Gjatë “konventës për zgjedhjet e mesit të mandatit” të Partisë Republikane, të mbajtur muajin e kaluar, drejtuesit republikanë paralajmëruan se një fitore e demokratëve në nëntor do të sillte vendosjen e marksizmit në Amerikë.
“Do të bëhet një vend komunist nëse ata fitojnë”, deklaroi presidenti Donald Trump nga podiumi. Kjo ishte një nga më shumë se 60 referencat ndaj kërcënimit komunist që, sipas raportimeve, u bënë nga folësit gjatë aktivitetit në Dallas.
Por, në prapaskenë, republikanët e nivelit të lartë po prisnin një ish-komunist të vërtetë. Sali Berisha, drejtuesi mbi 80-vjeçar i opozitës shqiptare, publikoi fotografi të tij me Prokurorin e Përgjithshëm Todd Blanche dhe zëvendësprokurorin e Përgjithshëm Stanley Woodward; ish-zyrtarin e Departamentit të Drejtësisë për faljet presidenciale, Ed Martin; drejtuesin e programeve Medicare dhe Medicaid, Mehmet Oz; kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan, Joe Gruters; senatorin e Oklahomës, James Lankford; kandidatin për Senat nga Miçigani, Mike Rogers; si dhe komentatorin konservator Ben Shapiro, ndër të tjerë.
Berisha, i cili e nisi karrierën e tij si anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, nën regjimin e diktatorit represiv stalinist Enver Hoxha, nuk ishte i vetëm. Ai pozoi me personalitetet republikane së bashku me Fatmir Mediun, ish-ministër shqiptar i Mbrojtjes, i cili ka krijuar lidhje të ngushta me republikanët, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton. Edhe me këtë të fundit Berisha publikoi një fotografi në Dallas.
Këto takime tërhoqën vëmendjen, pjesërisht për faktin se Departamenti Amerikan i Shtetit, gjatë presidencës së Joe Biden, në vitin 2021, e kishte shpallur Berishën “person non grata” për shkak të “përfshirjes së tij në korrupsion madhor”. Berisha përballet me akuza penale në Shqipëri lidhur me këto pretendime. Në atë kohë, Departamenti i Shtetit i kishte ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
Por, disa muaj më parë, administrata Trump ndryshoi qëndrim, duke i dhënë një përjashtim nga kufizimi i vizës, që i mundësoi të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në konventë.
Në postimet e tij në rrjetin social X, Berisha i paraqiti takimet në prapaskenë në Dallas si takime të rëndësishme, gjatë të cilave pretendon se kundërshtari i tij kryesor politik, kryeministri shqiptar Edi Rama, është i korruptuar dhe përfitues i trafikut të drogës në Shqipëri. Rama i mohon këto akuza.
“Ne u paraqitëm zyrtarëve të lartë të administratës së Presidentit Trump dhe Kongresit të vërtetën për narkoshtetin në Shqipëri. Pasojat për ekonominë dhe goditja demografike nga regjimi i Ramës duhet të marrin fund”, shkroi Berisha në shqip.
Berisha pretendoi gjithashtu se takimi i tij me Blanche dhe Woodward nuk ishte thjesht një rast për të bërë fotografi, por “një takim i rëndësishëm për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA”.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë po bënte saktësisht Berisha në Dallas. Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me takimin e tij me Blanche. As zëdhënësit e Komitetit Kombëtar Republikan dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Po kështu, republikanët e përfshirë në organizimin e aktivitetit nuk dhanë përgjigje se si ishte mundësuar pjesëmarrja e Berishës.
Konventa për zgjedhjet e mesit të mandatit ishte, në thelb, një aktivitet për mbledhjen e fondeve për Partinë Republikane, ku pjesëmarrësve u kërkohej të paguanin mijëra dollarë vetëm për të hyrë.
Çmimet ndryshonin sipas shteteve, por një ftesë e dërguar nga Partia Republikane e Kalifornisë tregonte se vetëm një vend në ballkon kushtonte 5 mijë dollarë. Ekzistonte gjithashtu një sistem me disa nivele aksesi, ku paketa më e shtrenjtë, e quajtur “Golden VIP Access”, kushtonte 250 mijë dollarë.
Një person që mori pjesë në konventë i tha revistës Mother Jones se Partia Republikane e Floridës fillimisht kishte kërkuar një kontribut minimal prej 20 mijë dollarësh për biletat e aktivitetit, përpara se ta ulte çmimin në rreth 2 mijë dollarë, për shkak të mungesës së interesit.
