TIRANË- Shkatërrim, plaçkitje, akte guerile. Panorama e protestës në ditë e tretë është e njëjtë, me protestues të maskuar që po shkatërrojnë gjithçka që u del para. Prej orës 09:00 të mëngjesit, protestuesit po lëvizin nëpër Tiranë duke sulmuar disa prej institucioneve dhe policëve, me gurë e sende të forta, ndërsa nuk kanë munguar as fishekzjarrët.
Pre e sulmit ka rënë Kryeministria, Kuvendi, Bashkia e Tiranës, 3 ministri, Arsimi, Ekonomia e Infrastruktura, por edhe teatri i Kukullave apo muzeu Shtëpia e Gjetheve. Protestuesit tentuan edhe një sulm ndaj selisë së PS-së, por s'ia dolën. Pas disa orësh orovajtje nëpër rrugët e Tiranës, të gjitha grupet e protestuesve janë mbledhur te Kryeministria. Protestuesit hodhën fishekzjarrë ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës.
Në krye të dhunës janë të maskuarit, të cilët kanë shkatërruar çdo gjë në rrugë, semaforë, tabela, kamera, kangjella e deri te sulmet e ashpra ndaj bizneseve e bankave të cilat janë plaçkitur. Ndryshe nga një ditë më parë, policia po vepron me tjetër strategji, duke i shpërndarë menjërë protetsuesit me gaz sapo iu afrohen institucioneve.
Disa prej protestuesve janë shoqëruar, ndërsa nga sulmet kanë mbetur të plagosur 14 persona, nga të cilët 6 janë ende në spital, 2 prej të cilëve policë.
Aktet e dhunës nga protestuesit e maskuar nisën prej mëngjesit në rrugën e Elbasanit, ku u shkatërruan tabela, semaforë dhe koshave iu vu flaka në mes të rrugës. Ndonëse seanca plenare u anulua, një grup protestuesish u ndalën fillimisht te Kuvendi, por policia nisi menjëherë me shoqërimet e para.
Rreth orës 10:30, protestuesit mbërritën te Ministria e Arsimit. Sapo nisën sulmet me gurë dhe sende të forta, efektivët ndërhynë direkt me gaz lotsjellës dhe me ujë. Përplasjet zgjatën rreth gjysmë ore dhe në një moment efektivët u gjendën mes dy grupeve të protestuesve. Policia nisi me shoqërimet dhe lëshoi edhe gaz lotsjellës brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit për të frenuar futjen e protestuesve të cilët kishin shkatërruar një prej dyerve.
Pas një orë përplasje, protestuesit largohen dhe nisin marshim nëpër rrugët e Tiranës duke shkatërruar bankomatë e stacion urbanësh. Një pjesë e tyre sulmon ministrinë e Ekonomisë, ndërsa kur mbërritën te Kuvendi policia i shpërndau menjëherë. Sulmit me gurë nuk i shpëtoi as ministria e Infrastrukturës, ku protestuesit bllokuan edhe rrugën duke u ulur në tokë.
Lajmi në përditësim...

Pas kioskës së djegur, disa pemë në 'Bulevardin Dëshmorët e Kombit' janë përfshirë nga flakët e vëna nga protestuesit.
Një tjetër kioskë është djegur nga protestuesit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Tymi i zi ka mbuluar zonën.
Një person në zonën e Lagunës, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ka mbetur pa ndjenja për shkak të gazit lotsjellës, gjatë protestës së dhunshme të organizuar në Tiranë.
Report Tv ka siguruar pamje të protestuesit të shtrirë në tokë, ndërkohë që një grup personash të tjerë i kanë ardhur në ndihmë.
Protestuesit janë përplasur sërish me policinë në 'Bulevardin Dëshmorët e Kombit'.
Me maskë dhe kapuçë ata kanë hedhur fishekzjarre në drejtim të uniformave blu.
Protestuesit kanë vijuar marshimin e tyre drejt Kryeministrisë, ku një numër i madh protestuesish janë mbledhur te Ura e Vodafone, pranë Piramidës së Tiranës.
Siç shihet në pamjet e siguruara nga Report Tv në zonë janë përmbysur kosha mbeturinash, kanë shkatërruar sinjalistikën rrugore dhe në mes të rrugës u kanë vënë objekteve flakën.
Protestuesit po përplasen me policinë te Kryeministria. Ata po u kthejnë mbrapsht gazin lotsjellës, duke e hedhur në drejtim të efektivëve të policisë.
Protestuesit kanë kthyer në kaos total zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, ku kanë djegur kosha mbeturinash në disa rrugë të zonës.
Kosha mbeturinash të djegur ka pasur te rruga Vaso Pasha, te rruga Edit Durham, por edhe në zona të tjera të ish-Bllokut.
Ndërkohë protestuesit e dhunshëm gjatë marshimit në bllok kanë sulmuar edhe bizneset private që gjenden në zonë.
Protestuesit pasi kanë plaçkitur banka e biznese private në rrugët e Tiranës, janë grumbulluar sërish te Kryeministria, drejt së cilës kanë hedhur gurë dhe sende të forta.
Ndërkohë efektivët e Policisë që janë të vendosur krah godinës, u jan kundërpërgjigjur protestuesve me ujë e gaz lotsjellës.
Të gjithë grupet e protestuesve janë rikthyer sërish në bulevardin para Kryeministrisë.
Protestuesit ka vijuar me shkatërrimet e kompanive celulare te 'rruga e Elbasanit'.
Ata kanë thyer xhamat e biznesit, ndërsa në rrugë kanë flakur dokumenta të kompanisë.
Protestuesit i dhunshëm kanë vijuar sulmet ndaj institucioneve financiare në Shqipëri, duke u ndalur sëfundmi te një tjetër bankë e nivelit të dytë në kryeqytet.
Ky sulm është në vazhdën e të tjera sulmeve ndaj bankave dhe institucioneve financiare në kryeqytet. Nga pamjet duket se protestuesit kanë plaçkitur gjithçka brenda bankës dhe kanë nxjerrë dokumentat në rrugë.
Nëndrejtori i Policisë së Durrësit dhe pesë efektivë të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë protestës së zhvilluar në qytet. Ata po marrin trajtim në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe, sipas ministres Klodiana Spahiu, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Spahiu ka publikuar pamje nga spitali, ku ka shprehur mirënjohjen për mjekët, infermierët dhe ekipet e urgjencës që po kujdesen për personat e lënduar.
Ajo u ka bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të kujdesen për fëmijët dhe të rinjtë, duke i mbrojtur nga përfshirja në akte dhune.
“ Dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen time të plotë për mjekët, infermierët, ekipet e urgjencës dhe çdo punonjës shëndetësor në të gjithë Shqipërinë, të cilët po përballojnë me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi situatën e krijuar, duke garantuar kujdesin e nevojshëm për çdo person të lënduar. Një thirrje për prindërit, mësuesit dhe pedagogët: të kujdesemi së bashku për fëmijët dhe të rinjtë tanë, t’i ndërgjegjësojmë dhe t’i mbrojmë nga përfshirja në akte dhune që mund të rrezikojnë jetën dhe të ardhmen e tyre. Të dashur të nxënës dhe studentë, protesta paqësore është e drejta juaj legjitime, por dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk mund të justifikohet nga asnjë kauzë" shkroi ajo në Facebook
Një vajzë e pranishme në protestat e dhunshme që po zhvillohen prej 3 ditësh në Tiranë, është dëmtuar në kokë.
Dyshohet se ajo u dëmtua pasi një bombol e hedhur nga Policia për përhapjen e gazit lotsjellës i ra në kokë. Për shkak të gjakderdhjes së madhe, ajo u transportua me urgjencë në spital për marrjen e ndihmës mjekësore.
Ende nuk ka informacione të sakta mbi rrethanat e dëmtimit të saj, por kujtojmë se protestuesit kanë hedhur sasi të mëdha gurësh dhe sendesh të forta në drejtim të institucioneve, bankave, bizneseve private dhe forcave të policisë.
Në të dyja anët e Lanës në Unazë po shpalosen skena kaotike. Shpërthime dëgjohen në zonë ndërkohë që me qindra protestues të maskuar shihen se kanë bllokuar rrugën. Protestuesit shihen duke shkulur shtyllat e ndriçimit e shkaktuar dëme në hapësirat publike.
Situatë e tensionuar te rruga e Elbasanit. Protestuesit kanë shenjëstruar një tjetër kioskë duke i vënë flakën. Protestuesit mblodhën edhe koshat në mes të rrugës, i vendosën flakët, ndërsa hodhën edhe fishekzjarrë.
Protestuesit e maskuar kanë sulmuar një tjetër bankë pranë 'rrugës së Elbasanit'.
Ndërkohë raportohet se ka mbetur e lënduar një protestuese.

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e të lënduarve deri në orën 16:15. Katër protestues dhe katër policë vijojnë të marrin trajtim në Spitalin e Traumës.
15 persona kanë marrë trajtim mjekësor pas protestave të dhunshme, mes tyre 9 efektivë policie, 4 protestues dhe 2 të mitur. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një efektiv policie nga Shkodra ndodhet në monitorim intensiv në Spitalin e Traumës.
Në këtë spital janë paraqitur gjithsej 14 të lënduar, mes tyre 8 policë, 4 protestues dhe 2 të mitur. Aktualisht, katër efektivë vijojnë të marrin kujdes mjekësor, dy prej të cilëve janë në gjendje të mirë shëndetësore. Në spital ndodhen edhe katër protestues, të gjithë në gjendje të mirë.
Njëri prej të miturve është larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, pasi mori trajtimin e nevojshëm nën kujdesin e ekipit mjekësor dhe në praninë e psikologut. Ai është larguar i shoqëruar nga prindi.
