Një qytetar ndërhyri për të ndaluar një adoleshent të armatosur që hapi zjarr në një shkollë fillore në Oregon të Shteteve të Bashkuara, në një ngjarje tragjike ku mbetën të vrarë tre fëmijë dhe një mësues. Veprimi i tij u vlerësua nga autoritetet, të cilat besojnë se ndërhyrja mund të ketë parandaluar humbjen e jetëve të tjera.
Të shtënat ndodhën të enjten pasdite në shkollën fillore “Silver Rail”. Sipas shefit të policisë së Bendit, Mike Krantz, një 16-vjeçar i armatosur me një pushkë gjahu qëlloi ndaj të paktën gjashtë personave. Viktimat janë tre fëmijë, të moshës pesë, tetë dhe 11 vjeç, si dhe një mësues. Identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Një fëmijë shtatëvjeçar dhe një mësues 54-vjeçar u plagosën gjithashtu rëndë dhe u transportuan në spital. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë e ditur.
Guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, vlerësoi qytetarin që u përball me të dyshuarin, duke theksuar se veprimi i tij ndihmoi në parandalimin e viktimave të tjera.
“Zemra më është thyer plotësisht sot. Kjo është një ditë e tmerrshme. Asnjë prind nuk duhet ta përjetojë kurrë një ditë të tillë”, u shpreh ajo.
Si ndodhi sulmi në shkollë
Sipas raportimeve të medias lokale “The Source”, ngjarja nisi në parkingun e shkollës, ku një burrë që ndodhej në një kamionçinë të kuqe “Toyota Tacoma” vuri re adoleshentin duke iu afruar ndërtesës me një pushkë.
Kur qytetari u përball me të, i dyshuari qëlloi disa herë në drejtim të tij dhe automjetit. Plumbat thyen xhamin e pasmë të kamionçinës dhe lanë gjashtë vrima të mëdha në të.
Më pas, adoleshenti dyshohet se e hodhi armën mbi gardhin e shkollës dhe u hodh vetë përtej tij. Qytetari telefonoi shërbimet e emergjencës të qarkut Deschutes rreth orës 12:59.
Policia urdhëroi menjëherë bllokimin e hyrje-daljeve të shkollës, ndërsa efektivët mbërritën brenda pak minutash. Megjithatë, i dyshuari arriti të hynte me forcë në ndërtesë, duke qëlluar mbi dyert e mbyllura. Në atë moment, operatorët e emergjencës nisën të merrnin dhjetëra telefonata në numrin 911, sipas shefit të policisë.
I dyshuari u gjet më vonë i vdekur nga plagët e armës së zjarrit.
Hetimet për motivin vijojnë
Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Policia nuk ka konfirmuar nëse 16-vjeçari njihte ndonjë nga personat në shkollë apo nëse kishte qenë vetë nxënës aty në të kaluarën.
Sipas informacioneve paraprake, pushka e gjahut e përdorur në sulm ishte blerë nga nëna e adoleshentit. Hetuesit po punojnë për të rindërtuar lëvizjet e tij dhe për të përcaktuar se si arriti të hynte në shkollë, pavarësisht masave të sigurisë.
Shefi i policisë, Mike Krantz, e cilësoi ngjarjen një tragjedi të rëndë dhe tha se hetimet po vijojnë intensivisht.


