre blutë kanë përdorur gaz lotsjellës

Ora 15:20
Protestat e dhunshme në Durrës, Gjykata ndërpret seancat penale për arsye sigurie! Përjashtohen rastet urgjente

Protestat e dhunshme në Durrës janë shoqëruar edhe me ndërprerjen e seancave gjyqësore në Seksionin Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Përmes një njoftimi, Gjykata bën të ditur se seancat e planifikuara për sot, 15 tetor, nuk do të zhvillohen për të garantuar sigurinë fizike. Përjashtim bëjnë vetëm seancat me karakter urgjent.

Ndërkohë, Seksioni Civil do të vijojë punën normalisht.

Ora 15:13
Akte të dhunshme, protestuesit vijojnë me shkatërrimet e bankave, bizneseve dhe objekteve në Tiranë

1792070432_proteste.jpeg

Protestuesit vijojnë me aktet e dhunshme në kryeqytet.

Ata kanë dëmtuar një tjetër bankë të nivelit të dytë, ndërsa kanë vijuar me shkatërrimet e bizneseve, shtyllave të ndriçimit dhe koshat e plehrave.

Ora 15:05
Akte vandale, protestuesit sulmojnë me gurë edhe kalimtarët

 

Protestuesit nuk janë mjaftuar vetëm me sulmin ndaj policëve dhe shkatërrimin e bizneseve apo bankave.

Ata kanë sulmuar edhe me gurë kalimtarët.

Siç shihet edhe nga pamjet e sigurura një qyetar largohet me vrap kur protestuesi e gjuan me gurë.

Ora 14:58
Protestuesit e maskuar vjedhin celularë në një dyqan (VIDEO)

 

Protesetuesit e maskuar kanë vijuar me shkatërrimet e bizneseve.

Në një dyqan pasi e kanë dëmtuar, ata kanë vjedhur edhe celularë.

Ora 14:45
Protesta e dhunshme, protestuesit djegin koshat në zemër të Tiranës

Protestuesit kanë djegur të koshat në qendër të Tiranës, pasi shkatërruan një bankë të nivelit të dytë në këtë zonë.

Ora 14:36
Protestuesit shkatërrojnë bankën në Tiranë, thyejnë xhamat dhe bankomatët! Nxjerrin dokumente dhe i vënë flakën (VIDEO)

Një bankë e nivelit të dytë në zemër të Tiranës është plaçkitur dhe shkatërruar totalisht nga protestuesit. Një grup prej tyre, pjesë më e madhe me maska në fytyrë me qëllim që mos të identifikohen, shkatërruan bankën me shkopinj hekuri e sende të forta.

Fillimisht protestuesit sulmuan fasadën e xhamtë, bankomatët dhe më pas u futën brenda saj duke shkatërruar çfarë gjetën brenda.

Madje, arritën të marrin edhe dokumente nga brenda bankës dhe t’i nxjerrin në rrugë duke u vënë flakën. Policia ndërhyri vetëm pasi protestuesit shkatërruan gjithçka, duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës.

 

Ora 14:08
Sulme me gurë e hekur ndaj policisë në Durrës e Shkodër, plagosen 2 efektivë! Njëri qëllohet me hekur në kokë, dërgohet në gjendje të rëndë tek Trauma (EMRI+VIDEO)

Dy sulme të rënda ndaj policëve janë regjistruar sot gjatë protestave të dhunshme në Shkodër dhe në Durrës.

Në Shkodër, pamjet që vijnë nga terreni tregojnë efektivin e qëlluar me gurë e hekur të shtrirë përtokë ndërsa rreth tij janë mbledhur kolegët që përpiqen t'i japin ndihmën e parë.

Fasli Rama është qëlluar në kokë dhe për këtë arsye, forcat e rendit e mbajnë në krahë dhe e shoqërojnë për në makinën që e ka çuar me urgjencë drejt spitalit.

Pamje të rënda vijnë edhe nga Durrësi, ku një polic është plagosur si pasojë e sulmeve me gurë e sende të rënda. Pas përplasjeve të dhunshme, policia ka shoqëruar 10 protestues, të cilët hodhën pllaka dhe gurë ndaj efektivëve. 
.

