Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar gjyqtaren Amarilda Sulaj që la në burg një prej protestuesve dhe 6 të tjerë caktoi masën arrest në shtëpi. Berisha thotë se vendimi është marrë në zyrën e Ramës dhe sipas tij gjyqtarja ishte në konflikt të hapur interesi dhe se duhej të hiqte dorë nga shqyrtimi i masave të sigurisë.

“Partia Demokratike dënon vendimet e sotme, të dhëna nga një gjykatëse në konflikt të hapur interesi, e cila, në respekt të ligjit, për shkak të pozicionit të bashkëshortit të saj, duhej të refuzonte shqyrtimin e masave të sigurisë ndaj heronjve të revoltës. Këto janë masa politike, të dhëna nga Rama nëpërmjet gjykatës. A mund ta imagjinoni ju? Studenti Metaj, luani i protestës, pa asnjë akt dhune, përveç reagimeve të ligjshme ndaj narkobanditëve që e arrestuan dhe donin ta rrëmbenin, lihet në arrest shtëpie, njësoj si Karçanaj e AKSHI-t të Surrelit. A mund të imagjinohet një gjë e tillë? Ajo që, me Ergys Agasin dhe bandën e AKSHI-t, ka zhdukur dhe shpërdoruar qindra milionë euro, ndodhet në arrest shtëpie, njësoj si studenti guximtar që u mbrojt me heroizëm dhe guxim të jashtëzakonshëm nga shtatë narkobanditë që e rrethuan pa asnjë motiv”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

PD pas akteve të dhunës në protestë? Berisha: Akuzë bajate, Rama po nxit konflikt! Vendimi i gjykatës për protestuesit doli nga zyra e tij (VIDEO)