
Kombet e Bashkuara në Shqipëri shprehën të premten shqetësimin për aktet e dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave studentore dhe qytetare në Tiranë, duke u bërë thirrje autoriteteve dhe protestuesve të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog.
Në një deklaratë publike, OKB theksoi rëndësinë e respektimit të lirive themelore, përfshirë të drejtën për tubim paqësor, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, si dhe garantimin e sigurisë dhe dinjitetit të të gjithë qytetarëve.
Organizata u ndal veçanërisht te mënyra e ndërhyrjes së forcave të rendit gjatë protestave, duke kërkuar respektimin e parimeve të proporcionalitetit dhe vetëpërmbajtjes.
“Theksojmë rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit, respektimit të garancive për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së pronës publike dhe private”, thuhet në deklaratë.
OKB u bëri gjithashtu thirrje të gjitha palëve të përfshira të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga dhuna, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv”, theksoi organizata.
Deklarata vjen në ditën e katërt të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat nisën në Tiranë dhe janë përhapur në qytete të tjera të vendit. Protestat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, përdorimin e gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë, si dhe dëmtime të pronës publike dhe private.
Reagimi i OKB-së i shtohet thirrjeve të mëparshme të Bashkimit Europian dhe përfaqësive diplomatike në Tiranë për respektimin e të drejtës së protestës, hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia dhe shmangien e dhunës nga demonstruesit.






