Kaos dhe pakënaqësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i cili administrohet nga Kastrati Group, ku këtë të premte, më 16 tetor, raportohet për anulimin e 10 fluturimeve të lidhura me Italinë, duke shkaktuar shqetësim dhe pasiguri mes qytetarëve.
Pasagjerët ankohen se janë njoftuar në momentet e fundit për anulimet, ndërsa kërkojnë të dinë se kur do të mund të udhëtojnë drejt destinacioneve të tyre. Mungesa e informacionit të qartë dhe e sqarimeve për oraret e reja ka shtuar pakënaqësitë në aeroportin që administrohet nga Kastrati Group.
Problematikat raportohen kryesisht në fluturimet e kompanisë Wizz Air, ndërsa ndër linjat e prekura përmendet edhe fluturimi Tiranë–Romë i kompanisë ITA Airways.
Konkretisht, fluturimi Tiranë–Romë, me numër AZ585, i planifikuar për në orën 11:30, figuron i anuluar. Ndërkohë, është raportuar edhe anulimi i një fluturimi nga Roma drejt Tiranës.
Nga ana tjetër, fluturimi Tiranë–Xhenova, me numër W45083, raportohet me 35 minuta vonesë, ndërsa fluturime të tjera drejt qyteteve italiane vijojnë të figurojnë të planifikuara.
Ende nuk ka një sqarim të plotë mbi shkaqet e anulimeve dhe kohën kur pritet normalizimi i situatës. Ndërkohë, pasagjerët kërkojnë informacion dhe zgjidhje, teksa mbeten në pritje për të mësuar se kur do të mund të nisen.


