Aktualitet Live From Tirana

“Protestë shpresëdhënëse, u rrit për shkak të padëgjueshmërisë”/Aleksandër Çipa: Mos guxoni të godisni institucionet e arsimit, është antikombëtare!

I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë Aleksandër Çipa, drejtuesi i “Unionit të Gazetarëve”, për të dhënë qëndrimin e tij për protestën studentore në vend…

Edhe pse jam një individ që nuk e njoh trishtimin në kuptimin e gjendjes dhe mbajtjes së saj, këto janë ditë të trishta, sepse ndodhin në një moment kur nuk e kishim menduar se Shqipëria do të riprodhonte episode reminishenciale me kulmin e tranzicionit ose, e thënë ndryshe, të tranzicionit me konfliktualitet. Dhe kjo është një gjendje që nuk e meritojmë si shoqëri dhe aq më tepër nuk e meritojmë si stad në vitin 2026. Janë episode të cilat do të duhej që të evidentonin më së pari përgjegjësi politike, e cila jo vetëm që është e munguar, por dëshmohet si papërgjegjshmëri. Është përgjegjësia drejtpërdrejtë e politikës që rikthen momente të tilla inversionale, retrograde në jetën e shoqërisë, në jetën e vendit dhe sidomos në stadin e vendit. Në këndvështrimin tim, kjo sot po precipiton si një krizë politike, sepse është një protestë e qytetarëve, pavarësisht nga pretendimet e aktorëve të rëndësishëm institucionalë ose politikë se ka depërtime grupesh, individësh, ajo erdhi si një protestë që u rrit crescendo për shkak të padëgjueshmërisë. Nisi më shumë se 140 ditë më parë, në të ashtuquajturin demonstrim të flamingove ose më vonë u quajt Revolucioni i Flamingove dhe precipitoi në katër ditët e dundit, deri në ditën e sotme si një rebelim dhe si një protestë e cila po përfshin episode dhune dhe po përball shtetin me shtetasit dhe me qytetarët në përgjithësi.

Edhe mbas 4 ditëve proteste rebele të ashpër duket sikur institucionet dhe njerëzit që i përfaqësojnë ato janë po aq indiferentë sikurse në ato 147 ditë të paqta. Kaq e dhimbshme është karrigia, zoti Çipa?

Kjo është një pyetje që duhet t’i bëhet atij që e ka vështirësinë. Në planin analitik mendoj që me sa duket, po, është naturë e politikanëve, me sa duket është natyra e atyre që gëzojnë ose marrin atributet e të qenit shtetar në nivelin e lartë. Në këndvështrimin tim dhe në kulturën individuale do të duhej që me kohë të kishte veprime, akte dhe sjellje politike dhe jo papërgjegjshmëri sikundër po shohim. Është e lidhur ndoshta me gjëra të dukshme dhe të padukshme dhe me sa duket gjërat e padukshme kanë më tepër ndikim sesa ato që ne i shohim si qytetarë.

A gjeni vend për të parë dritë dhe shpresë në fund të gjithë kësaj?

Pa dyshim. Kjo protestë dhe sidomos kjo mënyrë e shfaqjes në qytetet më të rëndësishme të vendit nga masat më të mëdha rinore që ka ky vend është shpresëdhënëse, se tek e fundit kjo po godet një status quo të pameritueshme për shoqërinë. Do të detyrohen udhëheqësit e lartë politikë dhe sidomos bipolariteti partiak në vend të ndryshojë qasjen dhe padyshim që të përshtatet me këtë që kërkon rinia sot. Nuk mund të ndodhë ndryshe.

Pak minuta më parë përcolla raportime që vijnë nga disa qytete të vendit dhe kryesisht u fol nga qyteti i Lezhës, ku një grup gjimnazistësh kishin goditur objektet shkollore, gjimnazin e qytetit. Do të bëja një apel në cilësinë e një qytetari që e do këtë vend dhe e adhuron identitetin dhe kulturën kombëtare. Askush të mos guxojë të godasë institucionet e arsimit, institucionet e memorialistikës sonë kombëtare, të identitetit kombëtar dhe historisë kombëtare. Nuk mund të ripërsëriten episodet e së shkuarës, ku ndoshta për llogari të tjera goditen simbolet dhe identitetet tona. Goditja e institucioneve arsimore është antikombëtare, anti-shqiptare dhe anti-kulturë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.