Disiplina në financat publike, administrimi më efikas i shpenzimeve shtetërore dhe zbatimi i shpejtë i reformave strukturore janë përcaktuar si shtylla kryesore për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm, pavarësisht pasigurisë së lartë globale.
Të lidhura
None found
Ekonomia botërore po tregon ende aftësi për t’u përballur me goditjet, por përsëritja e tyre ka dobësuar rezervat fiskale dhe energjetike. Në të njëjtën kohë, presionet inflacioniste vazhdojnë të mbeten problem për shumë shtete. Për këtë arsye, politikat makroekonomike duhet të ndiqen me kujdes, me synim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe frenimin e rritjes së mëtejshme të inflacionit.
Këto ishin disa nga përfundimet kryesore të seancës plenare përmbyllëse të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, ku mori pjesë edhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Bangkok, fjalime mbajtën drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva, kryetari i Grupit të Bankës Botërore, Axhaj Banga, si dhe kryetari i takimeve vjetore dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Paraguait, Karlos Karvalo Spalding.
Ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska deklaroi se administrimi i përgjegjshëm i financave publike përbën themelin e një ekonomie të qëndrueshme në një periudhë të shoqëruar nga pasiguria globale dhe goditje të njëpasnjëshme ekonomike. Sipas saj, prioritetet përfshijnë konsolidimin fiskal, përdorimin më racional të burimeve publike dhe reformat strukturore që synojnë rritjen e produktivitetit, nxitjen e investimeve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë vendase. Ajo theksoi se objektivi është sigurimi i rritjes së qëndrueshme dhe krijimi i perspektivave më të mira për qytetarët dhe kompanitë.
Në kuadër të takimeve vjetore, të mbajtura javën e kaluar në Bangkok, Dimitrieska-Koçoska u takua me nënkryetaren rajonale të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonela Basani, nënkryetarin e IFC-së për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet, Alfonso Garcia Mora, si dhe drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për grupin e vendeve anëtare ku bën pjesë edhe vendi ynë, Juxhin Rugenat.
Bisedimet u përqendruan te nevoja për përshpejtimin e reformave, realizimin e projekteve strategjike dhe forcimin e mbështetjes për sektorin privat, i cili u vlerësua si një prej faktorëve kryesorë të rritjes ekonomike.
Ministrja zhvilloi gjithashtu takime me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, drejtorin e FMN-së për Evropën, Mateush Shçurek, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Jerun Klik, dhe zëvendësdrejtorin ekzekutiv të FMN-së, Marniks van Raj. Në qendër të diskutimeve ishin konsolidimi fiskal në periudhë afatmesme, respektimi i disiplinës fiskale dhe zbatimi i reformave që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike, duke ruajtur mbështetjen për investimet dhe zhvillimin ekonomik.
Pjesëmarrja në takimet vjetore krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe qëndrimeve me drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe politikëbërës ekonomikë. Ky forum shërben gjithashtu për analizimin e zhvillimeve të ekonomisë globale dhe të ndikimit të tyre mbi ekonomitë kombëtare.






