A mundet Evropa ta mbështesë e vetme Ukrainën?

Kush e dëgjoi me vëmendje presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në konferencën e shtypit të premten pas samitit të krerëve të BE në Bruksel, e kupton, se Zelensky shtron një pyetje themelore, të cilën BE-ja prej vitesh përpiqet ta shmangë sa të mundet: A mundet Bashkimi Evropian ta mbështesë i vetëm Ukrainën, ushtarakisht, financiarisht dhe politikisht?
Afrim i SHBA me Rusinë
Aktualisht përplasjet mes Uashingtonit dhe Kievit janë të mëdha. Ka rrezik që SHBA të tërhiqet plotësisht si mbështetëse e Ukrainës. Madje ajo po afrohet me Rusinë. Presidenti Donald Trump ka pezulluar sanksionet ndaj Rusisë për të siguruar karburant më të lirë. Ai e ka kritikuar Ukrainën për taktikat e saj të sulmeve ndaj rafinerive dhe tubacioneve ruse. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë duket se ka ndërprerë, të paktën pjesërisht, mbështetjen teknike për Ukrainën.
As çaktivizimi i pjesës ushtarake të satelitëve amerikanë Starlink nuk është thjesht një gabim. Ai e godet Kievin në një pikë shumë të ndjeshme: pa këtë kontroll në qiell, koha për paralajmërim të hershëm ndaj sulmeve ruse është shumë e shkurtër. Dronët interceptues ukrainas funksionojnë vetëm në mënyrë të kufizuar pa Starlink, ndërsa goditjet po shtohen edhe në kryeqytetin ukrainas.
Vende të BE-së hezitojnë të zbrazin rezervat ushtarake
Zelensky i shoqëron sot kritikat e tij ndaj Uashingtonit me një afrim të demonstrativ ndaj BE-së: evropianët, thotë ai, janë aleatët e besueshëm të Ukrainës. Presidenti ukrainas i quajti krerët e shteteve dhe qeverive evropiane si “liderët e vërtetë të botës së lirë”. Por presidenti ukrainas i bën menjëherë të qarta edhe pasojat: nëse SHBA-ja rrezikon tani të tërhiqet plotësisht si aleate, Evropa duhet të veprojë, nëse nuk dëshiron që lufta të humbet.
Kërkesat janë shumë konkrete: Ukraina ka vendosur sisteme “Patriot” për mbrojtjen e qyteteve të mëdha. Por tani i duhen raketat PAC-2 dhe PAC-3, të cilat amerikanët po i përdorin aktualisht në sasi të mëdha në Gjirin Persik. Vendet evropiane kanë në rezerva raketash të tilla për ta ndihmuar Ukrainën ta kalojë dimrin, thotë Zelensky. Prandaj, sipas tij, ata duhet t’ia dorëzojnë këto raketa Ukrainës. Por mjaft vende të BE-së hezitojnë të zbrazin pikërisht tani rezervat e tyre ushtarake. I pyetur për këtë, Zelensky u shpreh, se vendimi është i thjeshtë, nëse vërtet qëndron deklarata se Evropa dëshiron ta mbështesë Ukrainën me gjithçka që i nevojitet.
Gjermania ka marrë licencën për të prodhuar vetë raketat amerikane, edhe pse vetëm modelin më të vjetër. Megjithatë, do të duhet rreth një vit derisa të nisë prodhimi. Për këtë dimër, kjo nuk do të jetë ende një ndihmë.
90 miliardë euro pothuajse janë shpenzuar
Ukraina ka nevojë për më shumë para. Edhe kjo i prek evropianët në një pikë të ndjeshme: një vit më parë, pas përpjekjesh të mëdha dhe manovrash politike, u arrit një paketë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh, e cila, sipas presidentit të Këshillit, duhej të mjaftonte “për një periudhë të parashikueshme”. Por kjo periudhë duket se tashmë ka përfunduar.
Disa burime ukrainase flasin tani për një mungesë financiare prej 70 miliardë eurosh, që duhet mbuluar. Shumë krerë qeverish e vënë në dyshim këtë shumë, thuajse të habitur që, me sa duket, 90 miliardë eurot janë pothuajse shpenzuar. Tani Ukrainës i është kërkuar të bëjë një bilanc të saktë financiar. Kievi duhet të përcaktojë shumën konkrete që i nevojitet.
Sërish do të rikthehet sërish pyetja nëse për financime të tilla mund të përdoren asetet e ngrira ruse që ndodhen në Belgjikë. Por pritet që qeveria belge ta kundërshtojë përsëri me të gjitha mjetet. Herën e fundit, ajo çuditërisht ia doli ta pengonte këtë.
Alternativa tjetër, borxhet e përbashkëta nga të gjitha vendet e BE-së, është për vendet financuese si Gjermania një nga tabutë më të mëdha të debatit financiar, një “Jo” absolute. Aq më tepër, ky debat vjen pikërisht në një moment kur BE-ja po përpiqet të arrijë marrëveshje për një buxhet prej mijëra miliardë eurosh për shtatë vitet e ardhshme, të cilin shumica e partive të ekstremit të djathtë në Evropë e kritikojnë si shpërdorim të papërgjegjshëm parash.
Anëtarësim në BE para vendeve që presin në radhë?
Nëse BE-ja duhet vërtet të zëvendësojë SHBA-në, atëherë do të ishte me gjasë e arsyeshme që edhe Ukraina të anëtarësohej sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Por edhe pse drejtuesit e BE-së deklarojnë sot para kamerave se do të hapin edhe dy kapituj të tjerë negociatash me Kievin, të gjithë e dinë, përfshirë edhe presidentin ukrainas, se Ukraina, me territorin e saj të madh, sektorin e fuqishëm bujqësor dhe problemet me strukturat e korrupsionit, do të duhet të presë në radhë pas kandidatëve të tjerë për anëtarësim.
Kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh të premten(16.10.) në Bruksel, se Moldavia dhe Mali i Zi kanë bërë dukshëm më shumë përparim dhe se vendimet për anëtarësim duhet të merren pikërisht mbi bazën e këtyre përparimeve. Kjo mund të jetë e kuptueshme, por politikisht çështja është delikate dhe e vështirë për t’u shpjeguar. Protesta e vendeve baltike ndaj një qëndrimi të tillë, me parullën “Nuk ka zgjerim pa Ukrainën”, jep që tani një ide të asaj që mund të pasojë.
Ende pak shpresë te SHBA-ja
Në këtë situatë, Zelensky i shtron BE-së pikërisht këto tri pyetje: Deri në çfarë mase mund ta ndihmojnë vendet e BE-së Ukrainën ushtarakisht, financiarisht dhe politikisht? Në secilën prej këtyre pikave, përgjigjja është e përmbajtur. Por duket se ende ekziston një fije shprese se SHBA-ja mund të bindet të heqë dorë nga kursi i saj pro-rus. Për momentin, të gjithë druhen ta kritikojnë shumë ashpër Uashingtonin, përfshirë edhe vetë presidentin ukrainas./dw




