Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi dhe ai i PL, Tedi Blushi kanë publikuar një video, që po qarkullon edhe në rrjetet sociale, duke pretenduar se protestuesit po dhunohen brenda komisariateve të Tiranës. Në pamje janë disa protestues të shtrirë në tokë, ndërsa krahas videos Bardhi e Blushi thonë se ky është një trajtim ç’njerëzor që u bëhet protestuesve.
"Pamje të rënda brenda komisariateve! Ky është trajtim çnjerëzor. Ky është një krim i rëndë! I bej thirrje organizatave të mbrojtjes së fëmijëve dhe Komitetit Shqiptarë të Helsinkit, të ndërhyj urgjent për të dokumentuar mënyrën sesi po trajtohen gjimnazistët dhe studentët nëpër Komisariate", ka shkruar Bardhi në rrjetet sociale.
“Torturat çnjerëzore dhe kolektive ndaj studentëve në burgje janë fytyra kriminale e regjimit që duhet shembur me çdo çmim!”, ka shkruar Blushi krahas videos në rrjetet sociale.
Por, Policia i ka përgënjeshtruar pretendimet, duke sqaruar se pamjet janë nga momenti i neutralizimit të disa personave që tentonin të hynin në një institucion shtetëror dhe sulmonin efektivët.
“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, Policia e Tiranës sqaron opinionin publik se: Personat e shfaqur në videon e publikuar në media nuk janë në dhomat e shoqërimit në komisariate apo në dhomat e bllokut të sigurisë, por janë në momentin e parë të neutralizimit në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një nga institucionet shtetërore ku tentonin të hynin dhe ku po sulmonin punonjësit e Policisë. Më pas, ata janë shoqëruar në komisariat nga shërbimet e Policisë”, thuhet në reagimin e Policisë.










