Pamjet që Report TV sjell nga Kukësi tregojnë grupe të rinjsh dhe të miturish që lëvizin në qendër të qytetit, ku janë shkatërruar stola dhe tabela të qarkullimit rrugor. Sulmeve me gurë nuk i ka shpëtuar as godina e Pallatit të Kulturës. Pranë turmës shihen edhe forca policie, ndërsa ajo që bie në sy është prania e shumë fëmijëve dhe të miturve mes grupeve që po lëvizin nëpër rrugët e qytetit.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Protestuesit mblidhen te Kryeministria, policia hedh gaz lotsjellës! Sulm Bashkisë, Kuvendit, 3 ministrive dhe bankave e bizneseve! Shkatërrim e zjarre në rrugët e Tiranës, 14 të lënduar
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Kukës, Rrahman Demaj, ka reaguar pas protestës së zhvilluar sot në qytet nga një grup protestuesish, duke shprehur mbështetjen e tij për të rinjtë dhe kërkesat e tyre për një të ardhme më të mirë.
Sipas Demaj e drejta për të protestuar dhe për të shprehur lirisht mendimin është e garantuar nga Kushtetuta dhe nga konventat ndërkombëtare.
Reagimi i plotë:
"Sot, rinia e qytetit tonë tregoi pjekuri, trimëri, kurajë dhe qytetari, duke dalë në shesh për të kërkuar një të ardhme më të mirë.
Me dinjitet dhe zë të lartë, të rinjtë e Kukësit shprehën revoltën e tyre ndaj politikave të kësaj qeverie dhe dhanë mbështetjen e tyre të plotë dhe pa rezerva për protestën e drejtë të bashkëmoshatarëve të tyre, studentëve në Tiranë. E drejta për të protestuar dhe për të shprehur lirisht mendimin është e garantuar nga Kushtetuta dhe nga konventat ndërkombëtare. Për këtë arsye, është e papranueshme që, përballë zërit paqësor të të rinjve, shteti të përgjigjet me presion.
Gjatë ditës së sotme, Policia Bashkiake kanë kryer veprime të dhunshme dhe të jashtëligjshme ndaj nxënësve të gjimnazit “Havzi Nela”. Ndalimi ndaj të miturve përbëjnë shkelje të hapur të ligjeve në fuqi. Në emër të Partisë Demokratike, Dega Kukës, u bëjmë thirrje zyrtare dhe të prerë drejtuesve të Policisë së Shtetit: Të lirohen menjëherë të gjithë të miturit e shoqëruar. Protesta paqësore është një e drejtë themelore që duhet respektuar dhe mbrojtur, jo ndëshkuar me dhunë."- thuhet në reagimn e tij.






