Miliona telefona celularë në Japoni morën njoftime emergjence pasi Agjencia Meteorologjike e vendit njoftoi gabimisht se ishte regjistruar një tërmet me magnitudë 9.9.
Të lidhura
None found
Paralajmërimi u anulua pak minuta më vonë. Autoritetet kërkuan falje publike për shqetësimin dhe pasojat e shkaktuara nga alarmi.
Ngjarja ndodhi dje. Në njoftimin fillestar, Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) tha se lëkundja e fuqishme ishte regjistruar pranë Ishujve Kurile, të njohur në Japoni si Ishujt Chishima.
Më pas, agjencia e korrigjoi informacionin: tërmeti kishte magnitudë 6.9 dhe u regjistrua pak pas mesditës, pranë Gadishullit Kamchatka në Rusi, në një thellësi fokale rreth 160 kilometrash.
JMA bëri të ditur se pasaktësia erdhi gjatë përllogaritjes së vendndodhjes së epiqendrës. Sistemi e vendosi atë rreth 680 kilometra më larg nga Japonia sesa ishte në të vërtetë, dhe ky gabim ndikoi edhe në vlerësimin e magnitudës, duke prodhuar alarmin për një tërmet 9.9 ballë.
Megjithëse paralajmërimi u përmirësua brenda pak minutash dhe nuk pati panik të përhapur, aktivizimi i sistemit të emergjencës solli ndërprerje të përkohshme në transportin publik.
Pas incidentit, JMA kërkoi ndjesë publikisht për ndërprerjen e shkaktuar. “Ne kërkojmë ndjesë sinqerisht për shqetësimin e konsiderueshëm të shkaktuar ndaj publikut”, deklaroi para gazetarëve zyrtari i agjencisë, Shinya Tsukada.
Rasti vuri në pah sa e rëndësishme është saktësia e sistemeve të automatizuara të paralajmërimit për tërmete, të cilat në Japoni luajnë rol kyç në mbrojtjen e popullsisë gjatë lëkundjeve të fuqishme.





