
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë bëri të premten thirrje për dialog kombëtar, respektimin e së drejtës për protestë paqësore dhe përgjegjshmëri institucionale, pas disa ditësh protestash studentore dhe qytetare, të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e komuniteteve fetare theksuan se shqetësimet e studentëve dhe qytetarëve duhet të trajtohen me seriozitet, duke u kërkuar institucioneve të japin përgjigje konkrete dhe transparente ndaj kërkesave të tyre.
“Paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi”, thuhet në deklaratë.
Këshilli Ndërfetar theksoi se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, por paralajmëroi se pakënaqësitë qytetare nuk mund të justifikojnë dhunën, shkatërrimin e pronës apo cenimin e të drejtave të të tjerëve.
Duke iu referuar dëmeve të shkaktuara gjatë protestave, përfaqësuesit fetarë shprehën shqetësim për sulmet ndaj bizneseve, institucioneve arsimore dhe përfaqësive diplomatike.
“Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare”, thekson deklarata.
Apeli vjen në një kohë kur protestat e nisura nga studentët janë përshkallëzuar në përplasje me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe dëmtime të pronës publike e private, ndërsa demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Këshilli u kërkoi të gjitha palëve të shmangin retorikën përçarëse dhe ta shohin dialogun si rrugën për zgjidhjen e krizës.
“Vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog”, thuhet në deklaratë.
“Qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet”, përfundon apeli i Këshillit Ndërfetar.






