Një qytetar i është bashkuar protestës për të mbështetur të rinjtë që kanë dalë në rrugë kundër qeverisë së Edi Ramës. Ai u ka bërë thirrje efektivëve të policisë të mos qëndrojnë në mbrojtje të pushtetit, por të respektojnë qytetarët që protestojnë.
Në një prononcim për News24, protestuesi ngriti shqetësimin për përdorimin e gazit lotsjellës ndaj të rinjve, duke thënë se prindërit janë të frikësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Ai theksoi se protesta nuk ka karakter partiak, por është një reagim qytetar, ku të rinjtë po kërkojnë të drejtat e tyre.
“Fëmijët tanë janë sot në shesh dhe janë fëmijët e të gjithë shqiptarëve. Policia duhet ta kuptojë se nuk kemi të bëjmë me një protestë partiake, por me një revoltë popullore”, u shpreh ai.
Qytetari paralajmëroi gjithashtu se uniformat blu duhet të vendosin nëse do të jenë në krah të njerëzve apo të qeverisë. Ai pretendoi se edhe uji i përdorur gjatë ndërhyrjes policore përmbante një solucion të rrezikshëm për lëkurën, pa paraqitur prova për këtë pretendim.
“Për sa kohë të rinjtë kanë dalë të kërkojnë të drejtën e tyre, ne do të jemi aty për t’i mbrojtur. Kemi frikë për ta, sepse po përballen me një situatë të rëndë”, deklaroi protestuesi.













