Nga Dario Skura
Katër vite më parë u largova nga Shqipëria. U largova për të kërkuar më shumë nga vetja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, por gjithmonë me një qëllim në mendje: që një ditë të kthehem dhe të kontribuoj për vendin tim. Sepse unë u largova nga Shqipëria, por Shqipëria nuk është larguar kurrë nga unë.
Dhe sot, edhe pse mijëra kilometra larg, më dhemb njësoj si të isha aty.
Kur studentët ngrihen në protestë, nuk ngrihen nga qejfi. Ngrihen nga mllefi, nga zhgënjimi, nga vitet e tëra të mosdëgjimit. Ngrihen kundër një klase politike me të cilën kemi lindur, jemi rritur dhe tani po ndërtojmë jetët e familjet tona. Të njëjtët njerëz, të njëjtat fytyra, të njëjtat premtime, i njëjti pushtet arrogant.
Egoja, arroganca dhe mospërfillja e politikanëve shqiptarë kanë arritur në nivele të neveritshme. Në vende të zhvilluara, politikanët japin dorëheqjen për përgjegjësi shumë më të vogla. Në Shqipëri, as burgu nuk i ndan nga karrigia. Fjala “dorëheqje” duket sikur është fshirë nga fjalori i politikës shqiptare. Sepse për ta, pushteti nuk është përgjegjësi. Është pronë personale.
Dhe për të gjithë ata që thonë: “Po kush do vijë më i mirë? Nuk kemi alternativë!”
Kjo është pikërisht fitorja më e madhe e kësaj klase politike.
Ju kanë bindur se nuk ka më mirë. Ju kanë mësuar të pranoni të keqen nga frika se mos vjen diçka edhe më e keqe. Ju kanë bërë të mendoni se disa njerëz janë të pazëvendësueshëm.
Edhe sikur të mos ketë një alternativë më të mirë sot, largojeni atë që ka dështuar! Që ai që vjen nesër ta dijë se karrigia nuk është trashëgimi, se pushteti nuk është i përjetshëm dhe se askush nuk është i paprekshëm!
Më dhemb zemra kur shoh shokët, shoqet dhe bashkëmoshatarët e mi të përballen me dhunën e policisë së shtetit. 140 ditë protestë paqësore. 140 ditë zëra që kërkonin të dëgjoheshin. 140 ditë që pushteti zgjodhi t’i shpërfillte.
Dhe pastaj habiteni kur zemërimi shpërthen?
Nuk mund ta injorosh një brez të tërë, t’i mbyllësh çdo derë, ta trajtosh me përbuzje dhe pastaj të pretendosh se revolta e tij lindi nga hiçi.
Dhuna nuk është zgjidhja që dua për vendin tim. Nuk dua të shoh studentë të rrahur nga policia, as policë të goditur nga studentët. Sepse në fund të ditës, të dyja palët janë shqiptarë. Janë fëmijët e këtij vendi. Janë njerëz që nesër do të jetojnë në të njëjtat rrugë, në të njëjtat qytete, me të njëjtat halle.
Ndërsa ne përplasemi me njëri-tjetrin, ata që na sollën deri këtu vazhdojnë të qëndrojnë të qetë në karriget e tyre.
Dhe kjo është tragjedia më e madhe.
Kur një qeveri nuk dëgjon protestën paqësore, kur nuk njeh përgjegjësi, kur nuk di të japë dorëheqjen dhe kur çdo kritikë e sheh si kërcënim, ajo po e shtyn vetë shoqërinë drejt përplasjes.
Historia na ka treguar sa të dhimbshme mund të bëhen revolucionet. Nuk dua që vendi im ta mësojë edhe një herë këtë me gjakun e njerëzve të vet. Prandaj është koha që ata që qeverisin të kuptojnë se largimi nga pushteti nuk është turp. Turp është të qëndrosh me çdo kusht, edhe kur çmimin e paguan populli yt.
Unë nuk dua që brezi im ta kalojë gjithë jetën duke luftuar të njëjtët njerëz. Nuk dua që fëmijët tanë të rriten me të njëjtat fytyra politike me të cilat u rritëm ne. Nuk dua që largimi nga Shqipëria të vazhdojë të jetë ëndrra më e madhe e rinisë shqiptare.
Dua një Shqipëri ku të rinjtë të kenë arsye të qëndrojnë dhe ku ne që u larguam të kemi arsye të kthehemi.
Nuk po kërkojmë një Shqipëri perfekte. Po kërkojmë një Shqipëri që të mos na detyrojë të zgjedhim mes dinjitetit dhe vendit tonë.
Prandaj, qeveritarë shqiptarë, thirrini mendjes. Dëgjojeni këtë brez. Merrni përgjegjësi. Hapini rrugë ndryshimit përpara se përçarja të bëhet edhe më e thellë.
Sepse Shqipëria nuk është prona juaj. Nuk është trashëgimia juaj. Nuk është karrigia juaj. Shqipëria është edhe e jona.
Dhe ne kemi të drejtë të kërkojmë një të ardhme ndryshe.
LARGOHUNI, SE NA KENI LODHUR!