Ora 14:07
Protestuesit sulmojnë Ministrinë e Mjedisit, thyejnë xhamat te Teatri i Kukullave (VIDEO)

 

Përmes sheshit “Skënderbej”, protestuesit i janë drejtuar Ministrisë së Mjedisit duke hedhur gurë. Sulmi është zgjeruar edhe drejt Teatrit të Kukullave, të cilit i janë thyer xhamat.

Goditjet ishin në formë breshërie ndaj efektivëve.

Forca Kombëtare e Sigurisë po përgjigjet me gaz lotsjellës duke i bërë protestuesit të tërhiqen disi.

Protestuesit e maskuar po i bëjnë shenja njëri-tjetrit që të mblidhen edhe më pranë dhe kanë nisur të grumbullojnë pllaka e gurë duke i futur në çanta e xhepa.

Ora 14:02
Protestuesit e maskuar rikthehen te bashkia e Tiranës, hedhin gurë e fishekzjarre! Era largon gazin lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit e mitur të maskuar i janë drejtuar bashkisë së Tiranës, duke e sulmuar për herë të dytë. Ata po hedhin gurë e fishekzjarrë drejt godinës.

Policia po hedh gaz lotsjellës, por era po e devijon në anën e kundërt.

Ora 13:56
Policia ‘stacionohet’ te selia e PS, disa protestues hyjnë brenda tregut çam (VIDEO)

 

Forca të shumta policie ndodhen pranë selisë së PS, ku momentalisht ka edhe përqendrim të protestuesve të maskuar.

Disa prej tyre kanë hyrë edhe në rrugën “Çamëria” apo e njohur si zona e tregut çam. Vihet re se edhe në këtë pjesë, shumica e bizneseve janë të mbyllura.

Ora 13:49
Dhunohen efektivët në Durrës, turma rrethon dhe sulmon 2 prej tyre me shkopinj, gurë e karrige! Pamje të rënda

Pamje të rënda dhune vijnë nga Durrësi, ku forcat e policisë janë sulmuar me shkopinj dhe sende të forta nga protestuesit. Gjithçka ndodh në fraksion sekondi. Forcat e policisë përpiqen të mbrojnë godinet nga sulmet vandale por turma e madhe me shkopinj e sende të forta rrethojnë 2 policë dhe i sulmojnë ata. Drejt tyre hidhen edhe karrige dhe gurë. 

Gjatë protestës, të njëjtët protestues kanë shkatërruar edhe ambientet e Postës Shqiptare, duke shkaktuar dëme materiale.

Ora 13:48
Qetësohet situata te ‘Rruga e Durrësit’, policia heq gurët e pllakat nga rruga (VIDEO)

 

Në “Rrugën e Durrësit” gjenden disa patrulla policie si dhe një ambulancë. Në zonë nuk ka shumë njerëz dhe për momentin situata është e qetë.

Policia ka nisur të pastrojë edhe rrugën e mbushur me gurë e pllaka te Ministria e Arsimit.

Ora 13:39
Akte vandale, protestuesit e maskuar shkulin kangjellat në qendër të Tiranës (VIDEO)

 

Pasi tentuan sulmin ndaj selisë së PS, protestuesit kanë nisur të shkulin kangjellat në qendwr tw Tiranws.

Ora 13:31
Protestuesit tentojnë të sulmojnë selinë e PS, policia i shpërndan me gaz lotsjellës

1792063742_protestatkunderqeverise.jpg

Protestuesit kanë tentuar të hedhin gurë dhe sende të tjera për të shkatërruar selinë e Partisë Socialiste. Policia ka hedhur menjëherë gaz lotsjellës në sasi të madhe duke i shpërndarë.

Protestuesit po hedhin ende gurë drejt efektivëve dhe këta të fundit kundërpërgjigjen me gaz.

Ora 13:28
Tensione në Kukës, të rinj dhe të mitur shkatërrojnë stolat e tabelat rrugore! Sulmohet me gurë edhe Pallati i Kulturës (VIDEO)

 

Pamjet që Report TV sjell nga Kukësi tregojnë grupe të rinjsh dhe të miturish që lëvizin në qendër të qytetit, ku janë shkatërruar stola dhe tabela të qarkullimit rrugor. Sulmeve me gurë nuk i ka shpëtuar as godina e Pallatit të Kulturës. Pranë turmës shihen edhe forca policie, ndërsa ajo që bie në sy është prania e shumë fëmijëve dhe të miturve mes grupeve që po lëvizin nëpër rrugët e qytetit.

