Nga Boldnews.al
Pas më shumë se katër muajsh në shesh, protesta studentore dhe qytetare ka arritur së fundmi një pikë kulminante. Opinioni publik, i lodhur nga neglizhenca, prepotenca dhe injorimi i kërkesave të tyre nga qeveria e Edi Ramës, ka vendosur të japë një sinjal të fortë. Prej së martës së kësaj jave, mijëra të rinj e të moshave të tjera, kanë bllokuar rrugët kryesore të qytetit dhe janë përleshur me policinë.
Pamja më e dukshme e protestës është djegia e pjesshme e disa godinave qeveritare, përfshirë zyra në Ministrinë e Arsimit, apo hollin në Ministrinë e Ekonomisë. Nën vrullin e revoltës, protestues të ndryshëm kanë dëmtuar edhe disa biznese private.
Ndërkohë që shfryrja e dufit ndaj institucioneve publike është e mirëkuptueshme, dëmtimi i bizneseve private, përfshirë kompani sigurimi, banka apo edhe njësi të tjera private, është një situatë që, realisht është e nevojshme të shmanget.
Ka një diferencë shumë të madhe mes dëmtimit të godinave publike dhe sipërmarrjes private.
Institucionet shtetërore e kanë shumë të thjeshtë. “Boldnews.al”, por edhe media të tjera, kanë raportuar shpesh për tendera miliona euro që organizojnë ministritë për lyerje, karrige, zyra, tavolina e çdo gjë të ngjashme. Është raportuar se një pjesë e madhe e fondeve të këtyre tenderave përfundojnë në xhepat e zyrtarëve e zyrtarucëve të pafytyrë.
Ndaj, dëmtimi apo zjarri i ministrive nuk është se do t’u dhemb shumë marifetçinve të tenderave. Thjesht, u jep mundësinë që të kryejnë disa procedura të tjerë, por kësaj radhe, pjesa më e madhe e fondeve do të shkojnë për riparime dhe jo në xhepa “xhepistësh” të veshur me pushtet.
Por, shumë më ndryshe është dëmtimi tek bizneset. Kjo është një goditje për sipërmarrës privatë, të cilët, mund të jenë edhe mbështetës të protestës qytetare. Shumë prej tyre janë njerëz që vuajnë në kurriz taksidarët e paskrupullt, konkurencën e pandershme dhe krizën ekonomike.
Nga ana tjetër, sipërmarrja private është një motor i rëndësishëm punësimi, edhe për shumë nga ata studentë e të rinj që sot po kërkojnë me të drejtë që qeveria dhe qeveritarët t’i dëgjojnë.
Dëmtimi i bizneseve dëmton godet zinxhirin e prodhimit, godet familjen që jetojnë me të ardhurat e krijuara nga sipërmarrja private.
Ndaj, sot është e nevojshme një thirrje mirëkuptimi nga të gjithë të rinjtë e protestuesit që, me të gjithë të drejtën e tyre, shprehin revoltën mbi qeverinë e Edi Ramës: duhet respektuar, mbrojtur dhe mbështetur biznesi privat.
Është shumë e domosdoshme, për të mbrojtur thelbin e protestës.














