Lajmi i fundit

LIVE - Revolta Studentore përfshin gjithë vendin: Rama jepe dorëheqjen!

PD: Dorëheqje e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme, deputetët e opozitës në krah të studentëve

PD: Dorëheqje e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme, deputetët e opozitës në krah të studentëve

10:01, 15/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dalë në mbështetje të protestës studentore, duke deklaruar se deputetët e opozitës do të qëndrojnë në krah të studentëve dhe të gjithë qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

Në deklaratën e saj, PD e cilëson lëvizjen studentore si një nga më të fuqishmet e 35 viteve të fundit, duke e lidhur atë me pakënaqësinë ndaj qeverisjes, korrupsionit dhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit nga kryeministri Edi Rama.

Sipas demokratëve, protesta nuk është thjesht një kundërshtim ndaj qeverisë, por një revoltë kundër një modeli qeverisës që, sipas tyre, u ka zbehur të rinjve shpresën dhe ka cenuar besimin e qytetarëve te institucionet.

PD dënon gjithashtu dhunën ndaj studentëve, duke pretenduar se ajo ka shkaktuar dëmtime të rënda fizike. Në deklaratë, opozita thekson se institucionet nuk mund të sillen sikur asgjë nuk po ndodh, ndërsa studentët protestojnë dhe universitetet përballen me bojkotin.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike artikulon dy kërkesa kryesore politike: dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, me detyrën për të përgatitur dhe garantuar zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme.

Kërkesa e dytë lidhet me vetëshpërndarjen e menjëhershme të Parlamentit aktual. Sipas PD-së, në kushtet e krizës së besimit dhe të kërkesës për ndryshim, Kuvendi nuk mund të pretendojë se përfaqëson normalisht vullnetin e qytetarëve.

DEKLARATA E PLOTE

Prej 48 orësh, Shqipëria po përjeton lëvizjen më të fuqishme studentore të 35 viteve të fundit. Kjo është përgjigjja e një brezi që refuzon të pranojë më tej keqqeverisjen, arrogancën, korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga pushteti i Edi Ramës.

Kjo lëvizje nuk është thjesht një protestë kundër një qeverie. Është një revoltë kundër një modeli të krijuar nga Edi Rama, i cili u ka vjedhur të rinjve shpresën, u ka cenuar qytetarëve besimin dhe po e largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga e ardhmja europiane.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është dhe do të mbetet, pa asnjë ekuivok, në krah të studentëve, nxënësve, të rinjve e të rejave, si dhe të çdo qytetari që ngrihet për dinjitet, drejtësi dhe një Shqipëri më të mirë.

Ne dënojmë fuqimisht dhunën brutale të ushtruar ndaj studentëve, për të cilën mbajmë përgjegjësinë politike pushtetin e Edi Ramës. Kjo dhunë, sipas raportimeve, ka kulmuar me thyerje gjymtyrësh, trauma në kokë, fraktura të rënda dhe dëmtime të tjera serioze.

Në këto momente, detyra jonë politike dhe qytetare është e qartë: të jemi pranë protestuesve, të mbështesim kërkesat e tyre dhe të dëgjojmë zërin e një brezi që nuk pranon më të trajtohet me përbuzje nga pushteti.

Kur studentët janë në rrugë, kur universitetet përballen me bojkotin dhe kur kërkesat e tyre kërkojnë përgjigje politike, institucionet nuk mund të sillen sikur asgjë nuk po ndodh. Nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë një krize të thellë politike dhe shoqërore, ndërkohë që zëri i qytetarëve shpërfillet dhe kërkesat e tyre mbeten pa përgjigje.

Për ne, mesazhi është i qartë: studentët në rrugë, deputetët e opozitës në krah të tyre! Nuk mund të ketë fasadë normaliteti institucional kur qytetarët kërkojnë ndryshim dhe pushteti zgjedh të mos i dëgjojë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike mbështet kërkesat politike për ndryshim dhe, në këtë moment vendimtar, qëndron përkrah kërkesave për:

Dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, me mision të vetëm përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme.

Vetëshpërndarjen e menjëhershme të Parlamentit aktual, i cili, përballë krizës së besimit dhe kërkesës së qytetarëve për ndryshim, nuk mund të pretendojë se përfaqëson normalisht vullnetin e tyre.

Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga një pushtet që e sheh çdo protestë si kërcënim dhe çdo kërkesë për llogaridhënie si sulm ndaj vetes.

Studentët nuk kanë nevojë për leksione arrogance dhe as për premtime të radhës. Ata meritojnë përgjigje, përgjegjësi dhe ndryshim real.

Sot, përgjegjësia është e qartë: të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe t’i hapet rrugë një zgjidhjeje politike që i rikthen vendit legjitimitetin demokratik.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të jetë në krah të qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Sepse Shqipëria nuk mund të jetë pronë e një njeriu, e një qeverie apo e një pushteti. Shqipëria u përket qytetarëve të saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco