Pas ministrit të Brendshëm, ka reaguar edhe Policia e Shtetit për dhunën barbare ndaj dy qytetarëve.
Policia thotë se ka pezulluar dy punonjësit e Policisë që janë shfaqur në video duke dhunuar qytetarët, ndërsa kanë nisur dhe hetimet. Por ka bërë sytë qorr për qindra video të tjera ku policët rrahin pa mëshirë fëmijët e mitur që protestojnë kundër një qeverie që i vjedh çdo ditë.
Policia thotë se përgjegjësia është individuale, paçka se të gjithë e dimë se urdhrat po jepen nga lart për ti dhunuar barbarisht fëmijët protestues.
Por deklarata bëhet edhe më qesharake kur garanton qytetarët se nuk do tolerojë asnjë rast dhune nga ana e punonjësve të Policisë.
“Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:
Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.
Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë.
Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve.”- njofton policia.