Ndërkohë, në QSUT “Nënë Tereza” është paraqitur edhe një efektiv policie, i cili ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është larguar sipas rekomandimit të mjekëve.
Protestuesit po vijojnë me dhunën e tyre në rrugët e kryeqytetit.
Të maskuar ata kanë djegur koshat në zemër të Tiranës. Ndërkohë një tjetër shihet se ka hipur në një shtyllë.
Pamjet që vijnë nga protesta në Tiranë tregojnë një grup protestuesish të maskuar që kanë shkatërruar plotësisht një dyqan të telefonisë celulare. Xhamajt e vitrinës janë thyer ndërsa protestues të shumtë shihen që futen brenda për të plaçkitur. Ky është vetëm një nga bizneset e shumta që janë goditur nga protestuesit gjatë këtyre 72 orëve të fundit.
Prej tre ditësh, rrugët e Tiranës janë pushtuar nga kaosi dhe dhuna e protestuesve.
E ndërsa sulmet drejt policëve kanë vijuar, një protestues i maskuar është ulur në karrige në mes të bulevardit 'Dëshmorët e Kombit'.
Një grup i protestuesve të dhunshëm janë grumbulluar para godinës së Kryeministrisë.
Forcat e Policisë ndodhen rreth Kryeministrisë, për të mbrojtur institucionin nga sulmet e dhunshme të protestuesve. Protestuesit kanë nisur sulmet me gurë e sende të forta drejt forcave të Policisë, ndërkohë efektivët u janë kundërpërgjigjur me ujë e gaz lotsjellës.
Për tre ditë me radhë protestuesit kanë sulmuar me gurë, molotovë dhe sende të forta institucionet, bankat dhe bizneset private.
Protestuesit vijojnë të shkatërrojnë kamera e semaforët që u dalin para.
Ish-Ambasada Ruse në Tiranë është sulmuar gjatë protestave në kryeqytet. Nga sulmi ka marrë flakë kabina e rojes.
Protestuesit vijojnë me sulmet ndaj policisë, duke hedhur kapsolla drejt tyre.
Për shpërndarjen e tyre blutë kanë përdorur gaz lotsjellës në hyrje të Bllokut.

Protestat e dhunshme në Durrës janë shoqëruar edhe me ndërprerjen e seancave gjyqësore në Seksionin Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Përmes një njoftimi, Gjykata bën të ditur se seancat e planifikuara për sot, 15 tetor, nuk do të zhvillohen për të garantuar sigurinë fizike. Përjashtim bëjnë vetëm seancat me karakter urgjent.
Ndërkohë, Seksioni Civil do të vijojë punën normalisht.
Protestuesit vijojnë me aktet e dhunshme në kryeqytet.
Ata kanë dëmtuar një tjetër bankë të nivelit të dytë te 'Shallvaret', ndërsa kanë vijuar me shkatërrimet e bizneseve, shtyllave të ndriçimit dhe koshat e plehrave.
Protestuesit nuk janë mjaftuar vetëm me sulmin shkatërrimin e bizneseve apo bankave.
Ata kanë sulmuar edhe me gurë oficerin e krimeve në komisariatin në Korçë. Siç shihet edhe nga pamjet e sigurura Erion Prendo ishte duke ecur kur protestuesi e gjuan me gurë.
24 persona janë shoqëruar nga policia pas protestës në Korçë. Mes tyre ka edhe të mitur, përfshirë 14-vjeçarë, si dhe të rinj të moshës 16 dhe 17 vjeç dhe protestues deri në 41 vjeç.
Shoqërimet vijnë pas tensioneve dhe incidenteve të regjistruara gjatë tubimit, ndërsa pritet të mësohen detaje të mëtejshme mbi arsyet e shoqërimit dhe procedurat e ndjekura ndaj tyre.
Protesetuesit e maskuar kanë vijuar me shkatërrimet e bizneseve.
Në një dyqan pasi e kanë dëmtuar, ata kanë vjedhur edhe celularë.
Protestuesit kanë djegur të koshat në qendër të Tiranës, pasi shkatërruan një bankë të nivelit të dytë në këtë zonë.
Një bankë e nivelit të dytë në zemër të Tiranës është plaçkitur dhe shkatërruar totalisht nga protestuesit. Një grup prej tyre, pjesë më e madhe me maska në fytyrë me qëllim që mos të identifikohen, shkatërruan bankën me shkopinj hekuri e sende të forta.
Fillimisht protestuesit sulmuan fasadën e xhamtë, bankomatët dhe më pas u futën brenda saj duke shkatërruar çfarë gjetën brenda.
Madje, arritën të marrin edhe dokumente nga brenda bankës dhe t’i nxjerrin në rrugë duke u vënë flakën. Policia ndërhyri vetëm pasi protestuesit shkatërruan gjithçka, duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës.
Sulmet me gurë, hekur dhe sende të forta ndaj policisë gjatë protestave të sotme në Shkodër dhe Durrës kanë lënë të plagosur disa efektivë. Më e rëndë paraqitet gjendja e policit Fasli Rama, i cili është goditur në kokë në Shkodër dhe është futur në operacion në Spitalin e Traumës.
Pamjet nga Shkodra tregojnë efektivin të shtrirë përtokë, ndërsa kolegët i afrohen për t'i dhënë ndihmën e parë. Më pas, ata e marrin në krahë dhe e shoqërojnë drejt makinës për ta transportuar në spital.
Edhe në Durrës janë regjistruar sulme ndaj forcave të policisë. Pamjet tregojnë protestues që godasin efektivët me gurë, shkopinj dhe sende të forta. Pas përplasjeve, policia ka shoqëruar në komisariat 10 protestues që hodhën gurë dhe pllaka ndaj efektivëve.
Ndërkohë, ministrja Klodiana Spahiu ka bërë të ditur se në Spitalin Rajonal të Durrësit po marrin trajtim nëndrejtori i Policisë së Durrësit dhe pesë efektivë të tjerë, të plagosur gjatë protestës.
Sipas saj, të gjashtë janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga spitali, Spahiu ka falënderuar personelin mjekësor dhe u ka bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga përfshirja në akte dhune.
“Protesta paqësore është e drejta juaj legjitime, por dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk mund të justifikohet nga asnjë kauzë”, shkruan ajo.
Hekuri me të cilin u sulmua efektivi në Shkodër
Përmes sheshit “Skënderbej”, protestuesit i janë drejtuar Ministrisë së Mjedisit duke hedhur gurë. Sulmi është zgjeruar edhe drejt Teatrit të Kukullave, të cilit i janë thyer xhamat.
Goditjet ishin në formë breshërie ndaj efektivëve.
Forca Kombëtare e Sigurisë po përgjigjet me gaz lotsjellës duke i bërë protestuesit të tërhiqen disi.
Protestuesit e maskuar po i bëjnë shenja njëri-tjetrit që të mblidhen edhe më pranë dhe kanë nisur të grumbullojnë pllaka e gurë duke i futur në çanta e xhepa.
Protestuesit e mitur të maskuar i janë drejtuar bashkisë së Tiranës, duke e sulmuar për herë të dytë. Ata po hedhin gurë e fishekzjarrë drejt godinës.
Policia po hedh gaz lotsjellës, por era po e devijon në anën e kundërt.
Forca të shumta policie ndodhen pranë selisë së PS, ku momentalisht ka edhe përqendrim të protestuesve të maskuar.
Disa prej tyre kanë hyrë edhe në rrugën “Çamëria” apo e njohur si zona e tregut çam. Vihet re se edhe në këtë pjesë, shumica e bizneseve janë të mbyllura.
Pamje të rënda dhune vijnë nga Durrësi, ku forcat e policisë janë sulmuar me shkopinj dhe sende të forta nga protestuesit. Gjithçka ndodh në fraksion sekondi. Forcat e policisë përpiqen të mbrojnë godinet nga sulmet vandale por turma e madhe me shkopinj e sende të forta rrethojnë 2 policë dhe i sulmojnë ata. Drejt tyre hidhen edhe karrige dhe gurë.
Gjatë protestës, të njëjtët protestues kanë shkatërruar edhe ambientet e Postës Shqiptare, duke shkaktuar dëme materiale.
Në “Rrugën e Durrësit” gjenden disa patrulla policie si dhe një ambulancë. Në zonë nuk ka shumë njerëz dhe për momentin situata është e qetë.
Policia ka nisur të pastrojë edhe rrugën e mbushur me gurë e pllaka te Ministria e Arsimit.
Pasi tentuan sulmin ndaj selisë së PS, protestuesit kanë nisur të shkulin kangjellat në qendwr tw Tiranws.

Protestuesit kanë tentuar të hedhin gurë dhe sende të tjera për të shkatërruar selinë e Partisë Socialiste. Policia ka hedhur menjëherë gaz lotsjellës në sasi të madhe duke i shpërndarë.
Protestuesit po hedhin ende gurë drejt efektivëve dhe këta të fundit kundërpërgjigjen me gaz.
Pamjet që Report TV sjell nga Kukësi tregojnë grupe të rinjsh dhe të miturish që lëvizin në qendër të qytetit, ku janë shkatërruar stola dhe tabela të qarkullimit rrugor. Sulmeve me gurë nuk i ka shpëtuar as godina e Pallatit të Kulturës. Pranë turmës shihen edhe forca policie, ndërsa ajo që bie në sy është prania e shumë fëmijëve dhe të miturve mes grupeve që po lëvizin nëpër rrugët e qytetit.
Vijojnë aktet e dhunës në qendër të Tiranës. Protestuesit godasin edhe qepenet e bizneseve të mbyllur
Dy adoleshentët e shoqëruar nga policia gjatë protestës në Korçë janë liruar.