Ora 13:25
Protestuesit godasin edhe qepenet e bizneseve të mbyllura (VIDEO)

 

Vijojnë aktet e dhunës në qendër të Tiranës. Protestuesit godasin edhe qepenet e bizneseve të mbyllur

Ora 13:22
Korçë, qytetarja futet mes turmës dhe përplaset me protestuesit (VIDEO)

 

Dy adoleshentët e shoqëruar nga policia gjatë protestës në Korçë janë liruar.

Ndërkohë gjatë zhvillimit të protestës Report tv siguron pamje ku shihet, një qytetare e cila është futur mes turmës së protestuesve dhe është përplasur me të rinjtë që po protestojnë.

Protesta në Korçë vijon, ndërsa shihen protestuesit duke ndezur zjarr dhe duke djegur karrige e stola në mes të qytetit.

Ora 13:19
Protestat e dhunshme, edhe Kalaja e Tiranës mbyll dyert

1792063279_kalajaetiranes.jpg

Kalaja e Tiranës është mbyllur gjithashtu prej sulmeve të protestuesve. Dera e saj kryesore nga ana e pedonales është e kyçur. Zona e Kalasë është edhe një prej pikave turistike të kryeqytetit si dhe një pikë e rëndësishme biznesesh.

Ora 13:15
Sulmohet Posta Shqiptare në Durrës, pamjet e shkatërrimit brenda godinës! (VIDEO)

 

Pamjet që vijnë nga Durrësi tregojnë dëmet e shkaktuara nga sulmi i sotëm ndaj ambienteve të Postës Shqiptare. Xhama të thyer, mobilie të rrëzuara, karrige të përmbysura, tavolina të shkatërruara dhe gurë të shpërndarë në ambientet e brendshme. Kjo është gjendja në të cilën ka mbetur Posta Shqiptare pas sulmit.

Ora 13:10
Tensione në Elbasan! Studentët thyejnë derën e gjimnazit 'Kostandin Kristoforidhi', djegin koshat e plehrave dhe shkatërrojnë tabelat rrugore (VIDEO)

Studentët e Elbasanit janë mbledhur para godinës së Bashkisë, duke thyer sende dhe orendi. Studentët kanë shembur gjithçka u ka dalë përpara, kanë djegur pothuaj të gjitha koshat e plehrave në rrugën kryesore por edhe  tabela rrugore. Gjatë protestës ata kanë shembur edhe derën e gjimnazit 'Kostandin Kristoforidhi'

Ora 13:00
Tensione në Korçë! Studentët sulmojnë me gurë institucionet arsimore dhe komisariatin, policia bllokon rrugën e shoqëron disa prej tyre (VIDEO)

Tensionohet situata në Korçë. Gjatë protestës së studentëve, janë sulmuar me gurë institucionet arsimore dhe komisariatin e qytetit. Ata janë pozicionuar rreth godinës ndërsa policia ka bllokuar rrugicën që të çon drejt institucionit. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report TV, forca të shumta të policisë po shoqërojnë studentët një e nga një ambientet e komisariatit të qytetit

Ora 12:58
Protestuesit sulmojnë bizneset në qendër, marrin frigoriferët nga kioskat, i djegin në mes të rrugës! 'Ushqejnë' zjarrin me degë pemësh (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar një kioskë pas Muzeut Kombëtar në Tiranë. Ata kanë marrë frigoriferët dhe iu kanë vënë flakën në mes të rrugës. Po ashtu, protestuesit kanë shkulur edhe degët e pemëve dhe i hedhin në zjarr. 

Të tjera bizneseve u kanë thyer xhamat. 

Ora 12:56
Vlorë, protestuesit marshojnë drejt Bashkisë, qëllojnë me vezë drejt godinës (VIDEO)

 

Protestuesit në Vlorë janë zhvendosur para Bashkisë, ku kanë vijuar protestën në rrugët e qytetit. Ata kanë qëlluar me vezë në drejtim të godinës së institucionit.

Protestuesit kërkojnë përmirësimin e kushteve në universitete dhe uljen e tarifave studentore.

