Sulmet me gurë, hekur dhe sende të forta ndaj policisë gjatë protestave të sotme në Shkodër dhe Durrës kanë lënë të plagosur disa efektivë. Më e rëndë paraqitet gjendja e policit Fasli Rama, i cili është goditur në kokë në Shkodër dhe pas një operacioni të suksesshëm në Spitalin e Traumës, është ende nën monitorim dhe ende nuk është jashtë rrezikut.

Pamjet nga Shkodra tregojnë efektivin të shtrirë përtokë, ndërsa kolegët i afrohen për t'i dhënë ndihmën e parë. Më pas, ata e marrin në krahë dhe e shoqërojnë drejt makinës për ta transportuar në spital.

Edhe në Durrës janë regjistruar sulme ndaj forcave të policisë. Pamjet tregojnë protestues që godasin efektivët me gurë, shkopinj dhe sende të forta. Pas përplasjeve, policia ka shoqëruar në komisariat 10 protestues që hodhën gurë dhe pllaka ndaj efektivëve.

Ndërkohë, ministrja Klodiana Spahiu ka bërë të ditur se në Spitalin Rajonal të Durrësit po marrin trajtim nëndrejtori i Policisë së Durrësit dhe pesë efektivë të tjerë, të plagosur gjatë protestës.

Sipas saj, të gjashtë janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga spitali, Spahiu ka falënderuar personelin mjekësor dhe u ka bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga përfshirja në akte dhune.

“Protesta paqësore është e drejta juaj legjitime, por dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk mund të justifikohet nga asnjë kauzë”, shkruan ajo.

Hekuri me të cilin u sulmua efektivi në Shkodër


Lajmi kryesor:

LIVE TV- ‘Betejë’ te Kryeministria/ Protestuesit sulm me gurë, policia i shpërndan me gaz! Digjen biznese, sulm institucioneve dhe bankave, 26 të lënduar


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:52
U plagos në kokë gjatë protestës në Shkodër, përfundon me sukses operacioni i policit 64-vjeçar! Kalon në reanimacion, ende jo jashtë rrezikut

Ka përfunduar me sukses ndërhyrja kirurgjikale në kokë e efektivit 64-vjeçar të policisë, i cili mbeti i plagosur gjatë protestës së dhunshme në Shkodër. Pas operacionit,  Fasli Rama i cili u godit në kokë me hekur, do të kalojë në reanimacion, ku do të vijojë të mbahet nën monitorimin e mjekëve.

Megjithëse ndërhyrja ka përfunduar me sukses, ende nuk mund të thuhet se polici është jashtë rrezikut. Gjendja e tij do të vijojë të ndiqet nga bluzat e bardha.

Ora 17:55
Dhuna në protestë, polici i plagosur në Shkodër futet në operacion për dëmtimin në kokë! 2 efektivë dhe 4 protestues te Trauma

Efektivi i policisë i plagosur në kokë gjatë protestës në Shkodër po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës. Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë në orën 17:50, polici me inicialet F.R. është futur në operacion për shkak të dëmtimit në kokë.

Në Spitalin e Traumës ndodhet edhe efektivi D.K., i cili është shtruar në Neurokirurgji për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, katër protestues vijojnë të marrin kujdes mjekësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Mes tyre është edhe protestuesja E.P., e cila ndodhet në monitorim intensiv, por është e vetëdijshme dhe paraqitet në gjendje të mirë.

Aktualisht, në QSUT “Nënë Tereza” nuk ka asnjë person të lënduar që po merr trajtim mjekësor.