Spanja dhe Italia pritet të heqin së shpejti kontrollet kufitare të vendosura në gusht, pas një mosmarrëveshjeje diplomatike të shkaktuar nga kriza e emigracionit në enklavën spanjolle të Ceutës.
Sipas burimeve diplomatike, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe homologja e tij italiane, Giorgia Meloni, ranë dakord për t’i dhënë fund masave gjatë samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel, të zhvilluar të enjten dhe të premten.
Përplasja nisi në fillim të gushtit, kur Italia kërkoi përjashtimin e Spanjës nga zona Shengen, e cila garanton lëvizjen e lirë mes vendeve pjesëmarrëse. Roma njoftoi më pas vendosjen e kontrolleve kufitare për udhëtarët që vinin nga Spanja, duke shprehur shqetësimin për pamjet e mbërritjes së emigrantëve në Ceuta.
Madridi e kundërshtoi vendimin italian, duke e akuzuar Romën se po vepronte nën ndikimin e demagogjisë, dhe vendosi në përgjigje kontrolle në kufirin me Italinë.
Sipas burimeve qeveritare italiane, Roma ka vendosur t’i zgjasë edhe me një javë kontrollet ndaj udhëtarëve nga Spanja, në mënyrë që ato të përfundojnë njëkohësisht me masat e vendosura nga autoritetet spanjolle.
Çështja e emigracionit pritej të diskutohej edhe nga liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, gjatë një dreke të premten, në kuadër të përpjekjeve për të trajtuar sfidën në nivel evropian.


