Një denoncim ka ardhur në redaksinë e Boldnews.al për një skenar të mundshëm provokimi gjatë protestës së studentëve në Tiranë.
Sipas mesazhit, persona civilë mund të futen mes protestuesve dhe të hedhin fishekzjarrë në drejtim të turmës, me synimin për të shkaktuar panik dhe përplasje mes tyre.

Denoncimi vjen nga një studente, e cila pretendon se ka dëgjuar disa persona civilë duke biseduar me njëri-tjetrin për një veprim të tillë.
Sipas saj, ata kanë folur për hedhjen e fishekzjarrëve drejt studentëve, në mënyrë që protestuesit të shpërndahen dhe të lindin konflikte mes tyre.
Në mesazhin që po shpërndahet, ngrihet dyshimi se një veprim i tillë mund të synojë të krijojë përçarje mes studentëve dhe të nxisë akuza të ndërsjella për incidentet e mundshme gjatë tubimit.

Për këtë arsye, protestuesit u bëhet thirrje të tregojnë kujdes dhe të mos nxitojnë në përfundime nëse gjatë protestës shohin persona që hedhin fishekzjarrë drejt turmës.
Denoncimi publikohet në një moment kur protesta studentore në kryeqytet po zhvillohet në një klimë të tensionuar, ndërsa çdo incident mund të ndikojë në ecurinë e tubimit dhe në sigurinë e pjesëmarrësve.














