Një zjarr i madh përfshiu një ndërtesë të Universitetit të Rouenit në Francë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shkatërruar fasadën dhe një pjesë të konsiderueshme të çatisë.
Sipas prefekturës së Seine-Maritime, të cituar nga gazeta franceze “Le Figaro”, shërbimet zjarrfikëse u njoftuan për incidentin pak pas orës 02:30, në Fakultetin e Arteve.
Rreth 50 zjarrfikës dhe 30 automjete u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve. Zjarri kryesor u vu nën kontroll rreth orës 04:30, por vatra të tjera vijonin të ishin aktive në fasadën e ndërtesës.
Autoritetet franceze kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes.


