Një tjetër episod dhune është regjistruar gjatë protestës së studentëve pranë Kryeministrisë, ku efektivë të FNSH-së shihen duke goditur një protestues të ri.
Në pamjet e publikuara, i riu tenton të largohet me vrap në drejtim të Piramidës, por ndalohet nga efektivët, të cilët e rrëzojnë në tokë dhe e godasin vazhdimisht me shkopinj gome.
Ngjarja vjen në ditën e katërt të protestave të të rinjve në Tiranë, të shoqëruara me përplasje me Policinë e Shtetit dhe përdorimin e mjeteve të ndërhyrjes për shpërndarjen e turmës.
Edhe gjatë protestës së zhvilluar më herët para Ministrisë së Arsimit janë raportuar të rinj të lënduar gjatë përplasjeve me efektivët.
Pamjet e fundit ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes së forcave të policisë ndaj protestuesve, veçanërisht kur një person është rrëzuar dhe goditet nga disa efektivë njëri pas tjetrit.