Gjithashtu paralajmërojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Ora 12:54
Përfshihet nga flakët një godinë pranë Ministrisë së Arsimit, zjarrfikësja nis punën për shuarjen e zjarrit (VIDEO)

 

Një godinë është përfshirë nga flakët pranë Ministrisë së Arsimit. Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Ora 12:43
Protestuesit sulm ndaj policisë te Ministria e Arsimit, efektivët hedhin ujë e gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit kanë sulmuar efektivët e Policisë gjatë përplasjeve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për t'i shpërndarë.

Ora 12:23
Protestuesit e maskuar sulmojnë dhunshëm efektivët, i qëllojnë me kangjella hekuri, gurë e copa dërrasash (VIDEO)

Protestuesit e maskuar kanë sulmuar efektivët e Policisë te Ministria e Ekonomisë. Efektivët tentuan të ndërhynin pas akteve vandale ndaj ministrisë, por protestuesit iu kundërpërgjigjën duke i sulmuar me sende të forta.

Ata hodhën në drejtim të efektivëve shkopinj druri, gurë e copa dërrasash, ndërsa momenti më i rëndë ishte kur dy protestues të maskuar morën një kangjellë hekuri dhe e hodhën drejt policëve.

Ora 12:21
Protestuesit sulm ministrisë së Ekonomisë, thyejnë dyer e dritare (VIDEO)

Gjatë protestës së dhunshme në Tiranë, protestuesit kanë thyer derën anësore dhe xhamat e Ministrisë së Ekonomisë.

Ora 12:20
Me maskë e shufër hekuri, protestuesi thyen kamerën e sigurisë (VIDEO)

 

Një djalë i maskuar ka hipur në një prej shtyllave ku ndodhet një kamera sigurie e më pas duke përdorur një shufër hekuri, e thyen.

Ora 12:16
Vijojnë aktet e dhunës, protestuesit me maska shkatërrojnë bankomatin dhe plaçkisin një kioskë! Frigoriferi përfundon në mes të rrugës (VIDEO)

 

Edhe protesta e sotme ka përshkallëzuar në akte të mëtejshme dhune. Protestuesit e maskuar kanë shkatërruar një bankomat pranë Katedrales së Shën Palit duke përdorur një tabelë rrugore, si dhe një kioskë në kryqëzimin e “Rrugës së Elbasanit” ku po marrin çka brenda.

Në mes të rrugës kanë hedhur edhe një frigorifer, kangjella hekuri e pllaka.

Ora 12:11
Qëllohet me gurë godina e bashkisë Shkodër dhe Rektorati: Studentët thërrasin: Rama ik! Thyhet dhe dera e PD (VIDEO)

 

SHKODËR- Me thirrjet “Rama ik”, dhjetëra studentë bojkotuan mësimin dhe dolën në protestë. Ata marshuan nga fakulteti i Gjuhëve të Huaja drejt Bashkisë Shkodër, ku qëlluan me gurë godinën e institucionit vendor.

Më pas u ndalën përpara godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku qëlluan me gurë dhe me vezë.

Më tej studentet vijuar revoltë, duke thyer derën e selisë së PD. Menjehere policia ka nisur shoqerimet në Sheshin “Isa Boletini”.

Deri më tani janë shoqëruar 3 protestues. Shihet në pamje se protestuesit i kapin efektivë civile pa uniformë dhe më pas i dorëzojnë tek forcat e rendit që iu vënë prangat dhe I shoqërojnë në komisariat. 

Studentët u shprehën se do t’i vijojnë protestat, ndërsa shprehën mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me protestuesit në Tiranë.

Ora 12:10
Bllokuan rrugën te Ministria e Infrastrukturës, policia shpërndan protestuesit me spray me piper e ujë

1792059121_protestatkunderqeverise.jpg

Me përdorimin e spray-t me piper dhe ujit, policia ka arritur të zhbllokojë rrugën te Ministria e Infrastrukturës. Protestuesit po sprapsen dhe tani po i drejtohen rrugës “George W. Bush.”

Ora 11:59
Protestuesit bllokojnë lëvizjen e automjeteve te ‘Rruga e Elbasanit’ (VIDEO)

 

Protestuesit kanë bllokuar plotësisht “Rrugën e Elbasanit” duke mos lejuar kalimin e automjeteve, përveçse një ambulance.

