Pezullimi i dy efektivëve nga protesta, Demo: Çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar sipas ligjit

16 Tetor 2026 | 16:27

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestave të zhvilluara prej katër ditësh në disa qytete të Shqipërisë, kryesisht në Tiranë.

Përmes një deklarate, Demo bëri të ditur se ka kërkuar verifikimin e dy rasteve të dyshuara të tejkalimit të kompetencave nga efektivët e Policisë së Shtetit, ndërsa konfirmoi pezullimin e dy punonjësve.

Ministri theksoi se çdo shkelje e ligjit do të hetohet dhe ndëshkohet, duke kërkuar njëkohësisht që reagimi i policisë të jetë në përputhje me ligjin.

Deklarata e plotë:

Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.

Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.

Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.

Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.

Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.

Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!

Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aktet e dhunës ndaj protestuesve, pezullohen nga detyra 2 efektivë (VIDEO)

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, pas publikimit të videove në rrjetet...
16:32 | 16/10/2026

Përplasje pranë Kryesisë së Kuvendit, policia përdor gaz lotsjellës

Dy makina ujëhedhëse janë vënë në punë midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Ndërkohë, një...
16:17 | 16/10/2026

Protestuesit zhvendosen drejt Kryeministrisë, FNSH dhe Shqiponjat barrikadë para godinës

Protestuesit janë larguar nga ambientet përpara Ministrisë së Arsimit dhe janë drejtuar drejt bulevardit. Gjatë marshimit, ata i kanë vënë flakën njërës prej dyerve të...
15:51 | 16/10/2026