Republikanët e Kalifornisë dhe Floridës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Berisha udhëtoi drejt Dallasit me ftesë të Unionit Ndërkombëtar Demokratik (International Democracy Union), një aleancë partish politike të qendrës së djathtë dhe të djathta.
Në një letër, për të cilën raportuan mediat shqiptare, organizata e përshkruante Berishën si pjesë të një delegacioni. Megjithatë, nuk është e qartë nëse, përveç përfaqësuesve shqiptarë, edhe persona të tjerë udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara si pjesë e këtij grupi. Unioni Ndërkombëtar Demokratik nuk iu përgjigj pyetjeve.
Sipas personit që mori pjesë në aktivitet, fotografitë e Berishës me zyrtarët republikanë sugjerojnë se ai kishte siguruar një nivel të lartë aksesi.
Ligji amerikan ua ndalon shtetasve të huaj të dhurojnë para për fushatat politike në Shtetet e Bashkuara. Vizita ka ngritur pikëpyetje mes kritikëve të Berishës, përfshirë shqiptaro-amerikanët, lidhur me personat që mund ta kenë ndihmuar atë të siguronte akses te këta zyrtarë.
“Si arriti Berisha të hynte atje?”, pyeti Gary Kokalari, president i organizatës “Albanians for a Democratic Albania” (Shqiptarët për një Shqipëri Demokratike), një organizatë amerikane që vepron kundër korrupsionit në Shqipëri, gjatë një interviste për Mother Jones.
Përpara zgjedhjeve parlamentare të majit të vitit të kaluar në Shqipëri, partia e Berishës punësoi Chris LaCivita, bashkëdrejtuesin e fushatës presidenciale të Donald Trump në vitin 2024.
Partia Demokratike punësoi gjithashtu Tony Fabrizio, një sondazhist të Trump, dhe Paul Manafort, i cili ndihmoi në drejtimin e fushatës presidenciale të Trump në vitin 2016 dhe më vonë u dënua për shkelje të ligjeve që rregullojnë lobimin për interesa të huaja. Ata u angazhuan si këshilltarë elektoralë.
Megjithatë, gjatë daljeve publike në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, LaCivita u përpoq ta lidhte politikisht Berishën me Trump.
“Ne duam të ndihmojmë në zgjedhjen e një kryeministri që është mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe që do të bashkëpunojë me sukses me presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara”, deklaroi ai në një prej daljeve të tij.
Partia Demokratike e Shqipërisë raportoi se i kishte paguar kompanisë së LaCivita-s, “Advancing Strategies”, më shumë se 1.6 milionë dollarë për punën e kryer në Shqipëri.
LaCivita, i cili ndihmoi në organizimin e aktivitetit në Dallas, ka deklaruar se puna e tij për Berishën ishte e kufizuar vetëm në këshillimin elektoral për politikën e brendshme shqiptare dhe se nuk kishte lobuar pranë qeverisë amerikane në emër të tij.
Këtë javë, LaCivita i tha Mother Jones se nuk kishte pasur “asnjë përfshirje” në pjesëmarrjen e Berishës në konventën për zgjedhjet e mesit të mandatit, duke shtuar se nuk është “më i përfshirë” me Partinë Demokratike të Shqipërisë.
LaCivita nuk pranoi të tregonte nëse ishte takuar me Berishën gjatë aktivitetit.
LaCivita është tashmë nën vëzhgim për punën e tij me një tjetër politikan ballkanik.
Në fillim të këtij muaji, LaCivita dhe James Blair, të cilët punojnë të dy për komitetin e veprimit politik “MAGA Inc.”, të kontrolluar nga Trump, udhëtuan drejt një entiteti serb me autonomi të gjerë në Bosnjë-Hercegovinë, për të këshilluar partinë e serbit të Bosnjës, Milorad Dodik, përpara zgjedhjeve atje, siç raportoi Neë York Times.
Dodik është një nacionalist që ka mohuar përfundimet e institucioneve ndërkombëtare se forcat serbe kryen gjenocid ndaj boshnjakëve gjatë luftës civile në atë vend.
Ai ka qenë gjithashtu subjekt i sanksioneve amerikane për shkak të përpjekjeve të tij që Republika Srpska të shkëputet nga Bosnjë-Hercegovina, në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila krijoi strukturën komplekse të qeverisjes së Bosnjës.
LaCivita dhe Blair u përballën me kritika nga republikanët, pasi angazhimi i tyre për Dodikun dukej se po ndërpriste punën e tyre në mbështetje të kandidatëve republikanë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.