Ora 11:59
Korçë, protestuesit shkelmojnë derën e gjimnazit, djegin stola e karrige dhe sulmojnë me gurë e molotovë shkollat dhe institucionet (VIDEO)

 

KORÇË- “Dilni nga shkolla!”, dëgjohen të thërrasin protestuesit të cilët kanë shkelmuar derën e njè gjimnazi në Korçë ndërsa mësuesit janë vendosur përpara saj për të mbrojtur ambientet e shkollës. Ata kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të një shkolle tjetër, ku shihen copa xhamash të thyer.

Gjithashtu protestuesit kanë djegur stola e karrige dhe kosha mbeturinash në mes të rrugës, ndërsa janë parë duke mbajtur flakadanë.

Me gurë dhe vezë është goditur godina e Drejtorisë Arsimore, si dhe Rektorati i Universitetit të Korçës. Nga pamjet e siguruara nga Report tv policia menjëherë ka filluar me shoqërimin e protestuesve.

Ora 11:55
Protestuesit sulm me gurë Ministrisë së Infrastrukturës, shtrihen në rrugë dhe bllokojnë qarkullimin! Hidhet spray me piper (VIDEO)

 

Protestuesit e vendosur para bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, kanë nisur sulmin me gurë ndaj kësaj të fundit.

Tani protestuesit janë ulur në rrugë përpara ministrisë. Gratë e vajzat janë shtrirë në tokë duke bllokuar qarkullimin. Policia po hedh spray me piper për t'i shpërndarë.

Ora 11:47
Protestuesit sulm me gurë Kuvendit, policia i shpërndan direkt me gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit kanë sulmuar me gurë godinën e Kuvendit të Shqipërisë. Policia ka ndërhyrë menjëherë duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Ora 11:43
Protestat e dhunshme, Policia apel nxënësve: Mos u përfshini në akte dhune, distancoheni! Prindër, kujdesuni për fëmijët tuaj

1792057556_policiaeshtetit.jpg

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve të distancohen nga aktet e dhunës gjatë protestave dhe të largohen nga vendet ku ka përplasje. Policia u kërkon prindërve të kujdesen për fëmijët e tyre.

“Të dashur nxënës, të nderuar prindër! Ju bëjmë thirrje të ruani qetësinë dhe të distancoheni nga çdo akt dhune! Të dashur nxënës, mos u përfshini në veprime të dhunshme që rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen tuaj! Mos lejoni që askush t’ju përfshijë në situata të rrezikshme! Largohuni menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë!

Një apel i veçantë për prindërit! Kujdesuni për fëmijët tuaj! Këshillojini fëmijët të qëndrojnë larg çdo situate të dhunshme. Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët!

Policia e Shtetit është në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e çdo qytetari. Ju lutemi, bashkëpunojmë”, apelon Policia e Shtetit.

Ora 11:40
Protestuesit në marshim, një grup vajzash përpiqet të pengojë policinë! Hidhet spray me piper, përforcohet hyrja e bashkisë (VIDEO)

 

Një grup vajzash mundohen të pengojnë lëvizjen e policisë pranë Galerisë së Arteve. “Hiqni kapelet”, dëgjohen t’u thonë ato policisë. Në krye të tyre qëndrojnë aktivistët e njohur të ‘flamingove’, përfshirë Arvina Lleshin.

Momentalisht janë vendosur Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia e Tiranës dhe po u bashkohen qytetarë e të rinj të tjerë. Policia është përpjekur t’i shpërndajë protestuesit me spray me piper në momentin kur hedhin gurë. Pranë është një autobot që hedh ujë ose gaz lotsjellës.

Në hyrje të institucioneve janë marrë masa për të mos pasur depërtime të protestuesve.

Ora 11:35
Me qeleshe e flamur në duar, Arben Kola dhe një grup protestuesish vendosen përballë parlamentit (VIDEO)

 

Me qeleshen karakteristike dhe flamurin kombëtar në kokë, Arben Kola është gjendur përballë parlamentit bashkë me një grup protestuesish.

Kujtojmë që Arben Kola është një prej organizatorëve të protestës së flamingove që është zhvilluar për 4 muaj përpara kryeministrisë.

Ora 11:33
Me maska e me sende të forta, protestuesit  sulm edhe Shtëpisë së Gjetheve,  shkatërrojnë derën hyrëse (VIDEO)

 

Akteve vandale të protestuesve s’iu ka shpëtuar as muzeu i Shtëpisë së Gjetheve. Me sende të forta dhe me maska në kokë, një grup protestuesish shkatërruan derën hyrëse.

Ora 11:33
Protesta në Divjakë, protestuesit i vënë flakën një kabine prej druri (VIDEO)

 

Edhe në Divjakë ka vijuar marshimi i protestuesve. 

Gjatë protestës, ata i kanë vënë flakën një kabine prej druri.

 

Ora 11:26
Boshatiset ‘Rruga e Durrësit’, protestuesit marshojnë drejt parlamentit (VIDEO)

 

Protestuesit kanë ndryshuar itinerar duke lënë pas Ministrinë e Arsimit për t’u nisur drejt parlamentit. “Rruga e Durrësit” që deri pak më parë ishte ‘arenë’ lufte, tanimë është e boshatisur.

Ora 11:26
Protestuesit e maskuar sulme me gurë në drejtim të efektivëve te ministria e Arsimit

Këto janë momentet kur protestuesit e maskuar sulmojnë me gurë efektivët te Ministria e Arsimit.  

Ora 11:15
Protestuesit me maska nisin të shkulin kangjellat (VIDEO)

 

Protestuesit e maskuar kanë nisur të shkulin kangjellat në rrugën e Durrësit, ku janë mbledhur prej orëve të para të mëngjesit në protestë.  

Ora 11:14
Protestuesit hapin një nga dyert e Ministrisë së Arsimit, hidhet gaz lotsjellës për të penguar hyrjen e tyre në godinë (VIDEO)

 

Gaz lotsjellës është hedhur brenda Ministrisë së Arsimit për të penguar hyrjen e protestuesve, të cilët kanë arritur të hapin një nga dyert e godinës. Ndërhyrja synon të ndalojë futjen e tyre në ambientet e ministrisë.

Ora 11:13
Një grup tjetër protestuesish vjen në protestë, sulm me gurë policëve (VIDEO)

 

Një grup protestuesish kanë mbërritur në protestë nga ana e Zogut të Zi duke qëlluar me gurë efektivët. Një grup tjetër është nga ana e sheshit Skëndërbej.

Ora 11:08
Protestuesit në Elbasan marshojnë drejt Komisariatit, kërkojnë lirimin e të shoqëruarve

1792055952_polici.JPG

Protestuesit në Elbasan kanë shkulur kangjellat dhe kanë duke dëmtuar ndriçuesit rrugorë, tabelat dhe reklamat përgjatë rrugës së qytetit. Disa prej tyre janë shoqëruar në polici.

Më pas protestuesit janë zhvendosur para Komisariatit të Policisë, ku kanë vijuar tubimin.

Ata kanë bërë thirrje për lirimin e protestuesve të shoqëruar.

 

Ora 11:05
Protestuesit shkatërrojnë stacionin e urbanëve në Tiranë, xhamat copash në tokë (VIDEO)

 

Protestuesit kanë shkatërruar një stacion urbanësh në Tiranë, duke thyer xhamat e tij. Siç shihet edhe nga pamjet, copat e xhamave janë shpërndarë në tokë.

Ora 10:59
Protestuesit qëllojnë me gurë, policia hedh ujë! Përplasje fizike mes tyre, nisin shoqërimet (VIDEO)

 

Ka rinisur përplasja mes protestuesve dhe policisë, ku gurët morën si kundërpërgjigje hedhjen e ujit.

Përplasjet mes tyre u kthyen edhe fizike, pasi disa efektivë goditën disa protestues dhe i tërhoqën zvarrë. Të tjerë të rinj po shoqërohen.

Ora 10:50
Protestuesit në Durrës, vezë dhe kapsolla drejt Bashkisë (VIDEO)

 

Një grup protestuesish të pajisur me maska, janë grumbulluar para Bashkisë së Durrësit.

Ata kanë hedhur kapsolla dhe kanë sulmuar me vezë drejt Bashkisë.

Ndërkohë pranë institucionit kanë ndezur dhe një zjarr duke shkaktuar tym teksa aty shihen një grup i madh efektivësh policie.

Ora 10:49
Policia i bën pritë ‘skenarit’ të protestuesve, heq kangjellat vetë nga rruga (VIDEO)

 

Policët i kanë hequr vetë kangjellat nga rruga në mënyrë që protestuesit mos t’i përdorin për akte dhunës.

