Partia Socialiste ka reaguar lidhur me aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestave në kryeqytet dhe në disa qytete të vendit.
Në deklaratën e saj, PS thekson se çdo person i përfshirë në veprimet e dhunshme duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit, duke paralajmëruar se askush nuk do të jetë mbi përgjegjësinë ligjore.
“Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit dhe gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë, sigurisht që do të paguajë”, thuhet në reagimin e socialistëve.
Në vijim, Partia Socialiste nënvizon se vendi nuk do të rikthehet te e kaluara, duke përcjellë mesazhin se e ardhmja e Shqipërisë duhet të ndërtohet mbi përparimin dhe perspektivën e qytetarëve.
“Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Shqiptarët kurrë më nuk do të jenë pengje të së shkuarës. E ardhmja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundon deklarata e PS-së.