Javën e kaluar, Trump kërcënoi se do t'i “largonte” LaCivita-n dhe Blair-in nëse angazhimet e tyre jashtë vendit krijonin një “konflikt interesi”.
Qeveria e Dodikut ka punësuar një sërë lobistësh me lidhje me Trump, të cilët vitin e kaluar arritën të siguronin heqjen e sanksioneve ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës.
Berisha ka ndjekur një plan të ngjashëm.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka angazhuar kompaninë “Continental Strategy LLP”, e cila ka në përbërje një ish-bashkëpunëtor të lartë të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, si dhe vajzën e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Ëiles, për të lobuar për heqjen e shpalljes së Berishës nga Departamenti i Shtetit.
Dokumentet e depozituara nga Continental në Departamentin Amerikan të Drejtësisë tregojnë kontakte të shumta me Departamentin e Shtetit, përfshirë edhe me Dan Holler, një bashkëpunëtor prej kohësh i Rubios, i cili punon si këshilltar në këtë departament.
Berisha i mohon akuzat për korrupsion, ndërsa Continental ka pretenduar se lideri shqiptar ishte viktimë e një procesi sanksionimi të politizuar, që përbënte një formë të përdorimit të institucioneve shtetërore si armë politike, një praktikë për të cilën edhe vetë Trump pretendon se ka qenë viktimë.
Continental deklaroi se kishte marrë 750 mijë dollarë për këtë punë.
Pagesat u kryen përmes një marrëveshjeje të paqartë financiare, ku faturën e mbuloi një organizatë e quajtur “Make Albania Great Again Foundation” (Fondacioni Ta Bëjmë Shqipërinë Sërish të Madhe).
Kjo organizatë ishte themeluar vitin e kaluar nga një kontraktor në Nju Xhersi, në një adresë banimi në periferi, afërsisht në të njëjtën periudhë kur nisi edhe kontrata e lobimit.
Një zëdhënës i Continental nuk iu përgjigj këtë javë pyetjeve mbi origjinën e fondeve, por deklaroi se kompania kishte “depozituar të gjithë dokumentacionin e duhur dhe kishte respektuar të gjitha kërkesat e Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj” (FARA).
Zëdhënësi tha gjithashtu se Continental “nuk kishte luajtur asnjë rol” në vizitën e Berishës në Dallas.
Përpjekjet lobuese të Continental duket se dhanë rezultat gjatë kësaj vere, kur Departamenti i Shtetit lëshoi autorizimin përjashtues që i mundësoi Berishës të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në konventën republikane.
Megjithëse Berisha ka deklaruar se ky autorizim e ka zgjidhur çështjen e shpalljes së tij “non grata” në SHBA, Departamenti i Shtetit nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Departamenti nuk e ka hequr nga faqja e tij zyrtare njoftimin e vitit 2021 për shpalljen e Berishës “non grata”, ku thuhej se ai ishte sanksionuar për shkak të “akteve korruptive, si përvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve politikë dhe anëtarëve të familjes së tij, në dëm të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë”.
Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me statusin aktual të shpalljes së Berishës “person non grata”.
Këto akuza vazhdojnë t'i ndërlikojnë planet politike të Berishës.
Ai përballet ende me akuza në Shqipëri, sipas të cilave ka ndihmuar në mënyrë korruptive dhëndrin e tij të privatizojë tokë publike për ndërtimin e komplekseve të apartamenteve në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Berisha, i cili i mohon këto akuza, ka gjithashtu një ndalim për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, së fundmi refuzoi të takohej me Berishën, një veprim që mediat shqiptare e kanë përshkruar si një shmangie të qëllimshme dhe domethënëse ndaj tij.
Berisha është një politikan që ka arritur të mbijetojë politikisht, duke përballuar sfidat ndaj kontrollit të tij mbi opozitën shqiptare, dhe vazhdon të shpresojë se do të zëvendësojë Ramën.
Kryeministri shqiptar duket se është dobësuar politikisht nga protestat e gjera në Tiranë, demonstrata të nxitura pjesërisht nga miratimi prej Ramës i një projekti resorti luksoz në bregdetin shqiptar, që po zhvillohet nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
Ndërsa protestat në Tiranë kundër Ramës janë cilësuar si protesta kundër Trump, Berisha vazhdon të promovojë lidhjet e tij me presidentin amerikan.
Dhe është e qartë se ai e konsideron vizitën e tij në Dallas, si dhe fotografitë me zyrtarë të nivelit të lartë të administratës Trump, si asete të vlefshme në përpjekjet e tij politike./Mother Jones








Komente
Komento