Ora 10:46
Bojkoti i mësimit në Kamëz, Rakip Suli: Janë vetëm 50 fëmijë, procesi mësimor vijon normalisht në 25 shkolla

Një grup nxënësish në Kamzë braktisën mësimin dhe u lëshuan rrugëve për të marrë pjesë në protestën që po zhvillohet në Tiranë prej 3 ditësh.

Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli bëri thirrje publike që të mos keqpërdoret rasti i rreth 50 fëmijëve, pasi në të 25 shkollat që mbulon bashkia mësimi sipas tij vijon normalisht.

“U bëjmë thirrje mediave të mos keqpërdorin rastin e rreth 50 fëmijëve në Kamëz, të nxitur nga manipulime në rrjetet sociale.

Në të 25 shkollat e Kamzës, mësimi vijon normalisht, kështu që ftojmë mediat të vijnë dhe të verifikojnë nga afër vijimin normal të procesit mësimor në të gjitha shkollat e Kamzës.

Sot, falë mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, shkollat e Kamzës janë institucione me standarde të Bashkimit Europian.

Faleminderit!”, shkruan Suli.

Ora 10:43
Një tjetër grup protestuesish i bashkohet protestës te Ministria e Arsimit, qëllojnë me gurë efektivët! Policia i shpërndan sërish me gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Pas ndërhyrjes së parë të Policisë, një tjetër grup protestuesish ka mbërritur te Ministria e Arsimit. Në krye të grupit qëndrojnë persona të maskuar.

Policia reagoi direkt me gazlotsjellës.

Ora 10:42
Protestuesit pajisen me ‘municion’ nga grumbulli i shisheve të qelqit, mes tyre edhe të mitur (VIDEO)

Report Tv sjell pamjet nga një moment kur protestues armatosen me shishe qelqi ndërsa ndodheshin te Ministria e Arsimit.

Mbi një kabinë janë vendosur një grumbull shishesh, të cilat ata zgjaten për t’i marrë.

Në mesin e tyre, dallohen edhe protestues që duken në moshë të mitur.

Ora 10:41
Molotovë dhe gurë drejt një shkolle gjatë protestës në Korçë (VIDEO)

 

Kanë vijuar marshimet e protestuesve në Korçë, të cilët kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të një shkolle, ku shihen copa xhamash të thyer.

Gjithashtu ata janë zhvendosur në rrugët e qytetit ndërsa kanë goditur me gurë edhe godinën e Rektoratit.

 

Ora 10:39
Ilirjana Kuçana debaton me policinë: Ki kujdes, kërko falje! (VIDEO)

 

Një moment debati është regjistruar mes anëtares së PD, Ilirjana Kuçanës dhe policisë.

“Ki kujdes, kërko falje tani! Ke gjuajtur mbrëmë edhe një deputet! T’ju vijë turp!”, i thotë Kuçana.

Ora 10:35
Korçë/ Protestuesit shkelmojnë derën e shkollës, godasin me gurë dhe vezë dhe zyrën arsimore

Protestuesit kanë shkelmuar derën e një gjimnazi në Korçë, ndërsa mësuesit janë vendosur përpara saj për të mbrojtur ambientet e shkollës.

“Dilni nga shkolla!”, dëgjohen të thërrasin protestuesit, ndërsa një prej mësuesve u drejtohet nxënësve duke theksuar se dalja në protestë është zgjedhja e tyre, por pa dëmtuar ambientet e institucionit.

“Është dëshira e tyre, le të dalin, por të mos cënohen gjërat. Është vullneti i tyre”, dëgjohet të thotë një prej mësuesve.

Pas largimit nga ambientet e shkollës, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e qytetit, ku kanë nisur dëmtimet e infrastrukturës publike, përfshirë tabelat rrugore.

Me gurë dhe vezë është goditur edhe godina e Drejtorisë Arsimore në Korçë.

 

Ora 10:29
Sapo protestuesit mbërrijnë te Ministria e Arsimit, policia nis shpërndarjen me gaz lotsjellës

1792052971_protesta.jpg

 

Sapo protestuesit mbërritën te Ministria e Arsimit, policia nisi direkt me shpërndarjen duke hedhur gaz lotsjellës. Studentët janë shpërndarë nga rruga kryesore para Ministrisë së Arsimit.

