Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar për protestën që po zhvillohet prej tri ditësh në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës dhe përfshirjen e të rinjve e të miturve në përplasjet në rrugë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se e drejta për të protestuar dhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë duhet respektuar, por kundërshtoi përdorimin e të rinjve për qëllime politike dhe akte të dhunshme.
“Pavarësisht bindjeve politike, të gjithë kemi të njëjtin shqetësim: sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Pamjet e dhunës në rrugët e Tiranës janë shqetësuese, sidomos kur mes tyre shohim të rinj dhe të mitur”, shkroi ajo.
Koçiu nënvizoi se askush nuk duhet t’i përfshijë të rinjtë në dhunë apo t’i përdorë për beteja politike, duke vënë theksin te siguria e tyre.
“Në fund të ditës, çdo prind dëshiron që fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi. Asnjë betejë politike nuk vlen më shumë se jeta, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, përfundoi zëvendëskryeministrja.