Ndërkohë gjatë zhvillimit të protestës Report tv siguron pamje ku shihet, një qytetare e cila është futur mes turmës së protestuesve dhe është përplasur me të rinjtë që po protestojnë.
Protesta në Korçë vijon, ndërsa shihen protestuesit duke ndezur zjarr dhe duke djegur karrige e stola në mes të qytetit.

Kalaja e Tiranës është mbyllur gjithashtu prej sulmeve të protestuesve. Dera e saj kryesore nga ana e pedonales është e kyçur. Zona e Kalasë është edhe një prej pikave turistike të kryeqytetit si dhe një pikë e rëndësishme biznesesh.
Pamjet që vijnë nga Durrësi tregojnë dëmet e shkaktuara nga sulmi i sotëm ndaj ambienteve të Postës Shqiptare. Xhama të thyer, mobilie të rrëzuara, karrige të përmbysura, tavolina të shkatërruara dhe gurë të shpërndarë në ambientet e brendshme. Kjo është gjendja në të cilën ka mbetur Posta Shqiptare pas sulmit.
Studentët e Elbasanit janë mbledhur para godinës së Bashkisë, duke thyer sende dhe orendi. Studentët kanë shembur gjithçka u ka dalë përpara, kanë djegur pothuaj të gjitha koshat e plehrave në rrugën kryesore por edhe tabela rrugore. Gjatë protestës ata kanë shembur edhe derën e gjimnazit 'Kostandin Kristoforidhi'
Tensionohet situata në Korçë. Gjatë protestës së studentëve, janë sulmuar me gurë institucionet arsimore dhe komisariatin e qytetit. Ata janë pozicionuar rreth godinës ndërsa policia ka bllokuar rrugicën që të çon drejt institucionit. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report TV, forca të shumta të policisë po shoqërojnë studentët një e nga një ambientet e komisariatit të qytetit
Protestuesit kanë sulmuar një kioskë pas Muzeut Kombëtar në Tiranë. Ata kanë marrë frigoriferët dhe iu kanë vënë flakën në mes të rrugës. Po ashtu, protestuesit kanë shkulur edhe degët e pemëve dhe i hedhin në zjarr.
Të tjera bizneseve u kanë thyer xhamat.
Protestuesit në Vlorë janë zhvendosur para Bashkisë, ku kanë vijuar protestën në rrugët e qytetit. Ata kanë qëlluar me vezë në drejtim të godinës së institucionit.
Protestuesit kërkojnë përmirësimin e kushteve në universitete dhe uljen e tarifave studentore.
Gjithashtu paralajmërojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.
Një godinë është përfshirë nga flakët pranë Ministrisë së Arsimit. Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Protestuesit kanë sulmuar efektivët e Policisë gjatë përplasjeve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për t'i shpërndarë.
Protestuesit e maskuar kanë sulmuar efektivët e Policisë te Ministria e Ekonomisë. Efektivët tentuan të ndërhynin pas akteve vandale ndaj ministrisë, por protestuesit iu kundërpërgjigjën duke i sulmuar me sende të forta.
Ata hodhën në drejtim të efektivëve shkopinj druri, gurë e copa dërrasash, ndërsa momenti më i rëndë ishte kur dy protestues të maskuar morën një kangjellë hekuri dhe e hodhën drejt policëve.
Gjatë protestës së dhunshme në Tiranë, protestuesit kanë thyer derën anësore dhe xhamat e Ministrisë së Ekonomisë.
Një djalë i maskuar ka hipur në një prej shtyllave ku ndodhet një kamera sigurie e më pas duke përdorur një shufër hekuri, e thyen.
Edhe protesta e sotme ka përshkallëzuar në akte të mëtejshme dhune. Protestuesit e maskuar kanë shkatërruar një bankomat pranë Katedrales së Shën Palit duke përdorur një tabelë rrugore, si dhe një kioskë në kryqëzimin e “Rrugës së Elbasanit” ku po marrin çka brenda.
Në mes të rrugës kanë hedhur edhe një frigorifer, kangjella hekuri e pllaka.
SHKODËR- Me thirrjet “Rama ik”, dhjetëra studentë bojkotuan mësimin dhe dolën në protestë. Ata marshuan nga fakulteti i Gjuhëve të Huaja drejt Bashkisë Shkodër, ku qëlluan me gurë godinën e institucionit vendor.
Më pas u ndalën përpara godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku qëlluan me gurë dhe me vezë.
Më tej studentet vijuar revoltë, duke thyer derën e selisë së PD. Menjehere policia ka nisur shoqerimet në Sheshin “Isa Boletini”.
Deri më tani janë shoqëruar 3 protestues. Shihet në pamje se protestuesit i kapin efektivë civile pa uniformë dhe më pas i dorëzojnë tek forcat e rendit që iu vënë prangat dhe I shoqërojnë në komisariat.
