Protestat e dhunshme në Tiranë vijojnë në ditën e katërt. Mes gjimnazistëve e nxënësve që kanë bojkotuar mësimin, ka një numër të konsiderueshëm protestuesish të maskuar.
Policia ka marrë masat, por deri më tani nuk regjistrohen incidente serioze. Protestuesit kanë vijuar me bllokimin e rrugëve me kosha mbeturinash apo duke u ulur.
Ndalesa e parë e itinerarit ishte Ministria e Ekonomisë, iu drejtuan më pas asaj të Arsimit dhe tani vijon marshimi, pa një itinerar të qartë.
Lajmi në përditësim....

Në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë te rruga “Muhamet Gjollesha”, protestuesit kanë djegur disa kosha të tjerë mbeturinash.
Më herët, qëlluan me gurë edhe llamarinat mbrojtëse të një objekti bosh.
Protesta ka filluar edhe në Tropojë ku disa të rinj kanë dalë në rrugët e qytetit të Bajram Currit.
Gjimnazistë të qytetit janë mbledhur në sheshin kryesor, ku gjatë protestës kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së Bashkisë Tropojë dhe Pallatit të Kulturës, si dhe djegin kosha tek inxhinieria.
Më pas, ata kanë marshuar në rrugët e qytetit.
Një numër i vogël të rinjsh të maskuar që po marshojnë në “Rrugën e Durrësit”, janë shkëputur nga të tjerët për të bllokuar aksin me kosha mbeturinash që më pas i djegin.
Lajmi në përditësim...

Në ditën e katërt të protestave në Tiranë, disa protestues janë shfaqur në rrugët e kryeqytetit me zinxhirë metalikë dhe dryna në duar.
Policia po përpiqet të zbusë situatën me protestuesit te “Rruga e Durrësit” ku ata janë pozicionuar te Ministria e Arsimit. Efektivët po largojnë autobotin me ujë dhe deri më tani nuk regjistrohet ndonjë sulm nga protestuesit.
Disa prej tyre kishin gurë në duar, por nuk i kanë hedhur, madje i kanë tërhequr vëmendjen njërit që ka goditur një tabelë reklamash.
Protestuesit vijojnë të marshojnë në “Rrugën e Durrësit”, por itinerari i qartë s’dihet ende.
Protestuesit ndodhen te Ministria e Ekonomisë, ku kanë vazhduar të nxjerrin në rrugë koshat e djegur në ditët e mëparshme duke krijuar bllokada. Ata edhe janë ulur në rrugë, por më pas i janë rikthyer marshimit.
“Qeveria e krimit”, thërrasin ata.
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka ndarë një video nga një prej filialeve të dëmtuara të Postës Shqiptare ku garanton se pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga protestuesit, qytetarët do të vijojnë të marrin shërbimet.
“Janë disa filiale të dëmtuara këtu. Në këto filiale, qytetarët marrin përditë shërbime: pensionistët marrin pensionet e tyre dhe të ardhurat që i duhen për të siguruar jetesën. Unë dua t'i garantoj të gjithë qytetarët që, pavarësisht goditjeve ndaj pronës publike dhe private, ne jemi të angazhuar që ato të marrin shërbimet e tyre të përditshme. Pensionistët, ndonëse mbrapa në kohën që po kalojmë, mund të drejtohen në të gjithë filialet e tjera dhe të marrin pensionin e tyre, sepse ne jemi këtu për të garantuar që rendi dhe siguria dhe shërbimi ndaj qytetarëve do të vijojë i pandërprerë, pavarësisht atyre që ndodhin në këtë qytet”, shprehet ministrja.
Forcat Operacionale kanë nisur me shoqërimet e protestuesve që orët e para të mëngjesit. Një grup protestuesish po marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit.
Edhe protestuesit në Burrel kanë vijuar me bojkotin e mësimit dhe po djegin degë pemësh e sende të tjera në rrugë. Ndërkohë policia ka nisur me shoqërimin e njërit prej tyre.
Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë thyer derën e një furgoni të policisë, duke kërkuar lirimin e protestuesit të shoqëruar.
Sipas raportimeve, nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” janë mbajtur brenda ambienteve të shkollës, për të mos iu bashkuar protestës së zhvilluar nga nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori”.
Në Elbasan, ka nisur protesta me marshim në rrugët e qytetit. Kanë nisur edhe incidentet e para, me djegie të koshave të mbeturinave në rrugë. Zjarrfikësja ka ndërhyrë për shuarjen e flakëve.
Në qendrën e qytetit pak më parë ndodhej edhe kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, i cili bisedoi me protestuesit.
Në Lezhë, një grup nxënësish bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugët e qytetit. Ata thyen xhamat e shkollave “Hydajet Lezha”, “Kolin Gjoka” dhe shkollës jo publike “Rragaçionistët”. Po ashtu, janë dëmtuar kangjella dhe tabela përgjatë rrugëve. Policia ka shoqëruar një person.
Ndërkohë protestuesit kanë qëlluar me gurë efektivët e policisë, ku aksidentalisht ka mbetur i lënduar një i mitur.











Komente
Komento