
Gjykata e Tiranës vendosi të premten më 16 tetor të pranojë kërkesën e prokurorisë respektive për vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të 19 protestuesve, 17 prej të cilëve u ndaluan të martën dhe dy të mërkurën. Një prej përfaqësuesve ligjorë të të ndaluarve, avokati Marash Logu deklaroi pas seancës se gjykata caktoi masën e sigurimit personal “arrest në burg” për një prej të arrestuarve, gjashtë u lanë në arrest shtëpie dhe 12 të tjerë në detyrim për t’u paraqitur.
Avokati Logu vërejti se protestuesit që kishin qenë në spital gjatë këtyre ditëve kishin shenja të dukshme të dhunës së ushtruar nga policia. Ai i cilësoi të pabazuara kërkimet e prokurorisë dhe vendimin e gjykatës, duke vërejtura se nuk kishte prova për të justifikuar masat e tyre.
“Ajo që u provua ishte vetëm fakti se kishin marrë pjesë në protestë”, deklaroi avokati Logu duke shtuar se ky fakt nuk përbënë vepër penale.
Në vijim, ai bëri me dije se për personat që u lanë në “arrest shtëpie”, u pretendua se kishin kundërshtuar forcat e policisë. Sipas Logut, të ndaluarit shpjeguan se kishin ndërhyrë për të ndaluar dhunën që po ushtrohej nga policia ndaj studentëve, kryesisht ndaj vajzave. Për personin që u la në “arrest në burg” avokatët shpjeguan se prokuroria pretendoi se i ishin gjetur me vete karta të një banke.
Në ditët në vijim pritet të vlerësohen në gjykatë ndalimet e protestuesve të tjerë të kryera nga policia gjatë këtyre ditëve.
Vala e protestave që ka përfshirë vendin që prej së martës erdhi pas më shumë se katër muajsh tubimesh të pandërprera paqësore që kërkonin largimi e qeverisë, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, e nxitur fillimisht në fund të majit nga kundërshtimi ndaj projekteve turistike në Zvërnec.
Përshkallëzimi i protestave studentore dhe qytetare për të katërtën ditë radhazi në Tiranë dhe përhapja e tyre në disa qytete të tjera të vendit, të shoqëruara me përplasje të ashpra fizike, përdorim masiv të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe sulme, zjarrvënie e plaçkitje ndaj institucioneve publike dhe bizneseve private, ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Policisë së Shtetit për të menaxhuar situatën e krijuar.