Studentët u shprehën se do t’i vijojnë protestat, ndërsa shprehën mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me protestuesit në Tiranë.

Me përdorimin e spray-t me piper dhe ujit, policia ka arritur të zhbllokojë rrugën te Ministria e Infrastrukturës. Protestuesit po sprapsen dhe tani po i drejtohen rrugës “George W. Bush.”
Protestuesit kanë bllokuar plotësisht “Rrugën e Elbasanit” duke mos lejuar kalimin e automjeteve, përveçse një ambulance.
KORÇË- “Dilni nga shkolla!”, dëgjohen të thërrasin protestuesit të cilët kanë shkelmuar derën e njè gjimnazi në Korçë ndërsa mësuesit janë vendosur përpara saj për të mbrojtur ambientet e shkollës. Ata kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të një shkolle tjetër, ku shihen copa xhamash të thyer.
Gjithashtu protestuesit kanë djegur stola e karrige dhe kosha mbeturinash në mes të rrugës, ndërsa janë parë duke mbajtur flakadanë.
Me gurë dhe vezë është goditur godina e Drejtorisë Arsimore, si dhe Rektorati i Universitetit të Korçës. Nga pamjet e siguruara nga Report tv policia menjëherë ka filluar me shoqërimin e protestuesve.
Protestuesit e vendosur para bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, kanë nisur sulmin me gurë ndaj kësaj të fundit.
Tani protestuesit janë ulur në rrugë përpara ministrisë. Gratë e vajzat janë shtrirë në tokë duke bllokuar qarkullimin. Policia po hedh spray me piper për t'i shpërndarë.
Protestuesit kanë sulmuar me gurë godinën e Kuvendit të Shqipërisë. Policia ka ndërhyrë menjëherë duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve të distancohen nga aktet e dhunës gjatë protestave dhe të largohen nga vendet ku ka përplasje. Policia u kërkon prindërve të kujdesen për fëmijët e tyre.
“Të dashur nxënës, të nderuar prindër! Ju bëjmë thirrje të ruani qetësinë dhe të distancoheni nga çdo akt dhune! Të dashur nxënës, mos u përfshini në veprime të dhunshme që rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen tuaj! Mos lejoni që askush t’ju përfshijë në situata të rrezikshme! Largohuni menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë!
Një apel i veçantë për prindërit! Kujdesuni për fëmijët tuaj! Këshillojini fëmijët të qëndrojnë larg çdo situate të dhunshme. Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët!
Policia e Shtetit është në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e çdo qytetari. Ju lutemi, bashkëpunojmë”, apelon Policia e Shtetit.
Një grup vajzash mundohen të pengojnë lëvizjen e policisë pranë Galerisë së Arteve. “Hiqni kapelet”, dëgjohen t’u thonë ato policisë. Në krye të tyre qëndrojnë aktivistët e njohur të ‘flamingove’, përfshirë Arvina Lleshin.
Momentalisht janë vendosur Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia e Tiranës dhe po u bashkohen qytetarë e të rinj të tjerë. Policia është përpjekur t’i shpërndajë protestuesit me spray me piper në momentin kur hedhin gurë. Pranë është një autobot që hedh ujë ose gaz lotsjellës.
Në hyrje të institucioneve janë marrë masa për të mos pasur depërtime të protestuesve.
Me qeleshen karakteristike dhe flamurin kombëtar në kokë, Arben Kola është gjendur përballë parlamentit bashkë me një grup protestuesish.
Kujtojmë që Arben Kola është një prej organizatorëve të protestës së flamingove që është zhvilluar për 4 muaj përpara kryeministrisë.
Akteve vandale të protestuesve s’iu ka shpëtuar as muzeu i Shtëpisë së Gjetheve. Me sende të forta dhe me maska në kokë, një grup protestuesish shkatërruan derën hyrëse.
Edhe në Divjakë ka vijuar marshimi i protestuesve.
Gjatë protestës, ata i kanë vënë flakën një kabine prej druri.
Protestuesit kanë ndryshuar itinerar duke lënë pas Ministrinë e Arsimit për t’u nisur drejt parlamentit. “Rruga e Durrësit” që deri pak më parë ishte ‘arenë’ lufte, tanimë është e boshatisur.
Këto janë momentet kur protestuesit e maskuar sulmojnë me gurë efektivët te Ministria e Arsimit.
Protestuesit e maskuar kanë nisur të shkulin kangjellat në rrugën e Durrësit, ku janë mbledhur prej orëve të para të mëngjesit në protestë.
Gaz lotsjellës është hedhur brenda Ministrisë së Arsimit për të penguar hyrjen e protestuesve, të cilët kanë arritur të hapin një nga dyert e godinës. Ndërhyrja synon të ndalojë futjen e tyre në ambientet e ministrisë.
Një grup protestuesish kanë mbërritur në protestë nga ana e Zogut të Zi duke qëlluar me gurë efektivët. Një grup tjetër është nga ana e sheshit Skëndërbej.
