Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar në Mirandola, në provincën e Modenës në Itali, ku një çift të moshuarish është gjetur i vrarë në banesën e tyre. Viktimat, 74-vjeçarja Vincenza Giannini dhe bashkëshorti i saj 83-vjeçar, Pier Ferdinando Casari, janë gjetur me kokat e prera.
Si i dyshuar për vrasjen e dyfishtë është ndaluar Daniele Tavoni, 54 vjeç, djali i gruas nga një martesë e mëparshme. Hetuesit kanë gjetur në banesën ku ai jetonte, pranë shtëpisë së viktimave, mjete me gjurmë të shumta gjaku, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur gjatë krimit.
Trupat u zbuluan të enjten në mbrëmje, kur në vendngjarje mbërritën karabinierët, policia dhe ekipet e urgjencës mjekësore. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kush i njoftoi për praninë e viktimave në banesë.
Tavoni u mor në pyetje nga hetuesit që në mbrëmjen e së enjtes. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, dyshohet se ai kishte pasur konflikte të përsëritura me çiftin për çështje ekonomike.
Pas marrjes në pyetje, 54-vjeçari u dërgua në burgun e Modenës. Prokuroria pritet t’i kërkojë gjyqtarit kompetent të vlerësojë ligjshmërinë e ndalimit dhe të vendosë për masën e sigurisë.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e vrasjes së dyfishtë, motivin e mundshëm dhe rolin e të dyshuarit në këtë ngjarje.


