Dy shtetas nga Kosova, të ardhur nga Prishtina, janë shoqëruar nga Policia gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake, të rinjtë kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar tubimit.
Njëri prej tyre ka deklaruar para policisë se është simpatizant i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe i politikave të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka treguar se kishte mbërritur në Tiranë ditën e protestës, së bashku me një mik me të cilin punon si kamerier.
Sipas dëshmisë së tij, vendimi për të udhëtuar drejt Shqipërisë ishte marrë pas zhvillimeve të fundit politike, ndërsa qëllimi fillestar, siç pretendon ai, ishte pjesëmarrja në një protestë paqësore.
I riu ka shpjeguar se kundërshtonte politikat e kryeministrit Edi Rama, të cilat, sipas tij, janë në kundërshtim me ato të qeverisë së Albin Kurtit në Kosovë. Ai ka deklaruar se dëshironte ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri dhe ardhjen në pushtet të një qeverie që do të ndiqte politika më të afërta me ato të Vetëvendosjes.
I pyetur për sjelljen e tij gjatë protestës, shtetasi nga Prishtina ka mohuar të ketë kryer veprime të dhunshme. Ai ka pretenduar se shallin që mbante në fytyrë e kishte përdorur për t’u mbrojtur nga i ftohti.
Në dëshminë e tij, i riu ka treguar se kishte udhëtuar me autobus nga Prishtina, së bashku me mikun e tij. Sipas tij, në të njëjtin autobus kishte pasur edhe persona të tjerë nga Kosova që kishin ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në protestë.