Ora 10:24
Incidentet e para në protestë, policia nis me shoqërimet (VIDEO)

 

Policia ka nisur me shoqërimet e para të disa protestuesve që vinin nga parlamenti. Ndërkohë në rrugët e kryeqytetit kanë nisur incidentet e para me zjarre në rrugë e kosha të djegur.

Ora 10:13
Shkodër, protestuesit e maskuar qëllojnë me vezë derën e godinës para Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” (VIDEO)

Në Shkodër, protestues të maskuar kanë qëlluar me vezë derën e godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Pas universitetit studentët kanë marshuar drejt Bashkisë së Shkodrës ku kanë qëlluar me gurë.

Ora 09:52
Protestuesit djegin koshat e plehrave në mes të rrugës së Elbasanit, bllokojnë qarkullimin në njërin kah (VIDEO)

 

Protestuesit marshuan në rrugën e Elbasanit duke bllokuar qarkullimin për pak kohë në njërin kah. Disa protestues shkulën tabelat e sinjalistikës rrugore dhe dogjën koshat në mes të rrugës. Ata u ndalën edhe te shkolla e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe bënë thirrje për bojkot mësimi.

Ora 09:44
Protestuesit në Shkodër i bashkohen bojkotit të mësimit, thirrje për PD: Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite! (VIDEO)

 

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar sot mësimin dhe kanë dalë në protestë. Tanimë i janë drejtuar bashkisë dhe po bëjnë thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”

Kur kaluan pranë një dege të Partisë Demokratike, deklaruan “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite!”

Pika fundore duket se do të jetë godina e rektoratit.

Ora 09:39
Dy ditë protesta të dhunshme, 3 procedime penale të regjistruara, 3 prokurorë po hetojnë për agresorët

Pas dy ditësh protestash të dhunshme në Tiranë, janë regjistruar 3 procedime penale. Tre prokurorë po hetojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të akteve të dhunës.

Ora 09:35
Auditorët bosh! Bojkotohet mësimi në Fakultetin e Bujqësisë në Korçë, mbështetje për protestën në Tiranë (VIDEO)

 

I boshatisur është paraqitur këtë mëngjes Fakulteti i Bujqësisë në Korçë, ku pedagogët janë paraqitur në ambientet e fakultetit, por studentët kanë bojkotuar mësimin.

Mbi 80% e studentëve nuk janë paraqitur në auditorë në shenjë mbështetjeje për protestën e zhvilluar në Tiranë.

Ndërkohë studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet rreth orës 11:00 në qendër të qytetit.

Ora 09:33
Protesta në Tiranë/ Thirrje për bojkot të mësimit në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës (VIDEO)

 

Në Durrës, një grup i jashtëm organizator që nuk i përket universitetit “Aleksandër Moisiu” po bëjnë thirrje për bojkotim të mësimit. Atyre u janë bashkangjitur disa dhjetëra studentë që po shkojnë nëpër fakultete dhe bëjnë thirrje për bojkot si dhe përsërisin “Rama jepe dorëheqjen.”

Në plan kanë një marshim në këmbë nga universitet “Aleksandër Moisiu” në qendër të Durrësit në mbështetje të protestës në Tiranë.

Ora 09:27
Protesta, gjimnazistë e studentë në Elbasan bojkotojnë mësimin (VIDEO)

 

Edhe gjimnazistë e studentë në Elbasan kanë nisur të grumbullohen duke bojkotuar mësimin për të vijuar më pas me protestën.

Ora 09:14
Protesta/ Nxënës të Tiranës e Kamzës bojkotojnë mësimin, djegin kosha mbeturinash dhe hedhin fishekzjarrë (VIDEO)

Të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës kanë nisur me bojkotimin e mësimit për t’iu bashkuar protestës.

Disa gjimnazistë kanë shkuar te Hoteleri-Turizmi duke u bërë thirrje “bashkohuni me ne!”

Afër gjimnazeve “Ismail Qemali” e “Partizani” kanë nxjerrë në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke u vënë flakën, si dhe po hedhin fishekzjarre.

Edhe nga shkollat e Kamzës ka bojkot të mësimit me thirrjen “të gjithë së bashku!”