
Kryeministri Edi Rama fajësoi të premten opozitën dhe aktorë të huaj për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave studentore në Tiranë, duke i cilësuar trazirat si një përpjekje për të penguar përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Duke folur nga një kioskë e shkrumbuar gjatë protestave, Rama u përpoq të distanconte studentët nga aktet e dhunës që kanë shoqëruar demonstratat e ditëve të fundit, ndërsa akuzoi kundërshtarët politikë se po shfrytëzonin pakënaqësinë e të rinjve për qëllimet e tyre.
“E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit me maska nuk ka të bëjë fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që do një jetë më të mirë,” deklaroi Rama.
Kryeministri pretendoi se pas trazirave qëndronin të njëjtët aktorë politikë që, sipas tij, kanë nxitur edhe më parë dhunë dhe destabilitet në vend.
“E gjitha kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë dhe që është gati ta djegë e shkatërrojë përsëri për të mos e lënë të bëjë përpara,” tha ai.
Rama i zgjeroi akuzat edhe ndaj aktorëve të huaj, të cilët nuk i identifikoi dhe për përfshirjen e të cilëve nuk paraqiti prova gjatë deklaratës.
“Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe […] sot mbështetet dhe nga duar të tjera, duar të huaja, duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë,” deklaroi ai, duke pretenduar se këta aktorë synojnë të pengojnë integrimin europian të vendit.
“A ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, sapo Shqipëria mbyll një tjetër kapitull, sapo Shqipëria afrohet më shumë drejt asaj ambicieje, drejt atij objektivi historik, këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi!” shtoi Rama.
Kryeministri ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në përplasjet me policinë, duke akuzuar organizatorët e dhunës se po i ekspozonin ata ndaj rrezikut.
“Si mund të nxiten të miturit, të vënë maska, të shkulin trotuaret që shtrohen dhe mirëmbahen përditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë?” pyeti ai.
Deklaratat e Ramës vijnë pas disa ditësh protestash studentore dhe qytetare në kryeqytet, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve private, si dhe përdorim të gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë nga policia. Protestuesit kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të arsimit dhe dorëheqjen e qeverisë, ndërsa janë ngritur shqetësime edhe për përdorimin joproporcional të forcës nga policia.






