Një punonjës i policisë është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohet se është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor në aksin Tiranë–Rinas, ku humbi jetën një 66-vjeçar që lëvizte me biçikletë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë kryqëzimit të fshatit Domje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Njoftimi i plotë i Policisë:
AMP arreston punonjësin e Policisë të përfshirë në aksidentin me pasojë vdekjen e një 66-vjeçari, që lëvizte me biçikletë në aksin Tiranë–Rinas
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar punonjësin e Policisë, I.T., me detyrë në Forcat “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një personi.
Ngjarja ka ndodhur më datë 15.10.2026, rreth orës 00:45, në rrugën Tiranë–Rinas, pranë kryqëzimit të fshatit Domje, ku automjeti me drejtues punonjësin e Policisë është përplasur me një biçikletë. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i biçikletës, shtetasi S.M., 66 vjeç.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, punonjësit të Policisë I.T. iu krye testi i alkoolit, i cili rezultoi negativ, me vlerën 0.0 mg/l.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi i punonjësit të Policisë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, të parashikuar nga neni 290, paragrafi 3, i Kodit Penal.
AMP, në bashkëpunim me organin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e angazhuar për ushtrimin e përgjegjësive të saj ligjore dhe për garantimin e zbatimit të ligjit.
Top Channel