
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita deklaroi gjatë një konference për shtyp të enjten më 15 tetor, se protestat e tre ditëve të fundit janë organizuar për qëllime të errëta, nga brenda dhe jashtë vendit. “Pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit”, deklaroi ai, por nuk iu përgjigj pyetjeve që BIRN i drejtoi se cilët ishin faktorët e jashtëm dhe të brendshëm që kanë organizuar këto protesta.
Hita konstatoi se nga të gjithë të ndaluarit natën e parë të protestës kur u prangosën 16 të rinj, asnjë nuk kishte rezultuar të jetë student. Sipas tij, nga të ndaluarit e natës së dytë, një numër shumë i vogël ishin studentë.
Deklarata vjen pas përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe policisë gjatë tubimeve studentore në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me hedhjen e koktejëve Molotov dhe sendeve të forta, dëmtimin e institucioneve publike dhe objekteve private. Protesta e studentëve, që u përshkallëzua të martën dhe të mërkurën, është përhapur të enjten në disa prej qyteteve kryesore të vendit, ku studentë e të rinj kanë marshuar, kanë bllokuar rrugët, kanë goditur me vezë e gurë institucionet publike dhe kanë tentuar të krijojnë mosbindje civile.
Hitaj deklaroi se prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Po ashtu, ai evidentoi se janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
“Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private”, deklaroi Hitaj dhe u bëri thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar.
Ai kërkoi nga punonjësit e policisë të mos tërhiqen nga përmbushja e detyrës dhe u shpreh se do tu garantohej mbështetje, përfshi dhe kompensimi çdo ore shërbimi shtesë.
Ndërkohë, Hita u bëri thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Ai solli në vëmendje se përgjegjësia është individuale dhe se kushdo do të përballet me forcën e ligjit. “E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”, deklaroi Hita dhe vërejti që vetëpërmbatja e policisë të mos ngatërrohet me dobësinë.
Hita u pyet nga gazetarët lidhur me dinamikat e ndryshme të veprimeve të policisë gjatë tre ditëve të protestës dhe pamundësinë e parandalimit e menaxhimit të situatës, duke sjellë si pasojë shkatërrimin e pronës publike dhe asaj private.
Po ashtu, ai tha se policia ka vepruar në të njëjtën mënyrë gjatë gjithë kohës. Po ashtu, ai deklaroi se veprimet e policisë si kundërpërgjigje ndaj dhunës së ushtruar prej protestuesve ka qenë e drejtë dhe proporcionale.






