Bashkimi Evropian po përgatit mekanizma të rinj mbrojtës për t’iu përgjigjur më shpejt konflikteve tregtare me vendet jashtë unionit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi se Brukseli po punon për një instrument që do t’i mundësonte BE-së të kufizonte aksesin në tregun e saj të brendshëm në rast të përshkallëzimit të një mosmarrëveshjeje ekonomike.
Nisma synon të forcojë aftësinë e unionit për t’u përballur me presionet ekonomike dhe për të mbrojtur interesat e tij në tregtinë ndërkombëtare. Instrumenti i ri do të krijonte mundësinë për reagim më të shpejtë dhe më efektiv në rastet kur një vend i tretë përdor marrëdhëniet tregtare si mjet presioni.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, në hartimin e propozimit Brukseli po mbështetet te një nismë e përbashkët e Francës dhe Gjermanisë, e cila synon të zgjerojë mjetet që BE-ja ka në dispozicion për t’iu përgjigjur konflikteve ekonomike, veçanërisht në marrëdhëniet me Kinën.
Përgatitja e këtij instrumenti vjen në një kohë kur BE-ja po kërkon të rrisë kapacitetet e saj për të mbrojtur tregun e përbashkët dhe për të reaguar ndaj masave që mund të dëmtojnë interesat ekonomike të vendeve anëtare.


