Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë bën thirrje për dialog kombëtar, respektimin e së drejtës për protestë paqësore dhe përgjegjshmëri institucionale, pas protestave të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve e policisë.
Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e komuniteteve fetare theksojnë se shqetësimet e studentëve dhe qytetarëve duhet të trajtohen me seriozitet, duke u kërkuar institucioneve të japin përgjigje konkrete dhe transparente ndaj kërkesave të tyre.
Paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi.
Këshilli thotë se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, por paralajmëron se pakënaqësitë qytetare nuk mund të justifikojnë dhunën, shkatërrimin e pronës apo cenimin e të drejtave të të tjerëve.
Referuar dëmeve gjatë protestave, përfaqësuesit fetarë shprehin shqetësim për sulmet ndaj bizneseve, institucioneve arsimore e përfaqësive diplomatike.
Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.
Këshilli u kërkon të gjitha palëve të shmangin retorikën përçarëse dhe ta shohin dialogun si rrugën për zgjidhjen e krizës.
Vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog.
Qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet.