Ministri Ervin Demo ka reaguar pas publikimit të dy videove ku shfaqen efektivë policie duke ushtruar forcë ndaj protestuesve gjatë tubimeve në Tiranë. Demo bëri të ditur se ka kërkuar verifikimin e rasteve, ndërsa konfirmoi pezullimin e dy punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në njërën prej pamjeve, një efektiv shihet duke rrëzuar një person që qëndronte me duart në xhepa, ndërsa në videon tjetër shfaqet një protestues që tërhiqet zvarrë dhe që, sipas raportimeve, pëson dëmtim të rëndë në këmbë.
“Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit marrjen e masave, duke iu referuar verifikimeve të domosdoshme”, deklaroi Demo.
Ai falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për pezullimin e dy efektivëve dhe theksoi se çdo shkelje e konstatuar duhet të ndëshkohet në përputhje me ligjin.
Ministri pranoi se gjatë tri ditëve të protestave policia është përballur me një situatë të vështirë, duke pretenduar se persona të nxitur politikisht, mes tyre edhe të mitur, janë përfshirë në akte dhune ndaj efektivëve, institucioneve dhe bizneseve.
Megjithatë, Demo nënvizoi se kjo situatë nuk justifikon tejkalimin e kompetencave nga ana e policisë.
“Ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit”, u shpreh ai.
Demo theksoi se profesionalizmi i policisë nuk matet vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Në reagimin e tij, ministri iu drejtua gjithashtu prindërve të të miturve që marrin pjesë në protestat e dhunshme, duke u kërkuar të bisedojnë me fëmijët dhe të mos lejojnë që ata të përdoren për qëllime politike.