Protestuesit në Elbasan kanë shkulur kangjellat dhe kanë duke dëmtuar ndriçuesit rrugorë, tabelat dhe reklamat përgjatë rrugës së qytetit. Disa prej tyre janë shoqëruar në polici.
Më pas protestuesit janë zhvendosur para Komisariatit të Policisë, ku kanë vijuar tubimin.
Ata kanë bërë thirrje për lirimin e protestuesve të shoqëruar.
Protestuesit kanë shkatërruar një stacion urbanësh në Tiranë, duke thyer xhamat e tij. Siç shihet edhe nga pamjet, copat e xhamave janë shpërndarë në tokë.
Ka rinisur përplasja mes protestuesve dhe policisë, ku gurët morën si kundërpërgjigje hedhjen e ujit.
Përplasjet mes tyre u kthyen edhe fizike, pasi disa efektivë goditën disa protestues dhe i tërhoqën zvarrë. Të tjerë të rinj po shoqërohen.
Një grup protestuesish të pajisur me maska, janë grumbulluar para Bashkisë së Durrësit.
Ata kanë hedhur kapsolla dhe kanë sulmuar me vezë drejt Bashkisë.
Ndërkohë pranë institucionit kanë ndezur dhe një zjarr duke shkaktuar tym teksa aty shihen një grup i madh efektivësh policie.
Policët i kanë hequr vetë kangjellat nga rruga në mënyrë që protestuesit mos t’i përdorin për akte dhunës.

Një grup nxënësish në Kamzë braktisën mësimin dhe u lëshuan rrugëve për të marrë pjesë në protestën që po zhvillohet në Tiranë prej 3 ditësh.
Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli bëri thirrje publike që të mos keqpërdoret rasti i rreth 50 fëmijëve, pasi në të 25 shkollat që mbulon bashkia mësimi sipas tij vijon normalisht.
“U bëjmë thirrje mediave të mos keqpërdorin rastin e rreth 50 fëmijëve në Kamëz, të nxitur nga manipulime në rrjetet sociale.
Në të 25 shkollat e Kamzës, mësimi vijon normalisht, kështu që ftojmë mediat të vijnë dhe të verifikojnë nga afër vijimin normal të procesit mësimor në të gjitha shkollat e Kamzës.
Sot, falë mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, shkollat e Kamzës janë institucione me standarde të Bashkimit Europian.
Faleminderit!”, shkruan Suli.
Pas ndërhyrjes së parë të Policisë, një tjetër grup protestuesish ka mbërritur te Ministria e Arsimit. Në krye të grupit qëndrojnë persona të maskuar.
Policia reagoi direkt me gazlotsjellës.
Report Tv sjell pamjet nga një moment kur protestues armatosen me shishe qelqi ndërsa ndodheshin te Ministria e Arsimit.
Mbi një kabinë janë vendosur një grumbull shishesh, të cilat ata zgjaten për t’i marrë.
Në mesin e tyre, dallohen edhe protestues që duken në moshë të mitur.
Kanë vijuar marshimet e protestuesve në Korçë, të cilët kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të një shkolle, ku shihen copa xhamash të thyer.
Gjithashtu ata janë zhvendosur në rrugët e qytetit ndërsa kanë goditur me gurë edhe godinën e Rektoratit.
Një moment debati është regjistruar mes anëtares së PD, Ilirjana Kuçanës dhe policisë.
“Ki kujdes, kërko falje tani! Ke gjuajtur mbrëmë edhe një deputet! T’ju vijë turp!”, i thotë Kuçana.
Protestuesit kanë shkelmuar derën e një gjimnazi në Korçë, ndërsa mësuesit janë vendosur përpara saj për të mbrojtur ambientet e shkollës.
“Dilni nga shkolla!”, dëgjohen të thërrasin protestuesit, ndërsa një prej mësuesve u drejtohet nxënësve duke theksuar se dalja në protestë është zgjedhja e tyre, por pa dëmtuar ambientet e institucionit.
“Është dëshira e tyre, le të dalin, por të mos cënohen gjërat. Është vullneti i tyre”, dëgjohet të thotë një prej mësuesve.
Pas largimit nga ambientet e shkollës, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e qytetit, ku kanë nisur dëmtimet e infrastrukturës publike, përfshirë tabelat rrugore.
Me gurë dhe vezë është goditur edhe godina e Drejtorisë Arsimore në Korçë.

Sapo protestuesit mbërritën te Ministria e Arsimit, policia nisi direkt me shpërndarjen duke hedhur gaz lotsjellës. Studentët janë shpërndarë nga rruga kryesore para Ministrisë së Arsimit.
Policia ka nisur me shoqërimet e para të disa protestuesve që vinin nga parlamenti. Ndërkohë në rrugët e kryeqytetit kanë nisur incidentet e para me zjarre në rrugë e kosha të djegur.
