Dy persona janë arrestuar dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së studentëve, të zhvilluar më 15 tetor në qytetin e Korçës.
Sipas Policisë, gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve, mes tyre edhe persona të maskuar, kanë hedhur gurë, pllaka dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike.
Si pasojë e incidenteve janë dëmtuar godinat e Bashkisë së Korçës, Drejtorisë Arsimore, Universitetit “Fan S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”. Dëmtime janë konstatuar edhe në kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore.
Në vijim të veprimeve hetimore, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, janë arrestuar në flagrancë F. L., 21 vjeç, banues në Voskop, dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht.
Ndërkohë, 23 persona të tjerë janë proceduar penalisht, 15 prej të cilëve të mitur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.