Në Shkodër, protestues të maskuar kanë qëlluar me vezë derën e godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Pas universitetit studentët kanë marshuar drejt Bashkisë së Shkodrës ku kanë qëlluar me gurë.
Protestuesit marshuan në rrugën e Elbasanit duke bllokuar qarkullimin për pak kohë në njërin kah. Disa protestues shkulën tabelat e sinjalistikës rrugore dhe dogjën koshat në mes të rrugës. Ata u ndalën edhe te shkolla e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe bënë thirrje për bojkot mësimi.
Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar sot mësimin dhe kanë dalë në protestë. Tanimë i janë drejtuar bashkisë dhe po bëjnë thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”
Kur kaluan pranë një dege të Partisë Demokratike, deklaruan “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite!”
Pika fundore duket se do të jetë godina e rektoratit.

Pas dy ditësh protestash të dhunshme në Tiranë, janë regjistruar 3 procedime penale. Tre prokurorë po hetojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të akteve të dhunës.
I boshatisur është paraqitur këtë mëngjes Fakulteti i Bujqësisë në Korçë, ku pedagogët janë paraqitur në ambientet e fakultetit, por studentët kanë bojkotuar mësimin.
Mbi 80% e studentëve nuk janë paraqitur në auditorë në shenjë mbështetjeje për protestën e zhvilluar në Tiranë.
Ndërkohë studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet rreth orës 11:00 në qendër të qytetit.
Në Durrës, një grup i jashtëm organizator që nuk i përket universitetit “Aleksandër Moisiu” po bëjnë thirrje për bojkotim të mësimit. Atyre u janë bashkangjitur disa dhjetëra studentë që po shkojnë nëpër fakultete dhe bëjnë thirrje për bojkot si dhe përsërisin “Rama jepe dorëheqjen.”
Në plan kanë një marshim në këmbë nga universitet “Aleksandër Moisiu” në qendër të Durrësit në mbështetje të protestës në Tiranë.
Edhe gjimnazistë e studentë në Elbasan kanë nisur të grumbullohen duke bojkotuar mësimin për të vijuar më pas me protestën.
Të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës kanë nisur me bojkotimin e mësimit për t’iu bashkuar protestës.
Disa gjimnazistë kanë shkuar te Hoteleri-Turizmi duke u bërë thirrje “bashkohuni me ne!”
Afër gjimnazeve “Ismail Qemali” e “Partizani” kanë nxjerrë në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke u vënë flakën, si dhe po hedhin fishekzjarre.
Edhe nga shkollat e Kamzës ka bojkot të mësimit me thirrjen “të gjithë së bashku!”
-
I BEJ THIRRJE PROTESTUESVE TE FUTEN NE PARLAMENT DHE TA DJEGIN TERESISHT.....OSE NE KRYEMINISTRI...VETEM KESHTU JEP DOREHEQJEN RAMA.....
Përgjigju -
Kjo eshte rinia shqiptare Turp
Përgjigju -
Hë mo, Qrkeni working from home sot. Pa ea sistemi do ngeleni pa sufllaqe
Përgjigju -
O njerez,sa te jete shefi i UDB-ës per Shqiperine,kryetar partie,pushtetar,etj ne keshtu do vazhdojme,me shkaterrime.Ndiqni kronologjine e ngjarjeve,sa here ka nevoje Serbia,ndodh diçka madhore ne sensin negativ, ne vendin tone.Rama,nuk ishte ne gjendje ta zhdukte kete fare te keqe qe po shkatarron Shqiperine.
Përgjigju -
kta jane mostra sjane studente. Krimbat e shoqerise. Por sidomos fundrrinat qe i drejtojne si nga ana e shqupit si nga ana e mavrive te ps. Shkaterroni shtepite tuaja o plehra. Tirona e tironcve. Maloket te kthehen ne shpella.
Përgjigju -
Shkoni re parazit nga i pari Ke i fundit.
Përgjigju -
sot do ju vijme dhe juve aty tek reporti, nga sot do jeni pa pune se deri tani keni punuar vetem per edi ramen dhe keni henger parate tone. pritni aty
Përgjigju-
O Arli o Plehre publike. Ti dhe shoket e tu bashke me ata qe ju organizojn e paguajne duheni varur. Po ne skemi shtet. Ku e gjen ti te drejten te shkaterrosh pronen private dhe publike? O mi lendinash.
-
Të gjithë protestuesit sjanë tjetër veç njerëz të dështuar, që nuk janë të aftë të bëjnë asgjë në jetën e tyre ,policia po tregohet shumë e butë, unë do i futja të gjithë në burg për thyrje të pronës publike që ndërtohen me taksat tona dhe I them Edit të mos japë dorheqjen se ja kërkojnë disa që nuk dinë se çfarë kërkojnë që janë parazitë të këtij vendi nuk duan të punojnë dhe duan vetëm lekë.
-








Komente
Komento